E Diel, 1 Nëntor 2026

Skadon afati, nuk shqyrtohen kandidaturat e Topit

GJYKATA E LARTË

Kuvendi ka kaluar dje limitin e përcaktuar për shqyrtimin e emrave të tre gjyqtarëve të propozuar nga Presidenti i Republikës. Ligori: Berisha do të kontrollojë institucionet. Halimi: U vonuam, sepse po verifikojmë pastërtinë e figurës


TIRANË - Afati ligjor për shqyrtimin e kandidaturave të presidentit Topi për tre anëtarët e Gjykatës së Lartë mbaroi dje, por Kuvendi ende nuk ka përfunduar procedurën për shqyrtimin e tyre.


Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, Dhoma e Avokatisë, Avokati i Popullit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kanë dorëzuar vetëm dje, rreth orës 10:00, në Sekretarinë e Komisionit të Ligjeve, dokumentacionin përkatës.


Sipas rregullores së Kuvendit, kandidaturat duhet të shqyrtohen brenda tri javëve në Komisionin e Ligjeve, por kjo gjë nuk ka ndodhur.


Në nenin 111 pika 6 e rregullores së Kuvendit thuhet se, në rastet kur në Kushtetutë parashikohet pëlqimi nga Kuvendi, kryetari ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tri javëve.


Shkak për shtyrjen e shqyrtimit të kandidaturave të tre gjyqtarëve për në Gjykatën e Lartë është bërë edhe mungesa e disa deputetëve të djathtë, që ndodhen në Strasburg.


Dekretet e presidentit kanë ndezur debate midis dy forcave politike. Deputetja Shegushe Ligori, njëherësh anëtare e Komisionit për Çështjet Ligjore shprehet: "shkak për vonesën e shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve është bërë edhe qëndrimi i mazhorancës për mënyrën e votimit të dekreteve".


Sipas deputetes Ligori, tentativa e mazhorancës për të ndryshuar rregulloren, duke ndryshuar mënyrën e votimit nga votim i fshehtë në votim të hapur, tregon frikën e saj për numrin e kartonëve në parlament.


"Mazhoranca kërkon që të marrë nën kontroll Institucionet e pavarura.


Është e qartë që shumica nuk niset nga dëshira për të vendosur parime të transparencës së procesit. Qëllimi i vetëm i Sali Berishës dhe shumicës që ai drejton është nënshtrimi i gjyqësorit, cenimi i pavarësisë dhe paanësisë së tij dhe emërimi në këto institucione i kandidaturave tejet të politizuara e aspak profesionale, të kontrolluara nga pushteti", - u shpreh deputetja socialiste, Ligori.


Nga ana tjetër, afati i vendosur në rregullore duket se nuk ka asnjë fuqi juridike, pasi nuk parashikohet asnjë sanksion në rast se shkelet.


Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi, deklaroi: "shkak për shtyrjen e shqyrtimit të kandidaturave është bërë mungesa e informacioneve nga institucionet, të cilat do të hetonin pastërtinë e figurave të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, si dhe mungesa e disa deputetëve të djathtë në Komision".


Halimi shpjegoi se anëtarët e Komisionit të Ligjeve do të marrin në shqyrtim dokumentacionin e tre kandidatëve Mehdi Bici, Vexhi Muçmata e Sokol Çomo dhe brenda dy ditëve do të nisë seanca e dëgjimit të tre kandidaturave në Komision.


Mungesa e deputetëve, shtyhet "falja e presidentit"


Mungesa e deputetëve të djathtë, duke përfshirë edhe kreun e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ka bërë që të shtyhet edhe miratimi në Komisionin e Ligjeve i "Ligjit për falje" të Presidentit të Republikës.


Në fakt, ky ligj u miratua parimisht më 8 qershor, por miratimi i tij në tërësi u pengua, pasi deputetët socialistë kërkuan kohë për të paraqitur disa amendamente që forcojnë kriteret dhe kategoritë e të dënuarve që përfitojnë nga ligji për faljen. Një tjetër kundërshtim i opozitës ka të bëjë edhe me kompetencat e presidentit.


Sipas ligjit aktual, Presidenti i Republikës ka të drejtë ekskluzive të merret me procedurën dhe faljen e të dënuarve, ndërsa me ndryshimet e fundit do të jetë edhe Ministria e Drejtësisë që do ta ketë këtë të drejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›