E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pas 13 vjetësh, letrat me vlerë do i përdorim në privatizime

Nga Armand Maho

Pas 13 vitesh që nga shpërndarja e tyre, qeveria shqiptare ka kthyer vëmendjen te letrat me vlerë, të shpërndara në vitin 1995 për privatizimet. Kryeministri, Sali Berisha, u shpreh dje në mbledhjen e qeverisë se ishte faji i rebelimit komunist, siç i quajti trazirat e vitit 1997, që i bëri ato inekzistente, pasi, sipas asaj që tha kryeministri, ato u shpërndanë me qëllim shpërndarjen e pasurisë kombëtare te qytetarët. “Në vitin e emetimit të tyre, për arsye jo të qëndrueshme, por më shumë si një jehonë, ato imituan lekët e privatizimit, ndërkohë që lekët e privatizimit, faktikisht, ishin lekë me destinacion privatizimin dhe që do të dëmshpërblenin ditën e vuajtjes në burg, në përputhje me ligjin e kohës. Bonot e privatizimit në asnjë vend dhe në asnjë rast nuk janë cilësuar si lekë. Sidoqoftë, ne duhet të fillojmë të hapim siparin e përdorimit të tyre”, - u shpreh kryeministri. Sipas kryeministrit, nga e drejta e parablerjes së objekteve shtetërore me letra me vlerë do të përfitojnë dhe ish- pronarët. “Fillimi i procedurave, monitorimi, eksperienca e krijuar do të na mësojë për hapin e dytë, të tretë e të katërt e me radhë. Askush nuk mund të mendojë sot, se ato janë lekë. Ato janë letra me vlerë, të cilat ne nuk i mohojmë. Qeveria ime ka zgjatur afatin e përdorimit të tyre dhe sërish do ta zgjasim afatin, por do të studiojmë edhe të gjitha mënyrat për përdorimin e tyre në mënyrë të proporcionuar”, - tha Berisha.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur po përfundon mandati i kësaj qeverie dhe kur kanë mbetur shumë pak objekte për t’u privatizuar. Letrat me vlerë, dhe në kohën kur u shpërndanë, kishin shumë pak hapësira për t’u përdorur dhe në atë kohë konvertoheshin vetëm me 7 për qind të vleftës së tyre, sot kjo përqindje është shumë herë më e ulët. Letrat me vlerë, në një pakicë të tyre diku nga viti 1996, u përdorën në privatizime, ndërsa pas këtij viti të gjitha privatizimet strategjike u kryen me pará në dorë. Kjo vazhdoi dhe përgjatë viteve të qeverisjes së dytë të PD, ku u kryen privatizime të tilla si ARMO, Albtelekom, OSSH etj. Ende nuk dihet se në ç’vend do të mund t’i përdorin këto letra qytetarët që ende i ruajnë apo ish-të përndjekurit, por diçka është e qartë, hapësirat janë ngushtuar së tepërmi dhe përdorimi i këtyre letrave me vlerë në shumicën e tyre është bërë i pamundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›