E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia merr masa për mbarëvajtjen e protestës

Policia e Tiranës tha sot se ka dhënë lejen e saj për mitingun e Partisë Socialiste më datë 10 tetor në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në kryeqytet. "Më datë 10 tetor 2009, Partia Socialiste e Shqipërisë ka njoftuar për zhvillimin e një mitingu në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit‘, Tiranë. Në këtë kuadër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë masa për sigurimin e rendit e të qetësisë publike, si dhe garantimin e zhvillimit normal të këtij tubimi", thuhet në një deklaratë të policisë. Sipas saj, më datë 10 tetor 2009, duke filluar nga ora 16:00 e deri në përfundim të aktivitetit, do të merren masat për bllokimin e segmentit rrugor përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", deri në sheshin "Nënë Tereza". Drejtoria e Policisë së Tiranës kërkoi mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve për bllokimin e qarkullimit rrugor në zonën ku zhvillohet mitingu. Historia e mitingjeve dhe marrëdhënieve midis uniformave blu dhe opozitës socialiste nuk ka qenë gjithnjë pozitive. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, teksa po organizonin mitingun përmbyllës të fushatës, drejtuesit e Partisë Socialiste dhe uniformat blu të kryeqytetit u përplasën për vendin ku do zhvillohej tubimi. Drejtuesit socialistë pretendonin se kishin të drejtën të protestonin përpara godinës së Kryeministrisë, teksa policia deklaronte se nuk ishte marrë një lejë e tillë. Pas shumë replikash u bë e mundur që Partia Socialiste të mbyllte fushatën elektorale me një miting përpara zyrës së Kryeministrit Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›