E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, PS-së: Eja në Kuvend, mos ma lini mua meritën e vizave



Kryeministri Sali Berisha fton opozitën të bashkohet me mazhorancën në Kuvend për reformat që mundësojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Madje, duke i pohuar PS-së që të kthehet në Kuvend dhe meritat mos t’ia lërë vetëm atij për heqjen e vizave. Berisha garantoi PS-në se në rast të kthimit në Parlament, do të gjejë të gjitha hapësirat dhe do të jetë zëri kryesor në bërjen e reformave integruese. Por kreu i qeverisë i kërkoi dje opozitës së drejtuar nga Edi Rama që të dëshmojë realisht nëse është pro liberalizimit të vizave për shqiptarët apo kundër saj. Sipas shefit të qeverisë, nëse opozita është pro këtij procesi mjaft të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, ajo duhet ta dëshmojë atë me praninë në Kuvend dhe me kontributin e saj për kryerjen e reformave të nevojshme. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha siguroi një bashkëpunim në të gjitha aspektet me opozitën e majtë. Ai shprehu bindjen se shumica qeverisëse do të vazhdojë punën e saj për plotësimin e kushteve. “E ftoj të vijë gjithashtu edhe për të treguar me praninë e saj se mbështet liberalizimin e vizave. Liberalizmi i vizave do të bëhet. Ne do të plotësojmë të gjitha kushtet edhe kriteret, por është në interesin më të mirë të opozitës që të dëshmojë me praninë e saj se nuk është kundër këtij procesi, se është në mbështetje të këtij procesi. Është gabim t’i lësh të gjithë meritën njërës palë. Të urdhërojë sepse kanë shansin për të kontribuuar në këtë proces”, - tha Berisha. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar demokrat bëri të ditur sërish se kryefjala e qeverisjes së tij sërish do të jenë reformat, kryesisht në zbutjen e varfërisë në vend dhe rritjen e eficencës së fondeve të administratës lokale. Kryeministri Sali Berisha ka ftuar dje opozitën që të japë kontributin e saj në Parlament për reformat. Por, sipas tij, reformat kërkojnë dhe kanë të nevojshme oponencën në Parlament, ndërsa premtoi se zëri i opozitës do të dëgjohet me seriozitetin më të madh. "Në ato rekomandime të OSBE-ODIHR-it, opozita do të ketë zë kryesor", - u shpreh Berisha. Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje opozitës të ndërpresë bojkotin dhe të paraqitet në Kuvend. Berisha shfrytëzoi mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për t’i bërë thirrje PS-së të marrë pjesë në Kuvend, duke lënë mënjanë mëritë. Madje, veç apelit për të marrë pjesë në Kuvend, Berisha nuk hezitoi t’i bëtë edhe disa premtime opozitës, si ndryshimin e Kodit Zgjedhor apo edhe se do të dëgjonte me çdo kusht zërin e socialistëve në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›