Kuvendi miraton buxhetin, ulet tarifa e legalizimeve
Kuvendi miratoi dje me 73 vota pro ndryshimet në buxhetin e shtetit të vitit 2009, duke shpërndarë një fond investimesh prej më se 17 miliardë lekësh. Krahas buxhetit, deputetët miratuar disa projektligje të tjera, si disa ndryshime në sistemin tatimor, por më e rëndësishmja ishte miratimi për uljen e tarifës së legalizimit. Sipas projektligjit të qeverisë, çdo qytetar që ka një shtëpi në proces legalizimi do të paguajë tashmë 0.5 për qind të vlerës së ndërtimit. Kjo tarifë, që e merr pushteti lokal, arrinte në vlera deri në 4 për qind në Tiranë, ndërsa 2 për qind në qytetet e tjera. Vlera në 0.5 për qind ul në mënyrë të ndejshme taksën për legalizimin e shtëpisë, pasi në një ndërtim me vlerë 100 milionë lekë, një qytetar në Tiranë do të duhej të paguante 4 milionë lekë vetëm për bashkinë, ndërsa tani jo më shumë se gjysmë milioni lekë. “Në këtë ligj ka dhe disa përmirësime të tjera që unë i konsideroj me vend, që janë propozuar nga deputetë dhe që kanë të bëjnë me aspekte administrative. Projektligji për “Taksat vendore” është një propozim i bërë nga ana jonë, që reflekton nevojën e lehtësimit të procesit të legalizimit, proces i cili ka rritur koston, edhe për shkak të tarifave të larta që vijnë nga legalizimi dhe që kanë të bëjnë me pagimin e taksës së infrastrukturës të vendosur nga njësitë e qeverisjes vendore”, - deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas Bodes, u zgjodh një tarifë e njëjtë për të mos bërë diferencime, si dhe duke bërë të mundur që të lehtësohet për personat e prekur. Kjo taksë është ulur vetëm për ndërtimet në proces legalizimi, ndërsa për të tjerat taksa nuk ka ndryshuar.
Gjatë seancës së djeshme, deputetët e mazhorancës folën mbi ndryshimet në disa ligje, si në procedurat tatimore, rimbursimin e TVSH-së për bizneset eksportuese, si dhe për rritjen e akcizës së duhanit e alkoolit që rriten respektivisht me 10 lekë për paketë dhe mbi 50 lekë për pijet alkoolike. Akciza u rrit edhe me afërsisht 40 për qind për kafen. Sipas deputetëve të djathtë, të cilët ishin të vetmit të pranishëm në sallë, pasi opozita sërish vazhdon të bojkotojë Kuvendin, rritja e akcizave është pozitive. Sipas deputetit Sybi Hida, shteti sot merr 10 euro taksë për kilogramin e duhanit, por që sipas studimeve, shteti harxhon 9 euro për pasojat e antiduhanit. Ai tha se pavarësisht se çmimet e duhanit do të rriten, në vendet e Perëndimit taksa e tij është 3 deri në 4 herë më e lartë. Njëkohësisht dje u votua nen për nen projektligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, ai për taksat kombëtare, taksat vendore, akcizat dhe projektligji për procedurat tatimore. Për sa i përket projektligjit për rimbursimin e TVSH-së parashikohet që nëse administrata tatimore nuk rimburson TVSH për bizneset brenda 30 ditëve, atëherë ky i fundit nuk do paguajë më taksa për qeverinë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se rritja e akcizave do vijojë dhe vitin e ardhshëm.