E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PS të drejtojë hetimin, por jo të hapë kutitë

Jemi gati t‘i japim shumicën opozitës në komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, por kutitë nuk mund të rihapen ndaj PS-ja për këtë kërkesë duhet t‘i drejtohet prokurorisë. Kjo ishte përgjigjja që Kryeministri Sali Berisha i dha dje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili deklaroi në "Top Story" se opozita kthehej në Kuvend nëse i jepej shumica në komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet.

Hetimi

Duke iu përgjigjur interesit të medias, Berisha deklaroi se "përcaktohem të bëj absolutisht, çdo lëshim që nuk cenon ligjet e vendit, por, në qoftë se bëjmë kompromise për t‘i vënë kazmën shtetit ligjor, është gjëja më e rëndë që mund të bëj". Berisha ftoi opozitën që të vijë në Kuvend duke theksuar se ai ka qenë dhe është gjithnjë i vendosur t‘i njohë opozitës të drejtën e vendimmarrjes për problemet zgjedhore. "Unë mendoj se si pozita, ashtu edhe opozita duhet të kenë të qartë se me gjithë fuqinë e madhe të pushtetit që ato kanë, nuk kanë fuqi gjyqësore. Ajo për të cilën e ftoj zotin Rama është se politika bën ligje për të reformuar pushtetin gjyqësor, por më tutje nuk shkon. Ai që shkon më tutje është vetë sistemi i drejtësisë. Ndaj, të shkojë në prokurori, t‘i paraqesë të gjitha çështje atje dhe prokuroria ka tagrin të marrë të gjitha vendimet e duhura", theksoi Kryeministri. Berisha gjeti rastin t‘i kërkojë kryetarit të Partisë Socialiste që të gjejë të gjitha argumentet, çështjet që t‘i paraqesë prokurorisë dhe prokuroria qoftë ajo e rretheve, qoftë ajo e përgjithshme ka tagrin e plotë të urdhërimit, të hetimit, të shqyrtimit të çështjeve. Duke u ndalur te komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet, Berisha theksoi edhe një herë se "ne i lëmë shumicën, madje ia paraqesim ne kërkesën, por jo për të thyer vendimin e gjykatave. Unë nuk kam kompleks se do të ketë shumicën. Problemi është se kemi një vendim gjykate dhe ky vendim atakohet vetëm në rrugë drejtësie, të paraqesë në prokurori hetimin për një, dy, tri apo katër çështje që zoti Rama mund t‘i ketë dhe t‘i paraqesë".

Bojkoti

Në lidhje me komunikimin që mazhoranca dhe opozita po bëjnë në distancë, pasi PS ka deklaruar se nuk do marrë pjesë në Kuvend deri në zgjedhjet lokale, Kryeministri Berisha është shprehur se secila forcë politike zgjedh rrugën e saj të komunikimit dhe opozita ka zgjedhur protestat, në një vend demokratik kjo është e lejueshme. Duke vënë theksin te proceset e rëndësishme që duhet të realizojë vendi ynë për të ecur para, Berisha nënvizoi se "interesi i opozitës, në mendimin tim më të mirë, është që të japë kontributin e vet në këto kohëra, për proceset e mëdha që janë para shqiptarëve, veçanërisht ai për lëvizjen e lirë". Duhet të mendojë shumë, vijoi ai, shumë mirë se shansi është shans dhe ai është historik, nuk të jepet dy herë mundësia për të kontribuar në lëvizjen e lirë. "Kjo mundësi të jepet një herë dhe duhet të jesh aty. Pavarësisht se mund të ngrejë pikëpyetje, unë kam bindjen se kjo nuk do të jetë një pengesë, kur nuk ka një bazë ligjore", u shpreh Berisha. Sipas tij, është një moment historik të qenurit vend kandidat për në Bashkimin Europian ndaj opozita duhet të japë kontributin e saj. Shqiptarët tha ai, kanë pritur shekuj për të lëvizur të lirë në Europë, tani janë në prag të saj. Në vlerësimin e kreut të qeverisë me protesta nuk e bind dot Europën dhe kjo nuk është gjë e mirë. Protesta, sipas Berishës, duhet të bëhen kur ka një bazë ligjore për kërkesat që bën. Prej ditësh, eksponentët e mazhorancës kanë deklaruar se protesta e opozitës shkon në drejtim të prishjes së imazhit të Shqipërisë në kuadër të procesit të liberalizimit të regjimit të vizave me Bashkimin Europian. Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, i bëri thirrje dy ditë më parë opozitës që të shkojë në Kuvend për të paraqitur kërkesat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›