E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i bregdetit, përftuesit

09/10/2009  Futet në procedura parlamentare projekti që vendos raporte të reja shtet-qiramarrës

Në fillim të 2010-s ALUIZNI nis legalizimin e ndërtimeve në truallin e shtetit

Qytetarët shqiptarë që kanë në pronësi ndërtime në zonat me përparësi turizmin, bregdet ose jo, do të mund të privatizojnë truallin dhe ndërtimet mbi to në fillim të vitit të ardhshëm. Qeveria shqiptar i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë një projekt që synon rregullimin e marrëdhënieve mes pronarit të truallit-shtet dhe subjektit të interesuar-pronar i një sisë së ndërtuar në pronën dhënë me qira personit të stimuluar. Projekti i futur në procedurat parlamentare pritet të shqyrtohet nga legjislativi këtë fundviti. Ai përcakton që, nëse për të njëjtën pronë kanë pretendime dy ose më shumë persona, ALUIZNI, i ngarkuar për çështjen, lidh kontratën e kalimit të truallit në pronësi me personin që paraqet kontratën më të hershme për kryerjen e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale. Mosmarrëveshjet për të drejtat reale zgjidhen nga gjykata përkatëse.

Privatizimi

Subjekti i interesuar dërgon tek ALUIZNI dokumentet që kërkon ligji shoqëruar me kërkesën. Pas kësaj ALUIZNI në bashkëpunim me AKKP-në bën verifikimin e duhur nëse ka pretendime pronësie mbi zonën e stimuluar. ALUIZNI kërkon nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme çregjistrimin e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale mbi një sinë e ndërtimit. Nëse trualli i shitet subjektit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80 % të vlerës së truallit prej subjektit dhe 20 % e kësaj vlere nga personi i stimuluar. Kur dy ose më shumë persona gëzojnë njësinë ose njësitë e ndërtimit brenda së njëjtës zonë të stimuluar, trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme në tërësi. ALUIZNI lidh kontratën e shitblerjes për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, e cila regjistrohet në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërsa trualli i fituar në bashkëpronësi, sipas këtij ligji, nga dy ose më shumë persona nuk lejohet të ndahet. Për sa u takon procedurave të kalimit të së drejtës së pronësisë së njësisë së ndërtimit, ligji i njeh të drejtën mbi njësinë subjektit të interesuar pas fitimit të pronësisë mbi truallin si dhe personit të stimuluar për njësinë e ndërtimit, që e gëzon sipas marrëveshjes së qirasë dhe të zhvillimit. Kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar nuk paraqet kërkesë për kalimin e truallit në pronësi dhe dokumentet sipas përcaktimeve të ligjit, trualli vlerësohet i lirë dhe kalon për llogari të kompensimit fizik të ish-pronarëve.

Njësitë e paregjistruara

Në rastin e njësive të ndërtimit të paregjistruara në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ALUIZNI përfundon procesin e regjistrimit fillestar të tyre. Për këtë qëllim ALUIZNI ndjek procedurat e legjislacionit në fuqi për urbanistikën dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, kur për njësinë e ndërtimit është dhënë leja e ndërtimit; zbaton procedurat e legjislacionit në fuqi për legalizimin e ndërtimeve informale.

Procedura

Subjekti i interesuar si dhe çdo person i stimuluar që gëzon njësi ndërtimi brenda zonës së stimuluar duhet të paraqesë pranë ALUIZNI-t brenda 60 ditëve pas njoftimit publik një listë dokumentesh, si: kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, kontratën e lidhur me personin e stimuluar, marrëveshje të qirasë apo zhvillimit, tapinë, planimetrinë etj.

Kush përfiton

Subjekti i interesuar ose personi stimuluar ka të drejtë të kërkojë blerjen e truallit të njësisë së ndërtimit, të cilën provon se e gëzon në bazë të dokumenteve të paraqitura në respektim të ligjit. Çmimi truallit që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar është në proporcion me sipërfaqen e tij në funksion të njësisë së ndërtimit që ai gëzon.

Procedura e përllogaritjes së çmimit të truallit

Personat e stimuluar s’u shpëtojnë tatimeve të papaguara

Çmimi i truallit të njësive të ndërtimit brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Çmimi i truallit reduktohet: a) në masën 10 për qind, nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim, sipas nenit 10 të këtij ligji; në masën 20 për qind, nëse paguhet brenda 1 muaji nga data e njoftimit me shkrim. Të ardhurat e realizuara nga zbatimi i këtij ligji, me përjashtim të tarifave dhe të tatimeve, i transferohen buxhetit të shtetit për të kaluar në fondin e kompensimit financiar, të parashikuar nga ligji nr .9235, datë 29.07.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", i ndryshuar, për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pas këtij transferimi Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e vendimit vjetor për rregullat dhe kriteret për trajtimin e vendimeve të kompensimit financiar bazohet edhe në parimin e kompensimit financiar më të parë të subjekteve të shpronësuara, të prekura nga zbatimi i këtij ligji. Në procesin e privatizimit ka rolin e saj të pazëvendësueshëm edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe organet e qeverisjes vendore, që përllogaritin dhe mbledhin tatimet e prapambetura, nëse ka, nga personi i stimuluar. Ky i fundit për të gjitha njësitë e ndërtimit të shitura përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas kontratës së lidhur me personin blerës, i nënshtrohet shkallës tatimore për tatimet e papaguara, sipas legjislacionit në fuqi në datën e realizimit të kontratës së shitjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›