E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austria mbështetëse e integrimit të Shqipërisë në BE

09/10/2009  Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, pret homologun austriak Mihael Shpindeleger

Për Metën aplikimi për statusin do të shqyrtohet në kohën më të parë

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Mihael Shpindeleger, ka deklaruar mbështetjen e vendit të tij në procesin integrues të Shqipërinë në Bashkimin Europian. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar, ministrin e Jashtëm Ilir Meta, mbajtur pas takimit kokë më kokë në zyrën e ministrit Meta, Shpindeleger tha se mendohet që Shqipëria dhe disa vende të tjera ballkanike po bëjnë një punë të mirë për të arritur drejt këtij qëllimi. Sipas tij, Shqipëria ka bërë një përparim të madh si në prodhimin e pasaportave biometrike, luftës kundër kriminalitetit etj. Por ai theksoi se mbetet ende për të bërë, me qëllim hyrjen e Shqipërisë sa më shpejt në BE. Duke iu referuar liberalizimit të vizave, ministri austriak tha se Shqipëria ka bërë hapa përpara, por ky proces monitorohet ngushtë nga Komisioni Europian dhe sa më shpejt të ecë Shqipëria me standardet që duhet të përmbushë, aq më shpejt do të mund të realizohet ai. Lidhur me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE diplomati austriak theksoi se Austria është në favor të faktit që Shqipëria duhet të mbështetet dhe të trajtohet si çdo vend tjetër, porse parakushti është stabiliteti politik dhe klima e konsensusit. Nga ana e tij ministri shqiptar Ilir Meta u shpreh optimist se aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE do të shqyrtohet në kohën më të parë nga ana e Komisionit Europian. “Besoj se aplikimi ynë për statusin e vendit kandidat do të shqyrtohet në kohën më të parë dhe të gjitha vendet do të japin konsensusin e tyre, duke e trajtuar atë si një çështje procedurale”, - tha ai. Sipas tij, këtu bëhet fjalë për procedura dhe jo për vullnetin që vendet e BE-së i japin aplikimit të Shqipërisë. Ndërsa për sa i përket liberalizimit të vizave, Meta u shpreh se vendi ynë ka bërë progres në disa tregues të kërkuar, ndërsa ka detyrime që janë në proces, “me qëllim që të plotësojmë në kohë të gjitha kërkesat e Udhërrëfyesit”. I pyetur nga mediet austriake në lidhje me çka është përfolur ditët e fundit dhe që u anatemua nga ministri i Jashtëm rus Sergiegi Lavrov për krijimin e së ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”, Meta tha: “Çdo keqdashje lidhur me jehonën që iu bë në mënyrë të pavërtetë qëndrimeve të caktuara, nuk ka asnjë bazë reale. Mesazhi i kryeministrit Berisha gjatë vizitës së fundit në Kosovë ka qenë jashtëzakonisht konstruktiv dhe evropian”, - tha ai. Ministri Meta, i pyetur mbi qëndrimet e opozitës, ka deklaruar se kërkesat e parashtruara t’ia paraqesë në Parlament dhe qeveria ka vullnetin për t’i shqyrtuar dhe t’i zgjidhë ato kur nuk cenojnë sistemin kushtetues dhe pavarësinë e drejtësisë. Lidhur me situatën politike në Shqipëri ministri austriak theksoi se çështje kaq thelbësore si integrimi i vendit “duhet të jetë një mendim i vetëm që t’i komunikohet publikut të gjerë”.

Takimi me Presidentin Topi

Presidenti Bamir Topi në takimin me ministrin austriak Mihael Shpindeleger ka shprehur angazhimin e plotë institucional për intensifikimin e marrëdhënieve, duke vënë në pah rëndësinë e liberalizimit të regjimit të vizave. Ministri Shpindeleger deklaroi mbështetjen e Austrisë në drejtim të integrimit të vendit tonë në BE. Gjithashtu ministri i Jashtëm Shpindeleger ka zhvilluar po dje një takim edhe me kryeparlamentaren Jozefina Topalli.

Takimi me Kryeministrin Berisha

Kryeministri Sali Berisha priti ministrin e Jashtëm austriak Michael Spindelegger, të cilin e falënderoi për ndihmën që Austria i ka dhënë vendit tonë. Berisha theksoi se qeveria shqiptare e ka parë gjithmonë procesin e integrimit në BE dhe stadet e tij si një proces të bazuar mbi performancën dhe po punon për përmbushjen e të gjitha standardeve. Spindelegger e garantoi se Austria do ta mbështesë Shqipërinë në hapat e mëtejshëm për anëtarësimin në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›