Turqia: Kosova, së shpejti në NATO

Volkan Bozkir
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës si dhe pozita e komunitetit turk në Kosovë, kanë qenë në qendër të bisedimeve në takimin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pati me një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Turqisë. Kryeparlamentari Krasniqi ka pritur të hënën kryetarin i këtij komisioni, Volkan Bozkir, i cili ka premtuar anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO.
Me këtë rast, Bozkir ka thënë se zhvillimi shoqëroro-ekonomik i Kosovës do të ndikojë pozitivisht në arritjen e stabilitetit në Kosovë. Ndërkaq, angazhimi për njohje të Kosovës nga sa më shumë vende është prioritet për Turqinë, duke shtuar se në qëndrimin ndaj Kosovës, nuk ka ndarje ndërmjet pozitës dhe opozitës turke.
Ai po ashtu ka shtuar se Turqia në çdo aspekt është me Kosovën, sidomos kur është fjala për integrimin euro-atlantik. “Në ulëset e NATO-s, shpejt do të ulemi së bashku”, theksoi Bozkir. Sa u përket bisedave me Serbinë, ai tha se marrëveshjet e arritura duhet të realizohen, ndërsa shprehu besimin se paqja do të mbretërojë edhe në veri të Kosovës. / Kosovapress