Bregu, thirrje deputetëve të PS-së: Në emër të integrimit, thyejeni bojkotin
Qeveria përmes, ministres së Integrimit Majlinda Bregu, fton pjesëtarët e grupit parlamentar të PS-së që për hir të integrimit të Shqipërisë të zënë vendet e tyre në Kuvend. Me ftesën që bashkërisht të kontribuojnë në proceset integruese të vendit, Bregu u drejton apelin: “Në emër të interesave të Shqipërisë, thyejeni bojkotin dhe kthehuni në Parlament”. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila e sheh bojkotin e opozitës edhe me opinionin që ekziston në Bruksel për këtë fakt, ka të gjitha arsyet për të bindur grupin kuvendor socialist që të jetë në Kuvend. Bregu beson tek përgjegjshmëria e anëtarëve të grupit parlamentar të PS-së dhe detyrimi që ata kanë para elektoratit si përfaqësues të tyre në sallën e Kuvendit.
“Për sa i përket imazhit të një maturimi politik të klasës politike shqiptare, nuk përcjell pozitivitet fakti që opozita sot nuk është në Parlament. Në çdo diskutim me të huajt, por edhe së brendshmi, pika kryesore dhe pika më e nxehtë sot është se kur opozita do të rikthehet në Parlament. Unë besoj që opozita dhe pjesëtarët e PS-së, pjesa më e madhe e tyre kanë ndjeshmërinë, përgjegjësinë politike dhe qytetare për të ardhur dhe për të përfaqësuar elektoratin dhe veten e tyre në Parlament”, - deklaroi znj. Bregu. Ajo vuri në dukje se mungesa e një personaliteti të mirëkonstruktuar në lidershipin e PS-së nuk do t’i pengojë gjatë përfaqësuesit e tjerë të Partisë Socialiste për t’u rikthyer në sallën e Parlamentit. Nisur dhe nga sinjalet pozitive që kanë ardhur nga Parlamenti Evropian për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në të njëjtën kërkesë ku bëjnë pjesë Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia për lëvizjen e lirë, Bregu shprehet optimiste nisur dhe nga fakti se Shqipëria ka tejkaluar një nga kushtet, atë të pajisjes së një numri të caktuar qytetarësh me pasaporta biometrike. Qeveria shqiptare është e angazhuar të përmbushë premtimin për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian brenda vitit 2010. Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, duke folur për prioritetin më të afërt të programit të qeverisë shqiptare, që është liberalizimi i vizave, është optimiste për përmbushjen e tij brenda afateve të premtuara. "Unë vazhdoj t'i qëndroj besimit se ky proces do të jetë i mundshëm për qytetarët shqiptarë brenda premtimit të kësaj mazhorance dhe përpjekjeve të kësaj qeverie, brenda vitit 2010", - tha znj. Bregu gjatë një interviste televizive. Mbështetjen që Shqipëria ka pasur së fundi nga europarlamentarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t'iu bashkangjitur procesit të liberalizimit të vizave, ministrja e Integrimit e vlerësoi si një tregues që kjo çështje nuk është një problem i kërkuar vetëm nga qytetarët shqiptarë, por dhe i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë. Lidhur me shqyrtimin nga Bashkimi Evropian të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në këtë organizëm, znj. Bregu shprehu besim se ajo do të shqyrtohet shumë shpejt nga Brukseli, brenda dimrit të këtij viti. Shqipëria e paraqiti zyrtarisht kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE më 28 prill të këtij viti, gati një muaj pas anëtarësimit të saj në NATO.