E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhin më shumë, por ama punojnë më shumë

Nga Mero Baze

Ka pas një fjali legjendare në fillim të viteve 2000 në Tiranë, kur opozita e atëhershme, tani në pushtet, akuzonte qeverinë se po abuzonte me fondet publike. Media qeveritare e asaj kohe (kryesisht TV “Klan”), ulte dhe ngrinte si argument faktin që Rama dhe Meta vërtet mund të bënin ndonjë abuzim, por ama punonin. Dhe kur Olldashi ngrinte komision hetimor për Ramën, ky i fundit shkonte aty me megafonë dhe projektorë që të tregonte godinat e lyera apo rrugët e shtruara. Kur Berisha ngrihej kundër Metës, ky i fundit vraponte e përuronte nga dy herë radhazi ndonjë urë në Rrogozhinë apo mbikalim në Sukth.

Tashmë që debati është përqendruar te hetimi i hollësishëm i Prokurorisë së Përgjithshme për dosjen Rrëshen- Kalimash, qeveria po përpiqet ta kthejë atë në debat politik dhe të mbrohet me teza të vjetra.

Prokuroria ka renditur së paku 20 shkelje ligjore, të cilat çojnë në formulimin e së paku tri akuzave shumë të rënda për ministrin Basha dhe këshilltarin e tij juridik, Andi Toma, sot drejtor i Drejtorisë së Rrugëve.

Thelbi i akuzës është procedura e paligjshme e prokurimit, e bazuar në një vendim qeverie, i cili bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe kompetencat e qeverisë. Nga kjo procedurë ka buruar një çmim anormalisht i lartë për ndërtimin e rrugës dhe procedura të parregullta prokurimi, për shkak të paravendosjes së sipërmarrësve në fushën e konsultimit dhe zbatimit të projektit.

Po përse Berishës i intereson që ky hetim të quhet politik?

I intereson, se ai e di që do të rezultojë me koka turku dhe do që ata t’i mbrojë politikisht. Hetimi në fakt ka nisur nga një denoncim që ka bërë në prokurori vetë i pandehuri Lulzim Basha. Zoti Basha ka denoncuar për shpifje një ish-zyrtar të tij, Arben Meçen, dhe prokuroria, pasi ka hetuar denoncimin, ka gjetur vepër penale në atë çfarë ka thënë ish-zyrtari dhe ka nisur procesin penal. Kryeministri ka deklaruar publikisht se ai qëndron pas diktimit të gjithë procedurës së këtij tenderi. Por realisht hetimet nuk nxjerrin që zoti Berisha të jetë përgjegjës për këtë çështje. Pra ai thjesht abuzon duke bërë rolin e trimit në këtë histori për ta kthyer në debat politik, dhe jo juridik.

Por ana më e shëmtuar e kësaj historie është një përpjekje për të bërë marrëdhënie publike në favor të qeverisë me këtë histori korrupsioni. Rruga Durrës- Kukës është një vepër e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe si e tillë ajo duhet të jetë shumë transparente. Në momentet aktuale, ajo është një investim i izoluar, pasi mungon rruga nga Kosova dhe rruga nga Miloti për në Durrës, por në të ardhmen vlera e saj do të shumëfishohet. Nxitimi për ta bërë atë segment super të shtrenjtë me procedurë ekstra, është i pajustifikuar dhe nuk mund të mbulohet me madhështinë apo aftësinë inxhinierike të kompanisë “Bechtel”. Shqipëria e ka kaluar atë fazë, kur njerëzit gënjehen me vepra publike si dhuratë nga qeveria. Paratë që janë harxhuar aty janë lekë të qytetarëve shqiptarë dhe ata duhet të dinë deri në fund se çfarë bëhet me ato. Përpjekja e qeverisë për të mbuluar me arsye patriotike një abuzim të mundshëm financiar, është e rrezikshme. Por dhe më e rrezikshme për kryeministrin Berisha është se ka huazuar rivalin e tij, Edi Rama, të disa viteve më parë.

Në vitin 2003, kur ish-deputeti Olldashi drejtonte një komision hetimor ndaj abuzimeve të mundshme të Ramës në rrugët e Tiranës, ky i fundit i tregonte rrugët e bukura si argument. Qeveria e asaj kohe filloi të mbrohej me parullën “Vjedhim, por dhe punojmë”. I njëjti refren po përsëritet sot nga qeveria. Ajo akuzon ata që ngrenë zërin për shpërdorime të mundshme dhe thotë se e rëndësishme është rruga dhe jo sa është harxhuar për të. Ky është një imitim i keq i kundërshtarit të tij të disa viteve më parë. Me ndryshimin se pjesa e mundshme e abuzimit në këtë histori është dhjetëra herë më e lartë se gjithë rrugët që ka bërë Edi Rama. Është e vërtetë se tani po punohet më shumë dhe po vidhet më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›