Berisha: PS synon bllokimin. Tahiri: Po angazhohemi për marrjen e statusit kandidat

Saimir Tahiri
Partia Socialiste nuk e cilëson ultimatum paktin me katër pika të propozuar për mazhorancën. Anëtari i kryesisë së PS-së dhe i mandatuari për negocimin me PD-në, Saimir Tahiri, shprehet se katër pikat e propozuara janë të realizueshme. Për këtë ai tha se duhet të mblidhet tryeza e partive parlamentare.
“Tryeza e kryetarëve të partive parlamentare mund dhe duhet të japë domosdoshmërish zgjidhje të katër çështjeve në funksion të integrimit europian të Shqipërisë”, shprehet Tahiri.
Reagimi i socialistëve vjen pas komenteve të kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Ai i konsideroi katër pikat si ultimatum dhe tentativë për bllokimin e qeverisë. Por Tahiri rrëzon një pretendim të tillë.
Katër pikat nuk janë vetvete as kusht, as ultimatum dhe as përzierje e procesit. Katër çështjet qëndrojnë si detyrime madhore për klasën politike në Shqipëri, u shpreh deputeti socialist. /F.S/
* * *

Kryeministri Sali Berisha / Foto arkiv
Kryeministri Berisha e ka cilësuar propozimin që nënkryetari i PS-së, Gramoz Ruçi, i paraqiti dje homologut të tij, Patozi, një kurth meskin që ka për qëllim bllokimin.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se oferta e koalicionit të tij për zgjedhjen e presidentit është shumë e sinqertë.
I bëj apel zotit Rama, që në interesin më të mirë të vendit, le të angazhohemi për ti dhënë Shqipërisë një president të besueshëm, që u fakton shqiptarëve që dinë të qëndrojnë mbi politikën.
Të faktohet një president simbol i dinjitetit të shqiptarëve. Oferta ime dhe e koalicionit tim është shumë e sinqertë dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në negociatat më serioze dhe jo në kurthe meskine që kanë për qëllim bllokimin, tha Berisha.
Sipas Berishës, propozimi i Ramës për një takim dypalësh është një hipokrizi. Nuk e lënë zotin Rama bosët që e rrethojnë të prekë imunitetin. Ku e lë Fideli me i prek imunitetin? Pranon Sadri Abazi të heqë imunitetin? Është i gatshëm të japë 2/3 e pasurisë e të mbajë imunitetin. Dhe Rama bën hipokrizi që hajde ulemi bashkë dhe ti zgjidhim këto. Një axhendë bën me faktorin ndërkombëtar e një tjetër me miliarderët e tu.
Ke tre vjet që i mban me injeksione ata të tutë që do ta rrëzojmë këtë qeveri. Por me këto që bën ti, edhe në vitin 2017 këtë qeveri do kesh. Dëshira dhe vullneti ynë është i hekurt për të paraqitur kandidatë që ditën e mërkurë dhe ta miratojmë atë në mënyrën më të fuqishme, përfundoi kryeministri.
Berisha risolli në vëmendje se për zgjedhjen e presidentit ka një marrëveshje të vitit 2009 mes PD-së dhe LSI-së.
Dua të rikujtoj se në marrëveshjen e datës 2 shtator 2009, në faqen tre të kësaj marrëveshjeje, thuhet: Zgjedhja e presidentit do bëhet mbi bazën e konsensusit midis PD-së dhe LSI-së. Ky është përcaktimi kontraktual midis dy forcave të koalicionit qeverisës. Në përputhje me mandatin që dha kryesia dhe afatin e përcaktuar nga Kushtetuta, ne nisëm menjëherë serinë e konsultimeve dhe negociatave, natyrisht së pari me aleatët tanë.
Mund të them se takimi me LSI-ja ishte një takim që u përcaktua nga vendosmëria e plotë për ti qëndruar marrëveshjes dhe vlerësim i madh për marrëveshjen qeverisëse që ekziston mes dy forcave tona qeverisëse. Referim i qartë në nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit të Republikës, tha Berisha.