E Diel, 1 Nëntor 2026

Jepen 1.5 milionë euro për furnizimin me ujë

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi dje në emër të qeverisë shqiptare marrëveshjen e kredisë prej 1.5 milion euro për finacimin e projektit “Programi Rural i Furnizimit me Ujë të Zonave Rurale - Faza 2”, financuar nga KfË. Ky projekt, i cili do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka për objektiv sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm sasior dhe cilësor me ujë të pijshëm të popullsisë së qarqeve Dibër, Kukës dhe Shkodër. Ministri falenderoi përfaqësuesit e KfË për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë qeverisë shqiptare për realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore. Burime nga ministria e Financave bëjnë të ditur se kredia është me terma të buta në shumën e 1.500 000 euro, maturimi është për 30 vjet, periudha pa pagesë principali është 10 vjet dhe interesi 2% në vit. Kosto e parashikuar e projektit është 1.785 milion euro, ku 1.5 milion euro financohen nëpërmjet kësaj kredie dhe pjesa tjetër janë kontribut vendor prej 285 mijë euro. Fondi Shqiptar i Zhvillimit me mbështetjen e një konsulenti ndërkombëtar të specializuar për Ujësjellësat Rurale, do të aplikojë kriteret sociale, teknike dhe financiare të këtij Programi për identifikimin dhe seleksionimin e komunave / fshatrave, do te menaxhojë anën financiare duke përfshirë edhe kontributet fillestare te përfituesve dhe komunave respektive, si dhe do te monitorojë prokurimin, projektimin, zbatimin, operimin dhe mirëmbajtjen e skemave të financuara të ujësjellësave në zonat e përzgjedhura. Sipas te njejtit burim, fondet do të transferohen në FSHZH në formën e grantit nëpërmjet një marrëveshje transferimi që do të lidhet për këtë qëllim midis Ministrisë së Financave dhe FSHZH.

Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›