E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pagat, pensionet dhe infrastruktura përparësitë tona

Autori i Lajmit: Suela Topi
Rritja e pagave dhe pensioneve është baza e buxhetit për vitin 2010. Kryeministri Sali Berisha prezantoi para ministrave të kabinetit qeverisës të gjitha prioritetet për vitin që vjen. Gjatë prezantimit të buxhetit Kreu i Qeverisë vuri theksin dhe tek reforma në sistemin e shëndetësisë duke premtuar rritje pagash për mjekët dhe infermierët. Po kaq i rëndësishëm sipas tij do të jetë dhe arsimi si dhe investimet në infrastrukturë. Kreu i Ekzekutivit ka vënë theksin tek unaza e Tiranës ndërsa ka pohuar se Bashkia e Tiranës mund të ndërtojë gjithë pjesën brenda qytetit ndërsa jashtë tij do ta menaxhojë Qeveria. Lidhur me infrastrukturën është theksuar dhe ndërtimi i rrugës së Arbrit për të cilën Berisha tha se afati maksimal i përfundimit është fillimi i 2012-ës. Shefi i Qeverisë tha se vitin e ardhshëm do të punohet shumë në drejtim të dixhitalizimit të përgjithshëm, por më parë, duke filluar nga dhjetori të gjithë punonjësit e administratës do të futen në kurs për të mësuar kompjuterin. Ndërsa një objektiv tjetër interesant mbetet edhe lufta kundër krimit të organizuar i cili në vizionin e kryeministrit brenda katër viteve duhet të ulet në nivelet e Bashkimit Evropian.
Prioritetet
Buxheti i realizimeve të mëdha e quajti Berisha projektin për shpenzimet financiare për vitin 2010. “Ky buxhet mbështet sërish politikën tonë të rritjes së ndjeshme të pagave dhe pensioneve dhe mendoj se kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme. Ne jemi të vetmit që në këtë buxhet parashikojmë dhe vendosim të rrisim sërish pagat dhe ti rrisim ato që në vitin e ardhshëm. Kjo rritje është rezultat i rritjes së parashikuar të të ardhurave me rreth 12 për qind dhe bëhet e mundur pikërisht për shkak të saj”, - deklaroi Kryeministri. Ai pohoi se përparësi do kenë pagat e ulëta dhe të mesme ku përfshihen mjekët dhe infermierët por dhe pagat e policisë, ushtrisë dhe administratës dhe më pak pagat e larta. Nga rritja po të përfitojnë dhe pensionistët kryesisht ata në fshat të cilët sipas Berishës duhet të shkojnë drejt barazimit me qytetin. Një tjetër angazhim është riorganizimi i ndihmës ekonomike dhe caktimi i kritereve të reja për të luftuar mjerimin. “Ne do të adaptojmë një skemë të tillë që do të shkojmë drejt zerimit të mjerimit apo siç quhet, varfërisë së skajshme në Shqipëri, që, sipas një studimi, është 1.3 për qind, por edhe pse në përqindje duket e vogël, është për tu marrë me seriozitet, pasi janë mijëra familje”. Projektet të mëdha sipas Berishës do të jenë dhe ato në infrastrukturë ku veçohet rruga e Arbrit, boshti i jugut, segmenti Tiranë-Elbasan dhe Elbasan- Berat. “Ne do të investojmë të gjitha fondet që rruga e Arbrit të mund të përfundojë deri nga fundi i vitit 2011 apo gjysma e vitit 2012, në varësi nga përfundimi i projektit të disa pjesëve mjaft problematike, siç është ura më e lartë e vendit 150 metra e lartë dhe disa tunele që kërkojnë kohën e finalizimit të projektimit”, - tha ai ndërsa premtoi fonde të shumta financiare dhe për zhvillimit rajonal të vendit. “Mund të informoj me kënaqësi se shuma prej 400 milion dollarë, e përcaktuar për rrugët rurale, po shkon drejt plotësimit dhe kam besim të madh se gjatë vitit 2010 edhe tejkalimi i kësaj shume”, - tha ai. Pjesë investimeve do të jenë dhe ato për zonat rurale nëpërmjet granteve, mikrokredive apo dhe financimeve për projekte të ndryshme si ai i vaditjes etj. Por për kreun e Qeverisë reforma e reformave është shëndetësia ndërkohë që dhe arsimi ruan përparësinë e tij. Ai parashikon që në 2013 të bëhet dhe arsimi i mesëm i detyrueshëm. Lidhur me mbështetjen e ministrive të veçanta Berisha sqaroi se Ministria e Mbrojtjes do të ketë dhe në këtë buxhet 2 për qindëshin e saj, Ministria e Integrimit do mbështete në burimet njerëzore për tiu përgjigjur procesit të integrimit,
Ministria e Ekonomisë në investimet për burimet energjetike ajo e Jashtme për hapjen e ambasadave në disa vende dhe modernizmin e sistemit të vizave si dhe Ministria e Brendshme do të ketë të gjithë mbështetjen për kontrollin e integruar të kufijve dhe përmbushjen e disa detyrimeve që rrjedhin nga zotimi ynë për liberalizmin e vizave. “Ministri i Financave ka detyrën për të mbështetur të gjitha këto që thamë dhe mundësisht për ti tejkaluar në mënyrë që ti bëjë qytetarëve shqiptarë me disiplinën fiskale dhe politikat e goditura që ndjek në trajtimin e borxhit, tu krijojë të gjitha mundësitë që programi shumë ambicioz i vitit të parë të mandatit të kësaj qeverie të realizohet me sukses të plotë”, - përfundoi Berisha.

Box
Kurse kompjuteri për administratën

Përparësia më madhore e kësaj qeverie është Shqipëria dixhitale. Në këtë kuadër kreu i Qeverisë, Sali Berisha tha se Qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha fondet, burimet financiare dhe njerëzore në funksion të realizimit të këtij objektivi, çka do të thotë në buxhetin e çdo ministrie dhe çdo agjencie, qoftë dhe në kurriz të të gjitha zërave të tjerë, IT do të zërë vendin e vet. “Zotërinj ministra, duke filluar nga dhjetori që vjen në të gjitha nivelet e administratës shqiptare do të fillojnë kurset e IT-së. Në këtë administratë, nuk mund të ketë punonjës që nuk përdor dot kompjuterin. Ne do të krijojmë kushtet, por ky do të bëhet një kusht themelor i qenies i punësuar si punonjës administrate, sepse nuk mund të pretendojmë përdorim të gjerë të kompjuterit në fshatrat më të largëta të vendit, duke mos pasur përdorim të plotë të tij në administratën shqiptare”, - tha ai.

Kryeministri: Të ndërtojmë unazën e madhe të Tiranës

Som
“I kemi ofruar kryetarit të bashkisë së Tiranës së fundi një ofertë të sinqertë, të ndërtojmë unazën e Tiranës, segmentin që është brenda qytetit ta ndërtojë bashkia dhe pjesën jashtë qytetit ne”

Mjedisi është një nga përparësinë e Qeverisë për vitin 2010. Por që ky problem të marrë zgjidhje duhet të bëhen ndërhyrje të fuqishme në Tiranë në ndër të cilat është dhe unaza e madhe e saj. Kështu ka pohuar Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë. “Problemin e mjedisit e zgjidhin ndërhyrje të fuqishme në Tiranë, ndaj dhe ne i kemi ofruar kryetarit të bashkisë së Tiranës së fundi një ofertë të sinqertë, të ndërtojmë unazën e Tiranës, segmentin që është brenda qytetit ta ndërtojë bashkia dhe madje, ne jemi të gatshëm të marrim borxhin për bashkinë pjesën jashtë qytetit që del në territorin e komunave të tjera, ta ndërtojë Qeveria. Bashkia duhet të vetë kufizohet dhe duhet ta ndërtojnë atyre që u takon”, - tha Berisha. Kreu i Qeverisë pohoi se kjo përbën një zhvillim pozitiv në zgjidhjen e problemit madhor të trafikut që është dhe ndotësi numër një i Tiranës, pasi Tirana nuk ka industri kimike, nuk ka termocentrale të mëdha. “Tirana, ndotjen 2 herë më të lartë se qytetet e tjera e ka pikërisht nga trafiku. Edhe ndërtuesit janë ndërgjegjësuar dhe kanë filluar të përdorin perdet që pengojnë përhapjen e pluhurit në rrugë, që është një gjë shumë pozitive dhe duhet ta respektojnë plotësisht. Gjithashtu edhe Ministria e Mjedisit duhet të jetë shumë serioze në këtë drejtim. Në qofte se ne i japim një përgjigje mjedisit në Tiranë, unë besoj se ne do të jemi ndër vendet më të pastra në Evropë dhe ky është një avantazh i madh”, - tha kreu i Qeverisë. Ai shtoi se Shqipëria është vendi i cili lufton me seriozitetin më të madh kundër emetimeve dhe më 1 janar të vitit 2010 nuk do të ketë më D2 për përdorim për makinat e të gjithë vendit. Më tej në këtë drejtim Berisha përmendi përpjekjet për të zhvilluar energjinë ujore, si forma më e pastër dhe për të ruajtur pozicionin e 25 që ka në pastërtinë e mjedisit. Ndërtimi i unazës së madhe të Tiranës ka qenë mollë sherri midis Qeverisë dhe bashkisë së kryeqytetit. Deklarata e lëshuar nga Berisha pak kohë më parë duke i kërkuar ministrit të Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit që brenda vitit të fillojnë procedurat për shpalljen e tenderit për dhënien me koncesion të ndërtimit të unazës së Tiranës ka marrë menjëherë përgjigjen e Kryebashkiakut Rama. Sipas tij, Kryeministri po ndërhyn në kompetencat e bashkisë dhe se ndërtimi i unazës nuk është çështje që i përket atij. Duke marrë shembuj nga kryeministrat e vendeve fqinj, Rama tha se Berisha nuk e ka kuptuar ende detyrën e tij.

Mosha dixhitale, Kryeministri kërkon ndihmën e OKB-së

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Kordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Gulden, Turkoz Koslet, ku u diskutua mbi ecurinë e Programit “Një OKB”, ne të cilin Shqipëria u përzgjodh një nga 8 vendet pilote, në janar të vitit 2007. Kryeministri Berisha vlerësoi ecurinë e këtij programi dhe përmendi disa nga arritjet në fusha të rëndësishme si, ngritja e sistemit të Tekonologjisë dhe Informacionit, projekti Brain Gain, mbështetja e sektorit të Arsimit dhe informatizimit të shkollave, si dhe për projektet e Zhvillimit Rajonal, Ekonomik dhe nxitjes së punësimit. Gulden i shprehu Kryeministrit falënderimet për angazhimin e tij personal dhe të qeverisë së tij, në zbatimin e suksesshëm të programit, si dhe theksoi se Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin prioritetet e Qeverisë dhe reformat për integrimin evropian të vendit. Kryeministri ritheksoi se prioritet madhor i Qeverisë që ai drejton, për katër vitet e ardhshme, është dixhitalizimi dhe këtu kërkoi ndihmën financiare dhe ekspertizën e Agjencive të Kombeve të Bashkuara.
Ky lajm është publikuar: 06/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›