Berisha: PS ti hapë kutitë e materialeve në arkivë
Partia Socialiste mund të përdorë për hetime materialet e kutive të votimit të zgjedhjeve të shkuara, por duhet t’i marrë ato në Arkivin e Shtetit. Kjo ishte përgjigjja që dha dje Kryeministri Berisha, në lidhje me pyetjen nëse mazhoranca do të lejonte që opozita t’i përdorte këto materiale për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në mënyrë të qartë dhe të prerë, kreu i qeverisë, theksoi se kjo procedurë duhej të bëhej sipas ligjit, i cili nënkupton se kur materialet e kutive të votimit shkojnë në arkivë, atëherë fletët e votimit digjen, duke mos lëvizur nga qëndrimi i mëparshëm i mazhorancës për këtë çështje. “Ligji garanton plotësisht dhe tërësisht shqyrtimin nga secili prej jush, nga secila forcë politike të materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave në arkiv dhe çdo të drejtë tjetër, të cilën ligji ia njeh gjithkujt, unë kam provuar t’u respektoj liritë dhe të drejtat e çdo njeriu”, deklaroi Kryeministri, duke lënë të kuptohej se ai nuk ishte dakord për një marrëveshje sipas së cilës fletët e votimit mund të mbaheshin në gjendje të ngrirë gjatë kohës së shqyrtimit të materialeve të votimit. Në prononcimin e tij të djeshëm për këtë çështje, Berisha la të kuptohej se mazhoranca nuk kishte ndërmend të negocionte për hartimin e një ligji të ri për këtë çështje, duke theksuar se vendi nuk kishte boshllëk ligjor për këtë çështje. Në këtë kuadër ai theksoi se mund të lëshonte gjithçka për kompromis, që nuk mund të mos zbatonte ligjin dhe Kushtetutën e vendit. “Përveç Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, unë lëshoj në çdo pikë. Unë nuk di ndonjë pikë, ku nuk mund të lëshoj. Në të gjitha, sipas këtyre përcaktimeve. është normale dhe nuk ka vakum ligjor. Gjërat janë qartësisht të përcaktuara”, theksoi Berisha në lidhje me çështjen e transparencës zgjedhore. Sipas kreut të qeverisë, kushdo që kërkon transparencën mund ta bëjë atë në bazë të legjislacionit në fuqi, sepse ky kuadër ligjor që vendi ka, e siguron atë. “është shumë e rëndësishme që cilido që dëshiron të përfitojë nga hapësirat e mëdha që krijojnë ligjet e vendit, Kushtetuta e vendit, vendime të tjera. Unë kam besim se kjo do të ndodhë. Unë vlerësoj çdo përpjekje të cilitdo që të përfitojë nga ato çka garantojnë ligjet. I respektoj ato me vendosmërinë më të madhe”, u shpreh kreu i qeverisë pas takimit në Strasburg për këtë çështje. Nga ana tjetër, Kryeministri u shpreh optimist se brenda dy javëve të vendosura në dispozicion nga ana e ndërkombëtarëve, palët politike në vend mund të arrinin të gjenin zgjidhje, duke mos harruar të shtojë se ajo duhet të jetë në përputhje me ligjin. “Ka vendosmëri dhe vullnet të padiskutueshëm që në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e gjykatave të këtij vendi, të cilat mundësojnë t’u jepet përgjigje dinjitoze çdo force politike dhe çdo qytetari të Shqipërisë, çdo gjë është e mundshme. Mendoj se qeveria, në përputhje me të gjitha përcaktimet kushtetuese ligjore të vendit, është e gatshme për çdo kompromis, normal pa asnjë lloj hezitimi”, deklaroi Kryeministri. Tri ditë më parë, menjëherë pas mbërritjes nga Strasburgu, kreu i qeverisë shpjegoi se rekomandimet e ndërkombëtarëve të bëra gjatë një dreke informale, ishin në përputhje me ato që kishin dhënë përfaqësuesit e Këshillit të Europës gjatë negociatave të zhvilluara në muajin shkurt mes palëve.
#