Arrihet MARREVESHJA për reformën zgjedhore. Kryetari i KQZ do zgjidhet me konkurs
(E PERDITESUAR)- Ekspertët e Komisionit për Reformën Zgjedhore kanë arritur konsensusin për çështjet e mbetura pezull, duke i dhënë kështu fund reformës në limitet e kohës.
Mësohet se është rënë dakord për riformatimin e KQZ-së në shtator të këtij viti.
Po ashtu dy anëtarët e KQZ kanë të drejtë të kërkojnë transparencën e materilave zgjedhore, një çështje që ndezi zgjedhjet e vitit 2009.
Në zgjedhjet e 2013, në qarkun e Tiranës do të aplikohet identifikim elektronik i votuesve, ndërsa në qarkun e Fierit do të aplikohet numërimi elektronik i votave.
Me shumë kuriozitet ishte pritur mënyra se si do formulohej zgjedhja e kryetarit të KQZ.
Burimet bëjnë me dije se ai do zgjidhet me konkurs me mandat katërvjeçar.
Gjithkush që mendon se plotëson kriteret e mëposhtme, do të dërgojë kandidaturën e tij në Komisionin e Ligjeve. Ky i fundit do të përzgjedhë dy kandidatura me shumicë të cilësuar. Të dy kandidaturat do të shkojnë në Kuvend. Aty emri do të votohet me shumicë të thjeshtë.
Përbërja e KQZ-së
1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga 7 anëtarë.
2. Anëtar i KQZ -së mund të emërohet çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili përmbush këto kritere:
a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç;
b) të jetë me arsim të lartë;
c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet pune,të paktën në një nga fushat e mëposhtme:
i) në fushën e së drejtës;
ii) në administratën publike;
iii) në administrimin e zgjedhjeve
iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike;
ç) të mos jetë i dënuar penalisht;
d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;
dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit;
e) të mos ketë shërbyer në 5 vitet e fundit si pjestar në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.
Zgjedhja e kryetarit
Lista e kandidatëve i kalon komisionit të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve. Në këtë listë nuk mund të përfshihen ose nëse janë përfshirë përjashtohen, kandidatët e propozuar sipas shkronjës a të pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. Komisioni i shqyrton kandidaturat në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Pas verifikimit të kritereve zbatohet procedura si më poshtë:
a) komisioni përzgjedh për t’iu paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të komisionit, por jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Kur shumicën e cilësuar e gëzojnë më shumë se dy kandidatë, në votim paraqiten dy kandidatet që gëzojnë mbështetjen më të madhe. Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë;
b) nëse shumicën e cilësuar sipas germës “b” nuk e gëzojnë së paku dy kandidatë, komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit pas zbatimit të germës “a”;
c) kur gjatë zbatimit të germës a dhe b dy apo më shumë kandidatë gëzojnë të njëjtën mbështetje përzgjedhja e tyre bëhet me short.
ç) përfaqësuesit e pakicës parlamentare në komision përjashtojnë dy nga kandidatët e përzgjedhur sipas germës b. Kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim.
d) Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.
