Berisha PS-së: Bëhu bashkautore e reformave, zëri do të dëgjohet maksimalisht
Kryeministri Sali Berisha ftoi mbrëmë opozitën që për hir të integrimit të vendit të bëhet bashkëhartuese e reformave, pasi zëri i saj do të dëgjohet maksimalisht. Ai vuri theksin mbi faktin se opozita duhet të jetë bashkautore me mazhorancën në projektet e reformave të mëdha të vendit. Ndaj z. Berisha i bëri sërish thirrje PS-së që të bëhet pjesë e Kuvendit, ndërsa i kujtoi se zgjedhjet e 28 qershorit kishin arbitrin ndërkombëtar, i cili e vlerësoi pozitivisht procesin. Berisha la të kuptohet se kërkesat absurde për hapjen e kutive, pas qëndrimeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve se nuk kishte prova për manipulim, nuk lënë vend për të kundërtën. Sipas tij, arbitri ndërkombëtar vlerësoi 28 qershorin. “Zgjedhjet janë një proces themelor i një demokracie, në të cilat në të gjithë botën e qytetëruar pranojnë një arbitër. Pasi ai nxjerr përfundimin, mendoj se asnjëra palë nuk ka e nuk mund të ketë të drejtë të mohojë verdiktin e tij. Në këtë kontekst këto janë zgjedhjet e para kur ndërkombëtarët shkruajnë se u plotësuan angazhimet e OSBE/ODIHR-it dhe vlerësimi është pozitiv”, - nënvizoi Kryeministri. Pasi bëri një vlerësim të takimeve mjaft të rëndësishme me liderët botërorë gjatë qëndrimit më të gjatë në SHBA, në tërë karrierën e tij politike, Berisha vuri në dukje se opozita duhet të ndihmojë dhe jo të dëmtojë procesin e integrimit. I sapokthyer nga Nju Jorku, Berisha përmes një konferencë për shtyp i kërkoi opozitës së kryesuar nga Edi Rama, që të bëhet pjesë e reformave për integrimin e vendit. I pyetur në lidhje me realizimin e kërkesave të OKB-së, në një kohë kur opozita ka vendosur të heqë dorë nga pjesëmarrja në legjislativ, Berisha theksoi se opozita duhet të jetë në lartësinë e idealeve evropiane dhe duhet të dëshmojë se është në favor të proceseve të rëndësishme për vendin. “Shkalla e përgjegjësisë ndaj vendit është obligim madhor i të gjithë faktorëve politikë shqiptarë dhe mendoj se në bazë të zhvillimeve të mëdha për vendin, siç është liberalizimi i vizave dhe statusi i kandidatit, opozita duhet të jetë në lartësinë e idealeve evropiane dhe të dëshmojë qartë se është për favorizimin e këtyre proceseve”, - u shpreh Kryeministri. Lidhur me kontestimin e zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste, Kryeministri cilësoi se procesi i 28 qershorit është i pari që është konsideruar pozitiv dhe sipas standardeve, në raportet e ndërkombëtarëve.
"Zgjedhjet janë procesi themelor i një demokracie, ku në gjithë botën e qytetëruar palët pranojnë një arbitër ose një gjykatës. Pasi ato i kanë paraqitur atij (arbitrit) pretendimet dhe ai bën përfundimin, mendoj se asnjëra palë nuk ka dhe nuk mund të ketë të drejtë të mos i përmbahet verdiktit të tyre. Në këtë kontekst, në historinë e këtij vendi këto janë zgjedhjet e para në të cilat raportet ndërkombëtare shkruan se u plotësuan angazhimet kryesore të OSBE/ODIHR-it dhe vlerësimi i përgjithshëm për to ishte pozitiv", - theksoi z. Berisha.