E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Evropian debate për bojkotin e opozitës

Autori i Lajmit: Redaksia
Rezoluta e Parlamentit Evropian për Strategjinë e Zhvillimit duhet të përfshijë dhe mungesën e opozitës në Parlament dhe situatën paszgjedhore në Shqipëri. Ky është propozimi i eurodeputetëve të Parlamentit Evropian të cilët kanë diskutuar dje në lidhje me këtë çështje. Eurodeputetja Doris Pak theksoi faktin se opozita duket të kthehet në Parlament. Ndërsa një tjetër deputet, Kristian Vigenin tha opozita duhet të ketë arsye që ka ndërmarrë këtë veprim prandaj është e nevojshme analiza më e plotë e kësaj situate. Megjithatë të dyja palët kanë qenë dakord me faktin se opozita duhet të jetë e pranishme në Kuvend.

Diskutimet

E djathta dhe e majta në Parlamentin Evropian, megjithëse me argumente të kundërt, vlerësojnë njësoj se kriza politike në Shqipëri duhet të përfshihet në rezolutën e parlamentit mbi Strategjinë e Zgjerimit. Dokumenti i Komisionit vlerësonte për Shqipërinë se shumica e standardeve ndërkombëtare u arritën në zgjedhjet parlamentare por pati parregullsi. Forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i funksionimit të duhur të institucioneve shtetërore dhe pavarësia e gjyqësorit mbeten sfidat kyçe për vendin. Komisioni rikujton se është gati për të përgatitur opinionin, nëse Këshilli pranon kandidaturën e Shqipërisë. Por, si strategjia e përpiluar nga Komisioni, ashtu dhe propozimi i kryetarit të Komitetit të Jashtëm, Gabriele Albertini nuk e përmendin situatën politike të krijuar në vend pas zgjedhjeve të qershorit. “Nuk përmendet fare që opozita ka bojkotuar Parlamentin. Në amendament do të kërkoj që ti bëhet thirrje opozitës që të mos rrijë rrugëve, duhet tu themi e të pozicionohemi qartë që opozita ti kthehet Parlamentit në Shqipëri”, - u shpreh eurodeputetja Doris Pak. Ndërsa eurodeputeti tjetër Kristian Vigenin u shpreh se “sigurisht ne mund tu bëjmë apel, por duhet të marrim në konsideratë faktin se nëse ata janë jashtë, mbase kanë arsyet e tyre, ndoshta situata nuk është kaq e thjeshtë, ndaj duhet ta përmendim këtë e të shohim me nga afër situatën atje”. “Nuk mendoj se opozita e një vendi që dëshiron anëtarësimin në BE duhet të qëndrojë jashtë Parlamentit, por në anën tjetër ne nuk duhet ti mbyllim sytë që të mos shohim se ka vërtet një problem atje”, u shpreh Vigenin. Ndërsa për vendet e tjera të rajonit janë përgatitur projekt-rezoluta të veçanta, raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Nikolaos Kountis nuk ishte i pranishëm në këtë debat për arsye shëndetësore. Pak javë më parë Këshilli i Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë miratoi me 60 vota pro përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në procesin e liberalizimit të vizave që do të nisë vitin e ardhshëm. Këshilli i Parlamentit Evropian vendosi që në propozimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, prej fillimit të vitit të ardhshëm, të përmendet dhe Bosnje-Hercegovina e Shqipëria, si dhe fillimi i “udhëtreguesve” për Kosovën. Sa i përket Bosnjë Hercegovinës dhe Shqipërisë, nuk ekziston asnjë datë, ndërsa për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi liberalizimi i vizave duhet të hyn në fuqi prej fillimit të viti 2010. “Grupi i Vishegradit është i gatshëm të promovojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë presidencës së ardhshme të BE-së, përfshirë trajtimin e aplikimeve të tyre për anëtarësim”, - thuhet në deklaratën e ministrave të jashtëm të katër vendeve të BE-së pas takimit në Budapest. Vendet e Vishegradit, janë Republika e Çekisë, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, dhe ato u shprehen të angazhuara ti mbështesin përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky lajm është publikuar: 06/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›