E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Papandreut: Thellim marrëdhëniesh për integrimin

“Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e zgjedhjes Suaj Kryeministër të Greqisë, t’Ju përcjell, në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore, për suksese në detyrat e rëndësishme që keni përpara. Jam i bindur se me vizionin dhe platformën Tuaj politike, do t’i ofroni vendit alternativën më efikase për përballimin e sfidave, me të cilat ai përballet, dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të tij, në të mirë të jetës e begatisë së qytetarëve të vendit Tuaj”, shkruan Berisha në mesazhin e tij.

Ai shton se marrëdhëniet politike të dy qeverive dhe vendeve tona janë të shkëlqyera, pasi sipas berishës, këto marrëdhënie janë ngritur në ndjenjat e miqësisë tradicionale ndërmjet dy popujve tanë fqinj e miq.

“Mbështetja që Greqia i ka dhënë, në mënyrë të vazhdueshme, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe procesit të integrimit ne Bashkimin Evropian, është shprehje e shkëlqyer e këtyre ndjenjave dhe e solidaritetit ndërmjet dy vendeve tona e popujve tanë”, vijon Berisha, për të shtuar se Greqia është njëri ndër partnerët kryesorë, ekonomikë e tregtarë, të Shqipërisë dhe investitorët grekë kanë patur histori suksesi në vendin tonë.

“Qeveria shqiptare dhe unë, personalisht, mbetemi tërësisht të angazhuar për t’i çuar edhe më tej këto marrëdhënie, për ta zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat, si në rafshin dypalësh, edhe në atë shumëpalësh, e në veçanti, në kuadër të NATO-s dhe integrimit në BE” , vijon letra e Berishës, drejtuar kryeministrit të sapo zgjedhur të Greqisë Jorgo Papandreu.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›