E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fierakët, ankesa tek Avokati i Popullit për largimet nga puna

Ankesat Nis verifikimi në terren i ankesave të depozituara

Largimet nga puna kanë qenë kërkesat më të shpeshta për shqyrtim që fierakët kanë depozituar pranë institucionit të Avokatit të Popullit. Për të tretin vit radhazi, ky institucion po ndërmerr takime të drejtpërdrejta me komunitete të ndryshme në të gjithë vendin. Këto ditë ka mbërritur në Fier një përfaqësi e këtij institucioni. Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit, takimi i komunitetit fierak me Avokatin e Popullit ka nxjerrë në pah problematikën e largimeve nga puna të administratës shtetërore. Vitin e kaluar, problem kanë qenë vendet e strehimit dhe depozitimit të municioneve luftarake, ndërsa këtë vit largimet nga puna kanë shënuar numrin më të madh të shqetësimeve që i janë bërë prezente institucionit të Avokatit të Popullit. Mësohet se largimet nga institucionet shtetërore kanë qenë shqetësimi më i madh i këtij viti për komunitetin e Fierit e që pritet të merret në shqyrtim nga ekspertët e Avokatit të Popullit. Sipas përfaqësuesit të Avokatit të Popullit, Skënder Haluci, konfirmohet se ankesat më të spikatura nga qytetarët janë ato të largimeve nga puna, të cilat zënë vendin e parë dhe më pas vijnë ankesa të tilla si: dhënia e pensioneve apo e ndihmës ekonomike në mënyrë të padrejtë, duke u mbajtur shuma të konsiderueshme të hollash, si dhe konflikteve të ndryshme që kanë qytetarët mes tyre apo dhe institucioneve shtetërore. Haluci thotë gjithashtu se marrja e ankesave të qytetarëve shmang përplasjet e mëdha jo vetëm mes tyre, por edhe mes institucioneve. “Avokati i Popullit merr ankesat e qytetarëve dhe i shqyrton ato konform ligjit. Edhe këtë vit i jemi drejtuar Fierit. Ndryshe nga vitet e shkuara, largimet nga puna dhe çështja e pronave paraqet problem”, ka thënë Haluci. Mësohet prej tij se nga gama e gjerë e problemeve të bëra prezente, rreth 25% e rasteve të trajtuara kanë marrë zgjidhje. “Duhet pranuar se nga fluksi i ankesave të depozituara, rreth 25% kanë marrë zgjidhje dhe shumë të tjera janë në shqyrtim”, ka thënë përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, gjatë inspektimit të këtij viti në Bashkinë e Fierit. Mësohet se të gjitha rastet që kanë marrë zgjidhje, kanë qenë në favor të popullit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›