E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pagat dhe pensionet do të rriten nga fondi i heqjes së makinave të administratës

Kursimet nga makinat për 3 mijë zyrtarë do të përdoren për buxhetorët dhe pensionistët


Pagat dhe pensionet do të rriten në fillim të korrikut. Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e djeshme të qeverisë se është i vendosur të rrisë rrogat dhe pensionet e shqiptarëve. Sipas tij kjo do të arrihet falë përdorimit me një disiplinë të fortë të buxhetit të shtetit.

Kemi ngrirë 20% të buxhetit të miratuar në parlament dhe mund tu them se rritja e pagave dhe pensioneve thuajse u sigurua vetëm nga vendimi dhe reforma për heqjen e makinave të zyrtarëve. Kjo ishte reform përcaktuese në mundësinë e kësaj qeverie për të vendosur një rritje të re e të madhe të rrogave dhe pensioneve në vitin 2010. Kryeministri i kërkon ministrit të Drejtësisë të përcaktojë me Kryetaren e Gjykatës së Lartë rrugët për bonuse për gjyqtarët e gjykatës së Faktit dhe të Apelit, për të zvogëluar diferencën me pagat e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.


Vendimi
Kryeministri Berisha rikonfirmoi dje se qeveria do të procedojë me rritjen e pagave dhe pensioneve. Duke folur në mbledhjen e qeverisë për këtë çështje, Kryeministri tha kjo bëhet e mundur falë një disipline të fortë të përdorimit të buxhetit dhe reformës më të fundit të qeverisë, uljen së shpenzimeve nga heqja e automjeteve të mbi 3 mijë zyrtarëve. 
Ky është një vit, në të cilin, realisht, tregjet financiare europiane janë në gjendjen më të vështirë, në një panik të vërtetë, siç edhe i ndiqni lajmet. Por qeveria është e vendosur me një disiplinë të fortë të përdorimit të buxhetit. Ne kemi ngrirë si qeveri, si administratë 20 për qind të buxhetit që dërguam në parlament, përveçse për institucionet e pavarura, të cilave nuk u është ngrirë asnjë qindarkë, në rast se ecim në këtë mënyrë, por, në rast se na imponohet, edhe mund të detyrohemi, tha Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Sipas tij deri tani në vendimin tonë, institucionet e pavarura janë përjashtuar nga ngrirja e buxhetit, të cilin e kanë siç është votuar në parlament. Ndërsa të gjitha ministritë, agjencitë e varura prej tyre e kanë minus 20 për qind, nga buxheti që është votuar.


Të ardhurat
Një lehtësim dhe mundësi shumë të madhe na dha gjithashtu, heqja e veturave për zyrtarët. Ajo që kaloi pa u shënuar nga mediat si një reformë epokale, në fakt ishte një vendim që ngroh xhepin e 820 mijë familjeve shqiptare. Në qoftë se nuk do ti jepnim përgjigje ligjore një abuzimi të papranueshëm, kur me karburantin që harxhohej, një shofer i kushtonte i vendit sa një ministër, mbi 19.500 dollarë në vit, pra, kjo rrudhje e madhe që bëmë nga rreth 3000 shoferë në 31, bëri të mundur të kursehen pothuaj i tërë fondi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, tha kryeministri në mbledhjen e djeshme. Sipas tij sikundër ndaj të gjithë këtyre zyrtarëve u vendos një bonos në kompensim dhe vlerësim të kontributit të tyre. Kjo reformë ishte përcaktuese në mundësinë e kësaj qeverie për të vendosur rritje të re, të madhe të rrogave dhe pensioneve edhe në vitin 2010. Ndaj të fillohet pa humbu kohë nga puna, të përcaktohen rritjet, siç janë parashikuar. Rritje më të mëdha do të pësojnë rrogat e ulëta dhe pensionet e ulëta. Rritja më e vogël do të jetë për rrogat e larta. Pagat e zyrtarëve më të lartë do të rriten as sa është inflacioni ose 1 për qind më shumë, pasi ky është rregulli, deklaroi Berisha.


Rritja
Pensionet do të rriten në korrik në masën nga 4 për qind deri në 10 për qind. Burime nga Ministria e Financave bënë të ditur dje se rritjen më të madhe është vendosur për pensionet minimale për shkak të plotësimit të diferencimit mes pensioneve minimale dhe atyre maksimale. Sipas të njëjtave burime mësohet se rritja do të nisë nga vlera e inflacionit deri në 10 për qind. Për vitin 2010, fondi i lënë në dispozicion si kontigjencë për politika pensionesh është 2.7 miliardë lekë. Në vitin 2011, kjo shumë do të ulet me 100 milionë lekë, për t'iu fiksuar në 2.6 miliardë lekë. Vetëm për vitin 2010-të, qeveria ka miratuar një fond kontigjence për rritjen e pensioneve në masën 2.7 miliardë lekë. Vendimi "Për miratimin e kuadrit makroekonomik dhe treguesve fiskalë 2010-2012", i miratuar në Këshillin e Ministrave parashikon një fond kontigjence prej rreth 83 milionë dollarësh për rritjen e pensioneve. Ky fond është i ndarë përgjatë vitet 2010, 2011 dhe 2012. Fondi i lënë për rritjen e pensioneve është thuajse i njëjtë në tre vitet. Rreth 530 mijë pensionistë pritet të përfitojnë mesatarisht një fond prej 27 milionë dollarësh rritje në tre vitet e ardhshme.

Doganat realizojnë 9.9 miliardë lekë të ardhura në 30 ditë
Drejtoria e Përgjithshme e doganave publikoi shifrat zyrtare të realizimit të planit për 4 mujorin. Sipas këtyre shifrave ka tejkalime për muajt mars e prill 2010. Drejtori i sapoemëruar në dogana tha se ka pasur një rritje të ndjeshme të volumit të eksporteve.  "Në muajt mars 2010, administrata doganore shqiptare arkëtoi 9.9 miliardë lekë nga 9.3 të planifikuara, duke realizuar planin e të ardhurave në masën 106 për qind. Krahasuar me muajin mars 2009, në muaji mars 2010 janë arkëtuar 2.13 miliardë lekë më tepër, ose 27.4 për qind më shumë. Në muajin prill 2010, administrata doganore shqiptare arkëtoi 9.5 miliardë lekë nga 9.3 miliardë lekë të planifikuara, duke realizuar planin e te ardhurave në masën 102 për qind. Gjatë 4 mujorit të parë të vitit 2010 është regjistruar volumi i eksporteve shqiptare i shprehur në sasi, në 557 mijë ton, nga 339 mijë ton të regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 218 mijë tonësh, ose 64 për qind më shumë", tha Flamur Gjyrmishaj, drejtori i ri i Përgjithshëm i Doganave. Treguesit që masim aktivitetin ekonomik po shfaqen në parametrat më maksimal dhe më të mirë që ka pasur ekonomia shqiptare, kjo na jep bindjen që zhvillimet në ekonominë e vendit do të jenë më pozitive nga sa ishte optimizmi ynë i deritanishëm. Në vlerë absolutë, të ardhurat për muajin mars janë 2.1 miliardë më të larta se në të njëjtin muaj të vitit 2009 ose 28 %. Si periudhë 3-mujore, vijoi ai, administrata doganore konfirmon një rritje prej 2.8 miliardë lekë krahasuar me 2009, ose 13 % më shumë në buxhet. Këto të ardhura, janë realizuar në një muaj kur importi i karburanteve ka qenë 10 mijë ton më pak, nga 37 mijë ton në marsin e vitit të kaluar, në 27 mijë ton për marsin e këtij viti. Kjo do të thotë se kemi një rritje të qarkullimit të mallrave të tjera që kanë lidhje me biznesin dhe konsumatorin. Për këtë periudhë 3-mujore konfirmohet një rritje prej 700 milionë lekësh më shumë importesh në makineri dhe pajisje, ky zë nuk taksohet, por të ardhurat u gjeneruan nga rritja e investimeve në ekonominë reale dhe kjo rritje deklaroi ai u mundësua tërësisht gjatë muajit mars pasi në muajt e parë të vitit importi i makinerive dhe pajisjeve ishte në rënie.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›