E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Parkun Kombëtar tek Rruga e Elbasanit po e shkatërrojnë fadromat e ish- deputetit të PS

Share

Kryeministri ndjehet gjithmonë i lumtur kur e bën pis opozitën me skandalet e tij. Kësaj here vetëm qeshte me faktin se fadromat që po shkatërrojnë Parkun Kombëtar të liqenit ishin të një ish- deputeti të PS

Kryeministri Sali Berisha foli në mbledhjen e qeverisë sot për punësimin. Berisha tha se ndryshe nga sa po ndodh në Europë e në botë, ku papunësia është në rritje, në Shqipëri papunësia është në ulje progresive.

Kryefjalë e kësaj mbledhje është dhe do të mbetet krijimi i vendeve të punës si një nga qëllimet më madhore, për të mos thënë më kryesori i të gjithë reformave tona. Sot beteja për vendet e punës është beteja më kryesore që zhvillohet në Europë dhe në botë. Në Shqipëri dy raporte më serioze ndërkombëtare faktojnë se papunësia jo vetëm nuk është rritur, por ka njohur ulje progresive, tha Berisha.

Reformat kanë bërë të mundur që Shqipëria të tërheqë për të tretin vit radhas mbi një miliard dollarë investime të huaja.

E gjithë axhenda e ministrive tuaja duhet të riformulohet në përputhje më këtë interes jetik siç është punësimi. Ftoj opozitën të heqë dorë nga sulmet ndaj investitorëve apo nga paralajmërimet kundër koncesioneve apo privatizimeve. Sulmi në bllok ndaj investimeve të huaja dhe iniciativës së lirë është jashtëzakonisht kundërproduktiv, vijoi kryeministri.

Berisha foli edhe për vendimin që do marrë qeveria për shtimin e fondeve për rrugën Levan- Vlorë, ndërsa ftoi opozitën të bëjë transparencë për shpenzimin e fondeve.

Pas dështimit të referendumit kundër importimit të mbetjeve, Berisha tha se shoqëria civile do ketë një sistem monitorimi për të gjitha importet e mbetjeve.

Të përcaktojë cilindo mekanizëm që dëshiron për transparencën e plotë të çdo lënde që hyn në Shqipëri si mbetje, tha Berisha.

Berisha u ndje i lumtur kur foli për shkatërrimin e Parkut Kombëtar të liqenit për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit. Shkak u bë fakti se sipas Berishës, firma e kontraktuar për të shkatërruar Parkun qenka e një ish- deputeti të PS.

Nuk mund të mos them që kishte të drejtë Lubonja për atë që i ndodhi në Rrugën e Elbasanit, e fitoi firma e ish-deputetit të PS. Shkuan bënë luftë me fadromat e tij. Të mos krijohet asnjë lloj përshtypje, asnjë dyshim dhe unë po të isha në shoqëri civile do të kisha dyshime. Të mos krijojmë ngjashmëri që rrisin shkallën e dyshimit. Shoqëria civile e kësaj fushe ka dhënë kontribute të mëdha. Ka folë për mjedisin, kur të tjerat bënin batërdinë me mjedisin, tha Berisha.

Kryeministri shprehet gjithmonë i lumtur kur e tërheq opozitën në batakun e pisllëqeve të tij.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›