E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Parlamenti bëri histori”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ligji kaloi vetëm me votat e demokratëve, republikanëve si dhe një pjese të deputetëve të grupit të “Qendrës”, të cilët janë pa parti. Dy votat kundër kanë qenë të deputetëve të po këtij grupi, Durim Hushi dhe Bukurosh Stafa. Ndërsa vota abstenuese erdhi nga deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule”

Kryeministri Sali Berisha vlerëson vendimin e Kuvendit për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve. Berisha e ka konsideruar atë një fitore historike mbi krimin politik. “Parlamenti dje ka bërë histori”, - tha Berisha nga Kalimashi ku inspektoi vazhdimin e punimeve në rrugën Durrës-Kukës. Sipas tij, ligji është i vonuar, por i domosdoshëm, për të hapur. Ndërkohë që gjatë seancës plenare të ditës së hënë, Kryeministri në fjalën e tij u shpreh se ligji i dosjeve nuk është ligj për hakmarrje, por ligj për t i dhënë drejtësi së shkuarës. Parlamenti votoi dje me 74 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim ligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.
Deklarata
“Vota dje në Parlament është një fitore historike e shqiptarëve mbi krimin politik. Ajo është një fitore historike dhe shqiptarët do të mund të shohin tani drejt korridorit të tyre, drejt vlerave të demokracisë, do të mund të shohin drejt integrimit. Unë mendoj se Parlamenti shqiptar dje ka bërë histori”, - theksoi Kryeministri gjatë inspektimeve të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kuvendi miratoi dje ligjin për hapjen dosjeve, pavarësisht vërejtjeve të ndërkombëtarëve dhe kundërshtimeve të forta të opozitës, e cila braktisi seancën duke mos marrë pjesë në votim. Ligji kaloi vetëm me votat e demokratëve, republikanëve si dhe një pjese të deputetëve të grupit të “Qendrës”, të cilët janë pa parti. Deputetët e Grupit të “Qendrës”, që votuan pro draftit janë Paulin Stërkaj, Pashko Ujkaj, Durim Lamaj, Flori Bajramaj dhe Alfred Gega, ndërsa dy votat kundër kanë qenë të deputetëve të po këtij grupi, Durim Hushi dhe Bukurosh Stafa. Ndërsa vota abstenuese erdhi nga deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Mazhoranca qeverisëse nuk ka qenë unike gjatë votimit të këtij projektligji. Demokristianët kanë bojkotuar votimin për këtë projektligj, duke treguar kështu qëndrimin e kundërt me PD-në. Gjithashtu, në këtë votim nuk morën pjesë as dy deputetët Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli. Ndërsa ka rënë në sy mungesa e ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli. Të gjithë deputetët e opozitës nuk morën pjesë në këtë votim, duke treguar një qëndrim në unison për këtë çështje. Kreu i Qeverisë pohoi gjatë seancës plenare të ditës së hënë se ligji i dosjeve nuk është ligj për hakmarrje, por ligj për t i dhënë drejtësi së shkuarës. “Opozitarët mungojnë, sepse nuk flasin dot, nuk shtypin dot butonin, sepse i shoqërojnë dhjetëra-mijëra viktima të së shkuarës. PS-ja nuk ka kërkuar kurrë ndjesë për viktimat e komunizmit. Nuk mund t i iket në këtë mënyrë historisë, o burracakë dhe frikacakë. Opozita fshihet njësoj si dosjet”, - tha ai. Sipas Sali Berishës, ligji i dosjeve legjitimon bazën, prejardhjen e opozitës, lidhjen e tyre me mijëra fije me aparatë të kobshëm të diktaturës, që e shndërroi Shqipërinë në vendin e dhunës më mizore. Ndëkohë që drafti është kundërshtuar ashpër nga opozita. Nënkryetari i LSi-së, Pëllumb Xhufi, në fjalën e tij në seancë është shprehur se ky ligj ka ardhur në një kohë të papërshtashme dhe për të goditur politikisht. “Nuk është rasti i këtij projektligji, ai vjen në një kohë të papërshtashme. Ky ligj ka pasur kontestime të shumta. Gjithashtu është një projektligj i cili synon të godasë politikisht institucionin e Prokurorisë dhe Gjykatës, të cilët janë të angazhuar në zgjidhjen e disa çështjeve madhore që kanë të bëjnë me korrupsionin”, - ka thënë Xhufi. Ndërsa nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, ka pohuar se ligji nuk ka për qëllim transparencën, nuk dënon diktaturën e komunizmit, por mbron diktaturën e korrupsionit. Ai është shprehur se drafti për ligjin e dosjeve ka reflektuar shqetësim edhe tek ndërkombëtarët. Tashmë mazhoranca është në pritje të vendimit të Kreut të Shtetit për këtë draft. Kthimi i Kodit Zgjedhor, i cili kaloi me konsensus shumë më të madh dhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve, ka shtuar frikën e të djathtëve se dhe ligji për hapjen e dosjeve do të pësojë të njëjtin fat. Dy ditë më parë Bamir Topi paraljamëroi mundësinë për kthimin e draftit, kur pohoi se qëndrimi i tij do të shprehet me anë të dekretit. Topi, edhe pse mbështet hapjen e dosjeve, gjatë mbajtjes së postit të Presidentit ka treguar se ka kthyer çdo draft që ka qenë në shkelje të Kushtetutës, çka të çon në përfundimin se dhe ky ligj mund të mos dekretohet për shkak të shkeljeve kushtetuese të pohuara nga ndërkombëtarët.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›