E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, “kallet” në festë, Berisha nga “New Born” tek ngjitja në bjeshkë



Kosova, sot “kallet” në festë. Ndaj Sali Berisha ka vendosur ta shfrytëzojë çdo minutë të kohëqëndrimit në pjesën tjetër të tokës shqiptare. Një figurë mjaft e dashur për kosovarët, Kryeministri i Shqipërisë, për nder të të cilit, festa në Kosovë ka nisur prej ditësh, niset sot që në orët e para të mëngjesit drejt Prishtinës. Ai ka planifikuar një axhendë të pasur tashmë në Kosovën e lirë, prej 17 takimesh, mes të cilave vizitat në familjet e ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe legjendës kosovare Adem Jashari. Më pas, nënshkrimi në “New Born” dhe më e veçanta, edhe një ngjitje në bjeshkët e Prevallës. Berisha nis sot vizitën dyditore në Kosovë, kthimin e së cilës do ta bëjë përmes autostradës së re Durrës-Kukës-Morinë. Një axhendë e ngjeshur takimesh që ka si fillimin orën 10:00-11:15 me takimin e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe delegacioneve zyrtare. Në këtë orë është fiksuar nënshkrimi i një sërë marrëveshjeve dypalëshe. Konkretisht, do të firmoset marrëveshja për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, protokolli për qarkullimin në zonat kufitare, marrëveshja në fushën e doganave, marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar, marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm, marrëveshja e bashkëpunimit të administratave lokale. Në orën 11:15-11:30 të dy kryeministrat do të japin një konferencë të përbashkët shtypi. Në orën 11:45 -12:30 do të zhvillohet takimi me Presidentin, z. Fatmir Sejdiu, dhënia e dekoratës dhe konferenca e përbashkët për shtyp. Kurse në orën 12:45-13:15, Kryeministri Sali Berisha do të takojë kryetarin e Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, dhe më pas fjala e rastit në Kuvendin e Kosovës. Në orën 16:45 do të ketë një takim me përfaqësues të biznesit.

Kurse në 16:45-17:15, kreu i qeverisë shqiptare do të zhvillojë homazhe te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe më pas vizitë në familjen Rugova. Në 17:20-18:15 do të jetë ceremonia e dhënies së titullit “Honoris Causa” nga UP dhe në orën 18:20-19:20, takime me parti parlamentare, kurse në orën 19:30-20:00 takime me minoritetet. Axhenda e ditës së mërkurë për Kryeministrin shqiptar nis që në orët e para të mëngjesit. Pikërisht në orën 07:30-10:00, kreu i qeverisë shqiptare do të udhëtojë drejt Prekazit, ku do të bëjë homazhe dhe vizitë në familjen e Heroit Adem Jashari. Më pas, rreth orës 10:10-10:30 është parashikuar një vizitë te monumenti “New Born”. Pas këtij momenti nisin takimet me përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë. Në orën 10:45-11:15, z. Berisha do të takohet me përfaqësuesin e BE-së, z. Pieter Feith dhe më pas në orën 11:30-12:15 me Komandantin e KFOR-it, Lejtnant Gjeneral Markus Bentler. Pak çaste më pas, në orën 14:00-15:00, Berisha ka në axhendën e tij një takim me kryetarin e komunës dhe dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Prizrenit. Momenti I fundit që mbyll axhendën tepër të ngjeshur të Kryeministrit Berisha në Kosovë, është ai i orës 15:30-18:00 me një ngjitje në bjeshkën e Prevallës dhe nisja për Tiranë përmes autostradës së re.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›