Gjergj Prevazi: Maji, muaji kur ritmet moderne ndezin skenën shqiptare
Muaji maj, është kthyer në muajin e dancit kontemporan, kështu u shpreh drejtori artistik i Festivali Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan koreografi i njohur Gjergj Prevazi. I cilësuar si një prej evenimenteve më të rëndësishme të këtij sezoni pranveror në
qytetin e Durrësit, Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan, në edicioni e tij të pestë ka sjellë net të mbushura me ritëm në qytetin bregdetar, por këtë sezon ato nuk do të mungojnë dhe në kryeqytet. Ky aktivitet, i cili ka startuar këtë vit në datë 1maj për të përfunduar në 28 maj ka një pjesëmarrje shumë më të gjerë se sa edicionet e viteve të kaluara, duke performuar para publikut grupe të njohura dhe të vlerësuara dhe në festivale ndërkombëtare të kërcimit. Drejtori i festivalit, koreografi i njohur Gjergj Prevazi tregon se ky është një eveniment unik dhe tepër i rëndësishëm në llojin e vet. Festivali ynë synon që të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme, duke u kthyer tashmë në një veprimtari të përvitshme. Këtë vit në editonin e pestë të tij për herë të parë janë dhe dy trupa nga Amerika dhe dy trupa nga Spanja. Këtë edicion grupet pjesëmarrëse marrin pjesë vetëm me performanca të vitit 2009 dhe 2010. Këtë muaj rimet ndezin skenën, thotë ai. Këtë vit janë pjesëmarrëse edhe grupe nga Zvicra, Franca, Izraeli etj, por dhe nga Shqipëria. Trupat pjesëmarrëse: Ballet Jesus Quiroga, Cie Diade, Scream Scene dhe Trefeli, Ursula Eagly Solo Fields of Ida, Oded Ronen and Joel Bray Dorban2O, The Neta Dance Company, 5 Beds/Children of the Dream +Fold-Refolds në Tiranë në 7 maj, Ferenc Feher Tao Te 10 maj, Rytm Ba The Perfect Solo 12 maj në Tiranë, Ballet Actual 17 maj, Fabrice Lambart 21 maj, Albania Dance Theatre co, The Parfum 22 maj, Lanonima Imperial 26 maj dhe Linga më 28 maj. Ky eveniment i cili këtë vit mbërrin në edicionin e tij të pestë nga organizatorët është menduar që të jetë një spektakël mbushur dhe me shumë surpriza, të cilat do të zbulohen në vijim të këtij festivali. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern Bashkëkohor, është një projekt që synon të kthehet në traditë. Festivali ka krijuar kushte mjaft të mira për njohjen e tendencave të dancit modern bashkëkohor, për studentët e degës së Koreografisë. Në fund të këtij aktiviteti organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Bashkëkohor do të nderojnë me Çmimin e Karrierës një nga balerinët apo koreografët e shquar shqiptarë në vite.
Nata e tretë e festivalit, Ursula Eagly dhe Dorban2O
Një pjesë 25 minuta e gjatë e performuar nga Ursula Eagly, e cila vërtitet kryesisht mbi dy elementë: improvizimi mbi hapësirën dhe lëvizjet dhe rëniet e zhdërvjellëta të artistes.
Skena është e ndriçuar, ku në fakt vetë Eagly bën ndezjen dhe fikjen e tyre, është vetë ajo që bën muzikën duke folur e kënduar. Pjesa evokon pamjen e pllajave të Idës pas apokalipsit, të përshkruara në mitologjinë norse nordiko-vikingase. Në ato pllaja gjenden edhe Adami e Eva, që përfaqësojnë fundin, por edhe fillimin. Shkatërrimi dhe ringjallja bashkëjetojnë kudo dhe pjesa gjallërohet kur në skenë hyn një çift tjetër. Tek pjesa Dorban2O, Oded Ronen kulmon në një marrëdhënie të gjatë jete, duke ekzaminuar lidhjen e fortë që sjell besnikëria dhe dashuria, pavarësisht vështirësive të jetës. Kjo pjesë tregon një pjesë të jetës në hapësirë, ku njerëzit funksionojnë gati-gati si robotë. Tek pjesa Island of Sanity, Joel Bray kërkon në tërësinë e jetës dhe arsyes, duke marrë vendime të vështira mbi atë që është e rëndësishme ose jo, ajo çfarë duhet të ruhet ose braktiset, çfarë mund të ndodhë nëse ai braktiset në një ishull, etj. Këto dy pjesë të shkurtra formojnë skeletin e një bashkëpunimi të ri mes Oded Ronen dhe Joel Bray, premiera botërore e së cilës u shfaq në Albania International Dance Meeting 2010
Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Merkure, 05 Maj 2010 20:07