E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për sekuestrot, nën hetim çdo shqiptar

Autori i Lajmit: Redaksia
Kreu i Dhomës së Avokatisë së Tiranës, Fatmir Brraka e ka cilësuar projektligjin Antimafia si antikushtetues. Për avokatin e njohur ajo që shqetëson më shumë është se ky ligj cënon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke futur nën hetim çdo shtetas shqiptar. “Ky ligj bën objekt hetimi çdo qytetar dhe ajo që është më e keqja është se ky ligj e shtrin hetimin deri në brezninë e dytë dhe të tretë”, u shpreh Brraka. Kreu i Dhomës së Avokatisë shpjegon se ligji synon ti japë kompetenca më shumë se çduhet Prokurorisë, e cila është e lirë në bazë të këtij ligji të hetojë çdo shtetas që dëshiron. Sipas avokatit ligji është marrë nga sistemi anglez, por është keqkuptuar nga hartuesit shqiptarë. Në ligjin anglez thuhet se: “futen nën hetim të afërmit e një personi që drejtesia nuk ka arritur ti provojë akuzën e krimit të organizuar, dhe jo çdo shtetas me një pasuri të pajustifikueshme.” Por ndërsa pritet që Parlamenti të miratojë këtë ligj me 70 + 1, avokati thotë se, kushtetuta kërkon tre të pestat e parlamentit, pasi ky ligj prek ligjet themeltare.

Ndryshimet

Lufta kundër krimit të organizuar do të nisë me sekuestrimin e pasurive të të dyshuarve si pjesëmarrës në organizatat kriminale e të inplikuar në krime. Pasuritë e dyshimta do të vihen nën sekuestro që në nisje të hetimeve dhe jo siç ka ndodhur deri më tani, në përfundim të shqyrtimeve gjyqësore në ngarkim të të dyshuarve. Ndërprerja e financimeve nga pasuritë e krijuar në rrugë të paligjshme për grupet kriminele do të jetë dhe strategjia e re për luftën kundër tij. Srategjitë janë hartuar në një projektligj të hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Jashtme.

Projektligji

Në këtë projektligj, parashikohen masa konkrete për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar nëpërmjet zbulimit, identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme të personave të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar. Po kështu përcaktohet edhe një mënyrë e përdorimit të këtyre pasurive. Projektligji është hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë dhe vjen në kuadër të ecurisë së dialogut të liberalizimit të vizave. Projektligji që kërkon shumicë të cilësuar të votave në Kuvend, është hartuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ndërkohë një tjëtër ngërc në luftën kundër krimit mbetet çështja e trafikut të drogës. Ndërkombëtarët rekomandojnë institucionet shqiptare se për të kryer ndryshime në ligj dhe për të garantuar zbatimin eficent të Strategjisë Kombëtare kundër Drogës, duhet të forcohen kapacitetet administrative, veçanërisht nëpërmjet kualifikimit të mjaftueshëm të personelit në të gjitha autoritetet përgjegjëse (dogana, polici etj). Gjithashtu nevojitet sigurimi i pajisjeve më të mira dhe trajnim i vazhdueshëm. Për më tepër duhet të garantohet vazhdimësia e oficerëve policorë që merren me luftën kundër drogës.

Pastrimi i parave

Legjislacioni shqiptar kundër pastrimit të parave duhet të zbatohet më mirë për sa i përket parandalimit, dënimeve, konfiskimeve, sekuestrimeve dhe ngrirjes së aseteve. Kapacitetet e Agjencisë për Administrimin e Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara duhet të forcohen; Njësia e Përbashkët e Hetimit si dhe Njësia e Inteligjencës Financiare duhet të pajisen me mirë me mjete, burime njerëzore dhe financiare të nevojshme. Shqipëria duhet të shtojë kapacitetet e zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave si dhe të shtojë bashkëpunimin me bankat e nivelit të dytë dhe institucionet hetuese shtetërore.

Neni 29

Kur vërtetohet se disa pasuri i janë transferuar apo janë regjistruar në emër të të tretëve, me veprimet juridike afiktive ose të simuluara, gjykata në vendimin që urdhëron sekuestrimin konstaton pavlefshëmrinë e këtyre veprimeve juridike. Për këtë qëllim kur nuk provohet e kundërta prezumohen fiktive ose të simuluara. Transferimet dhe regjistrimet në emër të të tretëve dhe me titull barësor të kryera brenda dy viteve nga kërkesa e masës parandaluese kundër personave të afërm.

Rekomadimet e ndërkombëtarëve

1. Nevojiten masa të mëtejshme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet organeve të ndryshme shtetërore që merren me luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, dhe sidomos ndërmjet autoriteteve gjyqësore dhe policisë. Gjithashtu kërkohet forcim i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar.
2. Duhet të krijohet një “track record“ me rezultate konkrete për sa i përket hetimit, ndjekjes penale dhe dënimeve për çështjet e krimit të organizuar.
3. Duhet të forcohen kapacitetet njerëzore dhe burimet financiare të strukturave relevante administrative në mënyrë që të luftojnë më me efikasitet krimin e organizuar. Më tepër përpjekje kërkohen për zbatimin e planit Anti-trafik; si dhe më tepër kontrolle në kufi për të shmangur trafikimin e femrave dhe fëmijëve.
4. Shqipëria duhet të sigurojë më tepër trajnime për gjyqtarët dhe prokurorët që merren me çështjet e krimit të organizuar.
5. Duhet të krijohen njësi shumëdisiplinëshe kundër krimit të organizuar që të kenë në fokus grupet e organizuara kriminale dhe pasuritë e tyre, si dhe ku kontribuojnë punonjës të policisë, doganave, gjyqësorit dhe të agjencive të kontabilizmit dhe të ardhurave. Është i mirëpritur edhe krijimi i ekipeve të specializuara të Prokurorisë që merren me krimin e organizuar.

Ky lajm është publikuar: 06/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›