Flamuri, i zhgënjyer nga Basha
Antena brenda familjes
Më në fund Flamuri është disidenti i parë kundër Bashës. Dje ai i foli hapur “Antenës” për problemet që ka Basha me PD dhe qeverinë, dhe mbrojtjen që i bën ai burri. I nxehur ishte sidomos me faktin se Basha këtë punë e paska bërë gjithmonë.
Njoftimi i Komisionit Evropian se Shqipëria mund të përfitojë nga liberalizimi i vizave vetëm në vitin 2010, ishte një telash i ri për Flamurin. Pika kryesore mbi të cilën ai burri kishte mbështetur fushatën ishte heqja e vizave para zgjedhjeve. Vetë Flamuri, me thënë të drejtën, nuk e besonte, po ai Lul Basha ia bënte shesh me lule atij burrit sa herë takoheshin dhe Flamuri filloi ta besonte.
- Na e bëri njësoj si me rrugën Durrës-Kukës, - tha. - I thoshte atij burrit çdo ditë, fola me Bankën Botërore, fola me FMN, janë të gjithë dakord, do na japin pará për rrugën. Fluturonte ai burri. Kur erdhi Banka Botërore në Konferencë Donatorësh për rrugën dhe ia plasi që nuk japim asnjë lek. Desh e vrau ai burri, po ia hodhi Luli prapë. I tha: “Më duket se u nxeh ajo grekja, se kisha vizatuar një vijë të kuqe unë në hartë, Tiranë- Prishtinë. Dhe më tha ajo grekja: “Ti je nacionalist, ne s’të japim lekë për rrugën”. Më fal doktor, e bëra këtë”, - i tha. E hëngri ai burri dhe e fali. Në fakt mashtronte, se nuk kishte fol fare me ata.
Kështu ia bëri dhe me vizat. Fola me Fratinin, me Martinin, me Kazinin, me Finin me gjithë dynjanë e ka gënjyer. Dhe ia ka bërë shesh me lule që do hiqen vizat. Del ai burri i botës në Bruksel tani, thotë s’do hiqen vizat. Kështu e gënjen gjithmonë.
Dhe për statusin e kandidatit po kështu e gënjen. I thotë do ta bëjmë në maj. Të futemi në NATO dhe e bëjmë në maj, thotë. Në qershor janë zgjedhjet. Doli ai burri në Bruksel, tha pas zgjedhjeve. Ka dëgjuar këtë mashtruesin tonë që mburret lart e poshtë dhe na e ka futë. Ky gënjen, ai burri i ha të gjitha. Nuk di si e beson këtë mashtrues.
- Po për çfarë e ka gënjyer tjetër?
- Po për çfarë nuk e ka gënjyer. I tha për rrugën Vlorë- Levan e gjetëm kredinë, i bëmë shpronësimet, e kemi gati. Më nisi mua ai burri më 24 dhjetor të 2006, shkova në Vlorë. Kur shikoj aty Gëzim Kalaverin dhe Fahri Balliun, po vinin tabela.
- ǒdoni këtu? - u thashë.
- Po ja, na tha Luli të bëjmë gati vendin se do presë doktori shiritin, - më thanë.
- Po ju ç’punë keni me rrugën?
- Po ja, e kemi fituar ne, thanë, se kemi hapë një firmë me një serb të Bosnjës, i kemi marr emrin një firme austriake dhe do ta bëjmë ne rrugën...
- Po ke ndonjë traktor ti? - i thashë Kalaverit.
- Kam një, - tha, - po ma ka zënë lumi tek Ura e Beshirit. Do marrim me qira ndonjë.
Erdhi ai burri, preu shiritin dhe iku. Që nga 2006 deri më sot akoma nuk ka nisë puna, nuk janë bërë shpronësimet.
- Po në Bruksel ç’ka ndodhur tamam?
- Kiameti ka ndodhur, ç’të ndodhë më. Shkon ky mashtruesi i fut një të qeshur atje dhe thotë i rregullova të gjitha doktor. Asgjë s’na ka rregulluar. Vizat që kishim shpresë, na i shtyu. Kërkesën për të aplikuar për vend kandidat, na e shtyu. Si do t’i besojnë ata një ministri të pandehur?! S’di ç’bën dhe ky burri.
- Po nga se është shtyrë ky liberalizimi i vizave?
- Nga gënjeshtrat e Lul Bashës. Shkon u thotë atyre e kemi në rregull regjistrin elektronik, i kemi në rregull pasaportat. Ata i mbajnë shënim. Na kanë humb 57 mijë pasaporta dhe kemi deklaruar vetëm 16 në Interpol. Ky i fut një të qeshur, thotë do jetë ndonjë shifër gabim, s’keni informacion.
- Po ndoshta s’ka faj, ashtu ia jep policia...
- As që merret fare me punë. Shkon me duar në xhepa në Bruksel. Pastaj dhe kjo situata para zgjedhjeve i ka bërë të dyshojnë dhe na e futën. Të gjitha premtimet na i kaluan për pas zgjedhjeve. Mirë po fituam ne, po sikur të fitojë Rama, do na i marrë gjithë meritat brenda gjashtë muajsh. Dhe ky mashtrues prapë do qeshë, se do jetë i pari në listë.
- Po mos u shqetëso, se mund të jetë dhe në burg, se sot do jetë në prokurori.
- Jo mo, s’e fut njeri në burg. I ka dalë zot ai burri. Ai e mbulon për çdo gjë. Dhe këtu, sa herë bën mashtrime, ai e mbulon, i ka hedhur hijen atij. Se ma kanë marrë për ters atë që kam thënë se është bërë si ato plakat e hashashit që shkojnë në burg për djemtë, po e ka tepruar vërtet. Nuk mbrohet njeriu për çdo gjë. Ky vetëm na gënjen dhe na merr më qafë.