PS: Lekët e privatizimit të ARMO-s të shkojnë te buxheti për drejtësinë
Socialistët reaguan dje në lidhje me kërkesën e Berishës për vazhdimin e reformës në drejtësi. Ata thanë se, nëse nuk përmirësohet ndjeshëm mbështetja financiare që i jepet organeve të drejtësisë nga buxheti i shtetit, atëherë nuk mund të flitet për reformë në drejtësi.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, tha dje se shifrat që ka parashikuar kjo qeveri gjatë tre viteve në buxhet për drejtësinë, të marra së bashku, nuk arrijnë atë të buxhetit socialist të vitit 2005.
“Është e pamundur që ne të kemi një infrastrukturë të shëndetshme të sistemit të drejtësisë në vend, nëse i referohemi investimeve të tre katër viteve te fundit. Investimet e alokuara nga buxheti i shtetit për vitet 2006, 2007, 2008 të marra së bashku mezi kalojnë nivelin e shifrës të vitit 2005. Ndërsa parashikimi për vitin 2009 nuk është as sa 70% e vitit 2005.
Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë kanë parashtruar një sërë problematikash serioze në funksion të nevojës për një mbështetje më të mirë buxhetore lidhur me kërkesat e tyre të argumentuara”, - tha Xhafaj. Sipas tij, këto kërkesa, që synonin krijimin e mundësive për zbatimin e detyrës nga organet e drejtësisë, janë refuzuar.
PS ka bërë dhe propozime për daljen nga kjo gjendje. “Të përcaktohet një nivel minimum i përqindjes që duhet të zënë fondet buxhetore për sistemin e drejtësisë, përfshi këtu edhe Ministrinë e Drejtësisë), që në total kjo shifër duhet të jetë jo më pak se 1 për qind (Propozim i Paktit Kombëtar për Drejtësinë).
Mbrojtja e ka 2 për qind, drejtësia të paktën 1 për qind. T'i jepet buxhetit të institucioneve të drejtësisë dhe veçanërisht Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Zyrës së Administrimit të Buxhetit të Gjyqësorit (ZABGJ), Prokurorisë së Përgjithshme (PP) dhe Shkollës së Magjistraturës (SHM), mbështetja e kërkuar buxhetore lidhur me shpenzimet operative që fokusohen te prioritetet e përcaktuara, si dhe fondi i kërkuar për investimet të paktën sipas parashikimit të bërë nga Programi i Buxhetor Afatmesëm”, - tha Xhafaj. Ai shtoi se socialistët propozojnë dhe mënyrën si do gjenden këto fonde.
“Nga shkurtimi i abuzimeve me fondet buxhetore që i akordohen segmentit Rrëshen-Kalimash. Buxheti për këtë rrugë kap mbi 90% të buxhetit të investimeve për vitin 2009!!
Nga shkurtimi i buxhetit për qeverinë dhe ministritë e linjës, të cilat mund të zëvendësohen nga kursimet e sjella nga lufta antikorrupsion me shtesën e buxhetit të vitit 2009. Nga shuma që do të derdhet në buxhet nga privatizimet e ndryshme (si p.sh., privatizimi i kompanisë ARMO), fond i cili nuk është përfshirë në shifrat e dhëna në këtë projektbuxhet”, - tha sekretari socialist.