E Diel, 1 Nëntor 2026

20 shkeljet që mund të çojnë në burg Lulzim Bashën

Nga Tema

Ish-ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, do të shkojë në prokurori, pasi është marrë i pandehur për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të tij si ish-ministër i Transporteve në procedurën e prokurimit të rrugës Rrëshen-Kalimash.

Gazeta “TemA” ka siguruar një kopje të dosjes hetimore dhe po sjell për lexuesin detajet kryesore të shkeljeve që burojnë nga veprimtaria e Lulzim Bashës

Historiku i procedurës së tenderit

Në datën 10 korrik 2006, qeveria, me vendimin nr. 460, ka vendosur lejimin e Drejtorisë se Përgjithshme të Rrugëve që të përdorë procedurën e “Prokurimit të Drejtpërdrejtë” me konsorciumin “Ecorys Group” për shërbim konsulence.

Ndërkohë, në datën 14 qershor 2006, Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 481, ka autorizuar Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurën e prokurimit “Tender i hapur ndërkombëtar” për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë.

Në pikën 3 të këtij vendimi parashikohet që kandidatët e interesuar për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash me ritme të përshpejtuara, do të klasifikohen sipas nivelit të kualifikimit për karakteristikat e projektit. Ky klasifikim të bëhet nga një komision ndërkombëtar vlerësimi i pavarur, i përbërë nga pesë anëtarë, të caktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, në bazë të propozimeve të konsulentit ndërkombëtar “Ecorys Group”, që asiston në përgatitjen e procedurave të prokurimit.

Pra, në muajin qershor Drejtoria e Rrugëve është udhëzuar të zbatojë rekomandimet e firmës konsulente “Ecorys Group”, ndërkohë që kjo e fundit është kontraktuar në muajin korrik, pra me vendimin 460.

Në datën 02. gusht 2006, qeveria, me vendimin nr. 526, ka caktuar 5 anëtarët e Komisionit Vlerësues të Tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, në bazë të propozimit të konsulentit ndërkombëtar “Ecorys Group” (Ecorys Netherlands BV).

Me urdhrin e prokurimit nr. 4864 prot., datë 14. korrik 2006 të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, bazuar në vendimin nr. 526, datë 02 gusht 2006 dhe 481, datë 14 qershor 2006 të Këshillit të Ministrave në Komisionin e Vlerësimit të Tenderit janë caktuar:

1. Stephen Raggett

2. Gerald Scott

3. Pim Zoeteweij

4. Mate Juristiç

5. Niko Naska (ka dhënë dorëheqjen për shkak të mosnjohjes së gjuhës angleze.)

Skandali është se urdhri i prokurimit ka dalë më 14 korrik nga Drejtoria e Rrugëve dhe bazohet në një VKM që mban nr. 526 dhe ka datën 02 gusht 2006.

Në gusht të vitit 2006 është zhvilluar tenderi ndërkombëtar në ambientet e M. P. P. T. T., ku përfaqësuesi shqiptar në tender, Niko Naska, ka dhënë dorëheqjen, pasi nuk e njihte gjuhën angleze. Por, megjithatë, tenderi ndërkombëtar edhe pa pjesëmarrjen e anëtarit shqiptar ka vazhduar punën.

Komisioni njëzëri rekomandon që të nisin negociatat me ortakërinë e përbashkët “Bechtel Internacional, Inc-ENKA”.

Në datën 15 shtator 2006, Drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve z. Lejla Saraçi, mbi bazën e propozimit të “Ecorys Group”, ka nënshkruar kontratën me shoqërinë “Bechtel Internacional, Inc-ENKA”, për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, me tri segmente: Rrëshen-Reps, 18 km; Reps-Thirra, 27 km dhe Thirra-Kolshi, 12 km (gjithsej 57 kilometra), me vlerë totale të objektit 418. 333.986 euro.

Në datën 27.09.2006, Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 651 ka miratuar kontratën e lidhur nëpërmjet Drejtorisë se Përgjithshme te Rrugëve dhe “Bechtel Internacional, Inc-ENKA”.

Në pikën 2 të këtij vendimi parashikohet: Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Financave për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata.

20 shkeljet e vërejtura në rrugën Rrëshen-Kalimash

Kontrata e lidhur midis D. P. RR., e miratuar më pas me vendimin nr. 651, datë 27.09.2006, e Këshillit të Ministrave, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin shqiptar, dhe ka sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit për këto arsye:

1. Projekti përfundimtar

Ndërtimi i rrugës kërkon projekt përfundimtar të detajuar dhe në zëra për t’u zbatuar, në bazë të të cilit kryhen punimet.

Ky detyrim ligjor rrjedh nga neni 5 i ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.

Nga shkresa me nr. 2495/1, prot. datë 07.05.2007 e Drejtorisë se Përgjithshme të Rrugëve rezulton se projekti përfundimtar i zbatimit nuk ka përfunduar.

2. Oponenca teknike

Në projektin përfundimtar (që nuk është realizuar akoma), mungon oponenca teknike.

Ky detyrim ligjor rrjedh nga neni 6 i ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.

Nga shkresat me nr. 10/1, prot. datë 18.01.2007 dhe nr. 10/2, prot. datë 29.01.2007 të Institutit të Ndërtimit rezulton të jetë bërë oponenca teknike për segmentet rrugore Rrëshen-Reps, Reps-Thirre dhe Thirre- Kolsh për projekt-idenë.

Këto oponenca teknike janë bërë vetëm për projekt-idetë dhe jo për projektin përfundimtar të zbatimit.

3. Supervizioni

Kontrata është lidhur, miratuar më pas me VKM dhe ka filluar përmbushja e detyrimeve të kontratës pa pasur mbikëqyrësin e punimeve (supervizorin).

Ky detyrim ligjor rrjedh nga neni 7 i ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.

Nga shkresa me nr. 2761, prot. datë 14.05.2007, rezulton se tenderi për përzgjedhjen e supervizorit të punimeve të rrugës Rrëshen-Kalimash ende nuk ishte hapur në D. P. Rrugëve.

4. Fondi limit

Gjithmonë, kur bëhet një tender, ka një fond limit. Ky është fondi maksimal që vihet në dispozicion nga buxhetit i shtetit për ndërtimin e një objekti ose rruge.

Mungesa e fondit limit lidhet me faktin e mungesës së projektit përfundimtar të zbatimit, i cili ka çmimin e rrugës dhe zërat e punimeve që do të kryhen, materialin që do të përdoret etj., etj.

5. Paradhënia

Në kontratë janë parashikuar detyrime në ngarkim të porositësit (shtetit), në kundërshtim të hapur me normat juridike në fuqi, duke favorizuar shoqërinë “Bechtel-Enka” dhe konkretisht:

Neni 2.1 i kontratës parashikon:

Porositësi duhet t`i paguajë sipërmarrësit pagesën e vendosjes së infrastrukturës në dy këste. Kësti i parë do të jete 20 000 000 euro dhe do të paguhet në datën e nisjes së punimeve në segmentin e tretë. Kësti i dytë do të jetë 20 000 000 euro dhe do të paguhet në datën e fillimit të punimeve në segmentin e parë.

Ndërsa neni 14.2 i kontratës parashikon:

Porositësi duhet të bëjë një pagesë paraprake si një kredi pa interes për mobilizimin dhe për të mbështetur derdhjen e parave, kur sipërmarrësi të dorëzojë letrën e kredisë për pagesën paraprake në përputhje me këtë nen. Pagesa paraprake duhet vënë në dispozicion të sipërmarrësit në dy derdhje, derdhja e parë në shumën 20 000 000 euro, në përputhje me nenin 8.1 (fillimi i punimeve), dhe derdhja e dytë në shumën 20 000 000 milionë euro brenda 5 ditëve nga data efektive (sipas kontratës).

Detyrimet e mësipërme të porositësit vijnë në kundërshtim me ligjin për këto shkaqe:

Kushtetuta, në nenin 159 të saj, parashikon:

Paradhënia nuk mund të kalojë jo më shumë se 10% të vlerës së kontratës (në rastin konkret vlera fillestare e çmimit të synuar të kontratës ishte 418. 333.986 euro), pasi në rastin konkret i janë dhënë sipërmarrësit mbi 100 000 000 euro.

Pra, është shkelur ligji duke u dhënë mjete monetare nga buxheti i shtetit mbi vlerën e garancisë së kontratës (garancia e kontratës ka një vlerë për të tria segmentet prej 29. 284.000 eurosh).

Pra, për vitin 2006 dhe 2007, firma “Bechtel-Enka” përfiton nga buxheti i shtetit 12. 745. 009. 029 lekë të reja (rreth 100 000 000 euro) ( gati 25% të të gjithë vlerës së objektit), pa pasur projekt përfundimtar zbatimi me oponencë teknike, mbi bazën e të cili do të merret leje ndërtimi, si dhe pa pasur mbikëqyrës punimesh (supervizor).

Nuk ka asnjë ligj shqiptar që përcakton apo lejon dhënien e paradhënies për ndërtimin e një objekti pa projekt.

6. Ligji i zbatimit të kontratës

Në kontratë parashikohet se do të zbatohet ligji anglez.

Në bazë të nenit 26 (klauzola e rendit publik), të ligjit nr. 3920, datë 21.11.1964 “Për gëzimin e të drejtave civile nga të huajt dhe zbatimin e ligjit të huaj”, ligj i cili është aktualisht në fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë, parashikohet se:

Në asnjë rast nuk mund të zbatohen dhe të kenë efekt në territorin e Republikës se Shqipërisë ligjet ose dispozitat e tjera të një shteti të huaj, si dhe kushtet e vëna në kontratat e palëve, kur këto janë në kundërshtim me rendin shtetëror dhe shoqëror të Republikës së Shqipërisë.

7. Gjuha e përdorur në dokumentet e tenderit

Shkelje tjetër është dhe fakti se një pjesë e dokumenteve të paraqitura për pagesë, si dhe të dokumentacionit në përgjithësi janë në gjuhën angleze, çka përbën një shkelje të ligjit për prokurimet publike.

8. Çmimi për njësi i parashikuar në kontratë

Shkelje tjetër është fakti se çmimi i kësaj rruge prej 418.333.986 eurosh është një çmim i synuar (çmim në njësi) dhe jo çmim përfundimtar.

Çmimi fillestar i synuar në momentin e lidhjes së kontratës ishte 418.333.986 euro, pas mbarimit të projekt-idesë çmimi është rritur në masën mbi 70% të çmimit fillestar (sipas oponencës teknike të bërë mbi projekt-idenë dhe shkresës së ardhur nga D. P. Rr.) dhe ky çmim vazhdon të rritet dhe nuk dihet saktësisht se sa do të shkojë ai deri në fund të hartimit të projektit përfundimtar. Në çmimin e rrugës Rrëshen-Kalimash përfshihet (pasi mjetet monetare dalin nga buxheti i shtetit shqiptar): T.V.SH., tarifa e menaxhimit të projektit (sipas shtojcës 13 të kontratës), shpërblimi i supervizorit provizor, shpërblimi i supervizorit të punimeve, shpërblimi i 4 anëtarëve të tenderit ndërkombëtar, shpërblimi i “Ecorys Group” etj., etj.

Deri tani një fakt është i qartë, që çmimi i rrugës vazhdon të rritet që nga momenti i lidhjes së kontratës dhe nuk dihet se sa do të shkojë.

9. Kufizimi i përgjegjësisë për sipërmarrësin

Në pjesën e të dhënave të kontratës Pjesa A parashikohet:

Përgjegjësia e përgjithshme maksimale e sipërmarrësit ndaj porositësit (shtetit shqiptar), është 10% e çmimit, sipas çmimit të synuar të kontratës (41 000 000 milionë euro), në një kohe që sipërmarrësi ka marrë rreth 100 000 000 euro).

Ky është një kusht i disfavorshëm, pasi kufizon përgjegjësinë e sipërmarrësit dhe rrezikon paratë e buxhetit të shtetit shqiptar.

Kodi Civil në nenin 686 që flet për interpretimin e kontratës, parashikon:

Neni 479 i Kodit Civil parashikon:

Çdo marrëveshje që përjashton ose kufizon palët nga përgjegjësia për mosekzekutimin e detyrimeve është e pavlefshme.

Pra, kufizimi i përgjegjësisë për sipërmarrësin me kontratë është shkelje e ligjit dhe dëmton interesat e shtetit.

10. Procedura e prokurimit

Sipas konfirmimit të Agjencisë së Prokurimit Publik nr. 3835/1, prot. datë 07.05.2007, rezulton se:

Për mendimin që i është kërkuar kësaj Agjencie për projektvendimin e sjellë nga M. P. P. T. T. me objekt për lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve që të përdorë procedurat e prokurimit të Bankës Botërore, ajo i është përgjigjur kërkesës për dhënie mendim se, në rast se marrëdhëniet midis palëve ishin rregulluar nga marrëveshja me Bankën Botërore… atëherë duhet të respektohet kushti i marrëveshjes ne fjalë. Në rast të kundërt…, procedurat e prokurimit do të zhvilloheshin në bazë të ligjit nr. 7971, datë 26.07.1995 “Për prokurimin publik”.

Agjencia e Prokurimit Publik ka sugjeruar zbatimin e ligjit nr. 7971, 26.07.1995 “Për prokurimet Publike”, por që nga M. P. P. T. T. nuk është marrë në konsideratë.

Dhe në rastin konkret për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash duhej dhe ishte e detyruar që gjatë zhvillimit të tenderit e më pas të zbatohej ligji nr. 7971, datë 26.07.1995 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, ligj i cili është shkelur. Gjatë tenderit nuk është zbatuar asnjë ligj ose rregull, qoftë kombëtar ose ndërkombëtar, thjesht është dhënë vlerësimi për disa firma konkurruese dhe vetëm kaq.

11. Mjedisi

Nga shkresa me nr. 3150, prot. datë 25.05.2007 e D. P. Rr. rezulton se firma “SCETAUROTE” në bashkëpunim të vazhdueshëm me D. P. Rr., Ministrinë e Mjedisit, firmat “Bechtel Enka”, si dhe në konsultim me grupet e interesit ka hartuar një raport paraprak për impaktin në mjedis, i cili pritet të marrë komentet përfundimtare nga ana jonë. Në përfundim ky raport do t`i dërgohet Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, me qëllim zbardhjen e të tëra lejeve të mjedisit, për të cilat firmat “Bechtel Enka” Joint Venture, kanë aplikuar duke koordinuar kështu përfundimin e projekt-zbatimit në përputhje me kushtet e mjedisit.

Nga shkresa me nr. 1035/1, prot. datë 21.06.2007 e Ministrisë së Mjedisit, rezulton se nuk ka ndonjë leje mjedisore për segmentin rrugën Durrës-Morinë.

12. Leja gjeologjike

Për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash për vazhdimin e punimeve është e domosdoshme leja gjeologjike nga Ministria e Ekonomisë.

Ky detyrim rrjedh nga ligji nr. 7796, datë 17.2.1994 “Ligji minerar i Shqipërisë”

Në bazë të këtij ligji, për të shfrytëzuar inertet e marra nga toka dhe për të bërë gërmime në tokë (siç është rasti i tunelit që futet në brendësi të malit), duhet leja gjeologjike nga Ministria e Ekonomisë.

Nga shkresa me nr. 4073/1, prot. datë 2.7.2007 të Ministrisë së Ekonomisë rezulton se në këtë ministri nuk është depozituar ndonjë kërkesë për pajisje me leje minerare për ndonjë objekt që ka lidhje me rrugën Rrëshen-Kalimash.

Vazhdimi i punimeve, shfrytëzimi i tokës pa leje gjeologjike përbën një shkelje të ligjit.

13. Paligjshmëria e V. K. M. nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006

Vendimet nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 kanë legjitimuar një gjendje të tillë paligjshmërie me pasoja të rënda financiare ekonomike për buxhetin e shtetit, këto vendime nuk bazohen në Kushtetutë dhe ligje, nuk kanë asnjë bazë ligjore, janë nxjerrë në kapërcim të kompetencave ligjore që ka Këshilli i Ministrave dhe janë në kundërshtim flagrant me ligjin (absolutisht të pavlefshëm).

Kushtetuta në nenin 100 të saj parashikon:

Neni 100

4. Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga kryeministri dhe ministri propozues.

Kodi Civil në nenin 663, pjesa e V, te kontratat parashikon:

Konditat e nevojshme për qenien e kontratës janë: pëlqimi i palës qe merr përsipër detyrimin, shkaku i ligjshëm në të cilin mbështetet detyrimi, objekti që formon lëndën e kontratës dhe forma e saj e kërkuar nga ligji.

Në këtë rast konstatojmë se nuk kemi ndonjë arsye emergjente të shtetit shqiptar apo cenohet siguria kombëtare, apo vendi rrezikohet nga ndonjë sulm i jashtëm dhe ka emergjencë në ndërtimin e rrugës (forcë madhore), nuk ka asnjë shkak të ligjshëm, ku bazohet detyrimi i ngarkuar nga V. K. M. nr. 651 datë 27.09.2006, në disfavor te Republikës së Shqipërisë.

14. Mendimi i ministrive dhe institucioneve të tjera

Shkelje tjetër është fakti se për VKM nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 ka pasur vërejtje dhe kundërshtime nga Ministria e Financës, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Prokurimit Publik.

Pra, Ministria e Financës, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Prokurimit Publik kanë pasur vërejtjet e tyre me vendimet nr. 460 dhe 651 të vitit 2006, të cilat nuk janë marrë fare në konsideratë nga M. P. P. T. T.

15. Mungesa e anëtarit shqiptar në komisionin vlerësues në tender

Shkelje tjetër është fakti se, në momentin që anëtari shqiptar i Komisionit të Vlerësimit të Tenderit, i caktuar me VKM nr. 526, datë 02.08.2006, z. Niko Naska, ka dhënë dorëheqjen për mosnjohjen e gjuhës së huaj, duhej që tenderi të ndërpritej dhe të mos vazhdonte më. Me VKM të caktohej një përfaqësues shqiptar tjetër që të mbronte interesat e vendit. Ministri Basha ka qenë ne dijeni të faktit të dorëheqjes së Niko Naskës si anëtar i tenderit, pasi Niko Naska ia ka paraqitur vetë personalisht atij dorëheqjen. Ministri gjithashtu ka pasur dijeni për tenderin ndërkombëtar që po zhvillohej, pasi dhe ai vetë ka qenë pjesëmarrës në çeljen e tenderit, ku është bërë dhe një ceremoni në M. P. P. T. T.

16. Kufizimi i sipërmarrësit nga detyrimet tatimore

Në nenin 12.3 pika F të kontratës parashikohet:

Porositësi është përgjegjës tek autoritetet përkatëse për të gjitha taksat doganore, taksat dhe tatimet për pajisjet e Sipërmarrësit dhe Punëve të Përkohshme në emër të Sipërmarrësit dhe duhet të sigurojë që këto taksa dhe tatime të paguhen brenda periudhës kohore të kërkuar nga legjislacioni shqiptar.

Të gjitha shumat e treguara në kontratë të pagueshme për sipërmarrësin do të përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH). Pra, shteti pranon të paguajë TVSH për “Bechtel”.

Pra, në mënyrë të padrejtë dhe haptazi antiligjore është përjashtuar sipërmarrësi nga disa taksa dhe tatime.

17. Çmimet për njësi, më të larta se çmimi i tregut shqiptar

Nga akti i ekspertimit i inxhiniereve

1. Pagesa e infrastrukturës nga sipërmarrësi është vlerësuar 10% të vlerës së përgjithshme, në një kohë që në praktiken shqiptare kjo masë vlerësohet me 2.1% të vlerës së përgjithshme.

2. Vlerësimi i çmimeve të betoneve është bërë afërsisht 2 herë më i lartë se çmimet e përdorura në betonime nga firmat shqiptare.

3. Ka zëra punimesh që përsëriten në 2 forma si p.sh., Analiza nr. 5a; Analiza 6 deri në analizën 11.

4. Elementet e përforcimit të tuneleve, si shtanga e armatimit dhe sigurimi i fiksimit të barrierave, nuk de-tatohen në përmasat e tyre.

5. Nuk është pasqyruar T.V.SH. prej 20% si element i domosdoshëm i vendosur nga ana e ligjit tatimor i Republikës së Shqipërisë.

Diferenca, sipas llogaritjeve që kemi bërë, është:

418.333.986 – 226.473.494 = 191.860.492 euro.

Pra, siç shihet mjaft qartë, çmimet për njësi të paraqitura nga firma fituese e tenderit, janë shumë herë më të larta se çmimet shqiptare. Sikur çmimet për njësi të ishin bërë sipas çmimeve të tregut shqiptar çmimi i synuar i kontratës do të ishte 191.860.492 euro më i lirë.

Çmimi i synuar, me të cilin ka fituar shoqëria “Bechtel-Enka”, është 418.333.986 euro. Në një kohë që sipas çmimeve për njësi që përdoren gjerësisht në Shqipëri rezulton se çmimi i synuar do të ishte 226.473.494 euro (vlerë me e ulët).

18. Relacionet e mbajtura nga ministri i M. P. T. T. para Këshillit të Ministrave

A. Relacioni i mbajtur nga ministri Lulzim Basha para Këshillit të Ministrave në kohën e miratimit të VKM nr. 460, datë 10.07.2006.

Ministri arsyeton se, duke qenë se rruga ka vështirësi teknike në kushtet e territorit, bëhet i nevojshëm angazhimi i një kontraktori ndërkombëtar potencial për fillimin e punimeve të ndërtimit. Në këtë kontekst është e nevojshme dhe e dobishme që procedura e përzgjedhjes së konsulentit të realizohet në formën e prokurimit të drejtpërdrejtë, procedurë që i përgjigjet rastit specifik në fjalë.

“Ecorys Group” është përzgjedhur nga një liste prej 5 kompanish konsulente të sugjeruara nga ekspertë të Bankës Botërore.

Siç e theksuam dhe më sipër, Ministria e Financave dhe A. P. P. kanë qenë kundër procedurave me prokurim të drejtpërdrejtë, për përzgjedhjen e “Ecorys Group”.

Atëherë me të drejtë lind pyetja: Kur ekspertët e Bankës Botërore kanë paraqitur 5 kompani konsulente, përse nuk është lejuar konkurrimi i këtyre kompanive, por është zgjedhur “Ecorys Group” në mënyre të njëanshme?

Pra, caktimi i “Ecorys Group” pa tender, me prokurim të drejtpërdrejtë përbën një shkelje të ligjit për prokurimet publike dhe tregon mjaft qartë se kjo kompani ka qenë e preferuar nga M. P. P. T. T.

B. Relacioni i mbajtur nga ministri Lulzim Basha para Këshillit të Ministrave në kohën e miratimit të VKM nr. 481, datë 14.06.2006.

Në relacionin e tij para Këshillit të Ministrave, ministri i Transporteve ndër të tjera parashtron që për seksionin Rrëshen-Kalimash do të ndërtohet një rrugë rreth 60 km që përfshin një tunel 5-6 km. Rruga e re është parashikuar që të jetë e standardit: autostradë me 4 korsi. Vlera e investimit në këtë segment pritet që të jetë nga 400 deri në 600 milionë dollarë amerikanë.

MPPTT ka kontraktuar firmën konsulente ndërkombëtare “Ecorys Group” në bazë të rekomandimit nga ekspertë të Bankës Botërore (d.m.th., para datës 14.06.2006), për të përcaktuar procedurën e tenderimit konkurrues ndërkombëtar, për të përgatitur dokumentet e tenderit dhe për të negociuar një kontratë që siguron çmime të favorshme dhe realizimin brenda afateve kohore.

Janë marrë në konsideratë mundësi të ndryshme për një procedurë tenderimi konkurruese ndërkombëtare, të bazuar në çmimin si kriteri kryesor.

Pra, siç shihet nga relacioni, vlera e rrugës e parashikuar është nga 400 deri në 600 milionë dollarë. Në rastin konkret, vlera e rrugës deri tani (sipas oponencës teknike të projekt-idesë dhe përgjigjes së ardhur nga D. P. Rr.) shkon mbi 600 milionë euro.

Në relacion thuhet se çmimi është kriteri kryesor. Si është e mundur që çmimi është kriteri kryesor, kur vlera e tij aktualisht është mbi 600 milionë euro, dhe shumë herë më i shtrenjtë se tregu i ndërtimeve në Shqipëri?

Ministri, në momentin e paraqitjes së relacionit, e ka ditur se rruga Rrëshen-Kalimash nuk ka projekt përfundimtar, oponencë teknike, leje mjedisore, fond limit etj., por përsëri ka vazhduar me paraqitjen dhe më pas miratimin e një akti të paligjshëm dhe me pasoja të rënda për ekonominë e vendit.

C. Relacioni i mbajtur nga ministri Lulzim Basha para Këshillit të Ministrave në kohën e miratimit të VKM nr. 526, datë 02.08.2006.

Në relacionin e tij para Këshillit të Ministrave ministri i Transporteve ndër të tjera parashtron:

…Nga konsulenti “Ecorys-Group” është propozuar që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të përbëhet nga 4 specialistë të huaj dhe 1 vendas.

Gjatë zhvillimit të tenderit anëtari shqiptar Niko Naska ka dhënë dorëheqjen, por përsëri komisioni ka vazhduar punën e tij me 4 vetë. Ministri Basha ka qenë në dijeni të faktit të dorëheqjes së Niko Naskës nga anëtar i tenderit, pasi Niko Naska ia ka paraqitur vetë personalisht ministrit dorëheqjen. Dorëheqja është miratuar më pas nga ministri. Vetë ministri ka pasur dijeni për tenderin ndërkombëtar që po zhvillohej, pasi dhe ai vetë ka qenë pjesëmarrës në çeljen e tenderit, ku është bërë dhe një ceremoni në M. P. P. T. T .

D. Relacioni i mbajtur nga ministri Lulzim Basha para Këshillit të Ministrave në kohën e miratimit të VKM nr. 651, datë 27.09.2006.

Në relacionin e tij para Këshillit të Ministrave ministri i Transporteve ndër të tjera parashtron:

… në përputhje me Planin e Prokurimit të hartuar nga konsulenti “Ecorys Group”, i kontraktuar në bazë të VKM nr. 460, datë 10.07.2006, (pra, pas datës 14.06.2006), sipas procedurave ndërkombëtare QBS, u zhvilluan negocime për kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës së sipërmarrjes me shoqërinë e përbashkët “Bechtel-Enka”, ku një vëmendje e veçante iu kushtua negocimit të çmimeve njësi të paraqitura nga shoqëria sipërmarrëse dhe të analizuara e rivlerësuara nga konsulenti ndërkombëtar. ...

...Në përfundim të negociatave vlerësimi i përgjithshëm i dhënë nga konsulenti “Ecorys” i konsideron negociatat si të suksesshme dhe konsiston në një nivel të kënaqshëm të termave të kontratës, e cila mbështet në modelin ndërkombëtar FIDIC dhe përmban kushte që përdoren gjerësisht në kontratat ndërkombëtare të këtij lloji...

...Për këtë shkak është i nevojshëm dhe i domosdoshëm miratimi sa më shpejt i projekt-kontratës, bashkëlidhur.

Pra, siç shihet mjaft qartë në relacionin e VKM nr. 651 nga ministri nuk përmendet fare fakti se përfaqësuesi shqiptar në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave ka dhënë dorëheqjen, por thjesht është thënë se “Ecorys Group” ka vlerësuar si të suksesshme negociatat me firmën “Bechtel – Enka” dhe sugjerohet lidhja sa më shpejt e kontratës me këtë firmë. Kontrata e miratuar nga Këshilli i Ministrave në shtojcën nr. 9 parashikon që projektet përfundimtare për të tria lotet e rrugës Rrëshen-Kalimash do të përfundojnë në datë 31.03.2007.

Këto kontradikta tregojnë më së miri se MPPTT ka pasur një preferencë të mëparshme për firmën “Ecorys-Group” dhe caktimi i kësaj firme si konsulente me prokurim të drejtpërdrejtë përbën një shkelje të ligjit. (Kjo sipas shkresave të Ministrisë së Financave, A. P. P. dhe ligjit për prokurimet publike, kur jepen rastet e prokurimit të drejtpërdrejtë).

Gjatë kohës së miratimit të VKM nr. 651, datë 27.09.2006, projekt-kontrata e paligjshme i është bashkëlidhur informacionit të ministrit për këtë VMK.

19. Inicimi i procedurës në MPPTT për nxjerrjen e vendimeve nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006

Projektvendimi dhe relacioni përkatës që iu është dërguar për mendim ministrive të linjës dhe A. P. P. janë nënshkruar nga drejtori Juridik, Andi Toma, dhe janë dërguar me shkresë të nënshkruar nga ministri.

Mendimet e ardhura nga ministritë e linjës dhe A. P. P. janë përpunuar nga drejtori i Drejtorisë Juridike, Andi Toma, dhe, pasi janë nënshkruar nga zëvendësministri dhe ministri, janë dërguar për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave.

Nga praktika shkresore nuk del asnjë kërkesë e bërë nga D. P. Rrugëve, si organi i specializuar i fushës përkatëse, në rastin konkret rrugët. Ky fakt konfirmohet dhe nga deklarimet e shtetases Lejlja Saraçi me detyrë drejtoreshë në D. P. Rr. dhe shtetasit Ylli Gjoni, person kontakti.

Pra, e gjithë procedura për VKM nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 është bërë në M. P .P. T. T. nga dy persona, Andi Toma dhe Lulzim Basha.

20. Vepra penale që dyshohet se është kryer

Si persona të dyshuar si përgjegjës për këtë vepër penale janë shtetasit Andi Toma dhe Lulzim Basha, te cilët kanë përgatitur të gjithë dokumentacionin dhe kanë iniciuar procedurat e VKM nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006.

Shtetasit Andi Toma dhe z. Lulzim Basha janë të dyshuar se janë përgjegjës për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 248-25 të Kodit Penal.

Veprime hetimore të kryera

Është pyetur shtetasi Niko Naska, i cili sqaron se ka dhënë dorëheqjen nga Komisioni Vlerësues i Tenderit ndërkombëtar, pasi nuk njihte gjuhën angleze, si dhe një pjesë e dokumenteve të paraqitura ishin në gjuhen angleze. Dorëheqjen ia ka paraqitur ministrit Lulzim Basha, i cili e ka pranuar atë. Për këtë fakt ministri ka njoftuar përfaqësuesin e “Ecorys Group”, i cili merrej me mbarëvajtjen e tenderit. Ky shtetas shpjegon se tenderi ndërkombëtar është zhvilluar në ambientet e M. P. P. T. T.

Është pyetur shtetasi Gjergj Bojaxhi, i cili sqaron që në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për miratimin e VKM nr. 481, datë 14.06.2006, ka manifestuar qëndrimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe se i qëndron asaj që ka thënë në këtë mbledhje. (Ky fakt është dokumentuar në protokollin e mbledhjes, por që nuk na është vënë në dispozicion të hetimit nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave).

Nga deklarimi i shtetases Lejla Saraçi (para se t’i njoftohej akuza), e cila thotë se vendimet nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 janë iniciuar vetëm nga ana e Ministrisë së Punëve Publike dhe në DPR kanë ardhur vetëm Vendimet e Këshillit të Ministrave, pasi ato kanë kaluar të gjitha fazat dhe janë miratuar. Me procedurat e këtyre VKM-ve DPRR nuk është angazhuar fare. Nga ana e DPR ka qene vetëm inxhinieri Ylli Gjoni, drejtori i Drejtorisë se Mirëmbajtjes, i cili ka qenë i emëruar me gojë nga ministri për të qenë person kontakti përfaqësues i DPR për këtë projekt investimi. Ai vetëm ka qenë në dijeni për gjithçka ndodhte, por nuk ka pasur asnjë kompetencë kontrolluese ose vendimmarrëse. Tenderi për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash është zhvilluar në muajin shtator 2006 në Ministrinë e Punëve Publike. Projekt-kontrata për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash është dërguar drejtpërdrejt nga “Ecorys Group” në Drejtorinë Juridike të Ministrisë së Punëve Publike dhe kjo drejtori, pasi e ka kontrolluar dhe e ka gjetur të rregullt, e ka dërguar në Këshillin e Ministrave për miratim. Pasi është miratuar në Këshillin e Ministrave, kjo kontrate është dërguar në DPR vetëm për t’u firmosur nga ana ime. Në dokumentacionin e ardhur nga Këshilli i Ministrave, se bashku me kontratën e miratuar është dërguar edhe autorizimi që kjo kontratë duhej të firmosej nga ana ime si drejtoreshë e institucionit.

Është pyetur shtetasi Ylli Gjoni me detyrë person kontakti në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, i cili shpjegon se vendimet nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 janë iniciuar vetëm nga ana e Ministrisë së Punëve Publike dhe në DPR kanë ardhur vetëm Vendimet e Këshillit të Ministrave, pasi ato kanë kaluar të gjitha fazat dhe janë miratuar. Me procedurat e këtyre VKM-ve DPRR nuk është angazhuar fare. Tenderi për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash është zhvilluar në muajin gusht të vitit 2006 në Ministrinë e Punëve Publike. Projekt-kontrata është hartuar dhe negociuar me kontraktorin, nga konsulenti “Ecorys Group” në bashkëpunim me M. P. P. T. T. dhe është paraqitur në Këshillin e Ministrave për miratim. Në bazë të kontratës qëndron angazhimi i kontraktorit në një sipërmarrje në bazë çmimesh njësi të pandryshueshme gjatë gjithë kohës se zbatimit të kontratës. Kjo kontrate është bazuar në modelin standard të kontratave ndërkombëtare FIDIC të aplikuar dhe në vende të tjera të botës.

Me përpilimin e kësaj kontrate, ashtu si gjithë dokumentacionit të garës së tenderit, është marrë vetëm “Ecorys Group”, pasi ai ishte caktuar me VKM si kompania konsulente që do të merrej me këtë procedurë. Ministria e Punëve Publike ka asistuar negocimin e kontratës. Mbarëvajtja e punës së “Ecorys Group” gjatë fazës së prokurimit dhe negocimit të kontratës është siguruar nga M. P. P. T. T. Konsulentit i janë siguruar të gjitha materialet e nevojshme nga ana e ministrisë për zhvillimin e efektshëm të punës së tyre. Në këto të dhëna bëjnë pjesë legjislacioni shqiptar, të dhëna teknike për studimet e mëparshme mbi gjurmën e rrugës, fizibiliteti, të dhëna trafiku, kostot e punimeve në Shqipëri etj.

Nga deklarimi i shtetasit Andi Toma (para se t’i njoftohej akuza), me detyrë drejtor i Drejtorisë Juridike në kohën e lidhjes së kontratës, rezulton se: “...kam për të thënë se, si rregull, të gjitha projektvendimet i nënshtrohen redaktimit juridik dhe përgatiten në bashkëpunim me drejtoritë e interesuara, qoftë në ministri ose të varësisë. Edhe në rastin konkret gjykoj se projektvendimet së bashku me relacionet përkatëse janë servirur nga D. P. Rrugëve dhe janë punuar nga Drejtoria e Shërbimeve Juridike, ku unë kam ushtruar detyrën e drejtorit të kësaj drejtorie. Ky shtetas shpjegon se objekt-kontrata si çdo projektvendim i propozuar nga M. P. P. T. T, ka kaluar në filtrin e Këshillit të Ministrave dhe është Miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, dhe kjo projekt-kontratë ashtu si dhe projekt-vendimet e tjera kanë kaluar nga Drejtoria e Shërbimeve Juridike dhe është shqyrtuar nga ky shtetas...”.

Ai sqaron se me Vendim të Këshillit të Ministrave është ngarkuar konsulenti ndërkombëtar për asistimin në negocimin, hartimin dhe lidhjen e kontratës, i cili ka mbajtur peshën kryesore për negocimin dhe hartimin e projekt-kontratës. Andit nuk i kujtohet, nëse ka firmosur apo jo, por nuk ka konstatuar shkelje ligjore në projekt-kontratën e çuar për miratim nga M. P. P. T. T. në Këshillin e Ministrave.

Është sekuestruar në kanalin televiziv “Top Channel”, kaseta filmike, në të cilën tregohet inaugurimi në lotin e 3 në pjesën e tunelit për fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të shkurtit të vitit 2007, në të cilën ka marrë pjesë ministri Lulzim Basha.

Është thirrur për t`u paraqitur shtetasi Lulzim Basha në datën 29.05.2007, në orën 14.00, për të dhënë deklarim për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, si dhe për t`u pyetur në lidhje me kallëzimin e bërë nga ana e tij. Nëpërmjet sekretares së tij ka njoftuar organin procedues nëpërmjet telefonit, se do të paraqitet në një date tjetër për shkak të impenjimeve të punës së tij. Ky shtetas nuk ka marrë në telefon, ka kaluar një javë nga thirrja në prokurori e tij. Nga ana jonë në adresë të tij është dërguar një fletëthirrje e dytë, por z. Lulzim Basha ka njoftuar në telefon nëpërmjet sekretares se do të paraqitet në një datë tjetër për shkak të impenjimeve të punës si ministër. Ka kaluar një kohë e gjatë dhe ky shtetas nuk ka marrë në telefon për t`u paraqitur për t’u pyetur. Pra, e thënë me fjalë të tjera, ky shtetas po i shmanget hetimit.

Janë pyetur shtetasit Sokol Allaraj, Arben Kasoruho, Piro Bedo, Nustret Nela dhe Çelesina Dobro, të cilët kanë bërë oponencën teknike për projekt-idenë e rrugës Rrëshen-Kalimash. Këta shtetas shpjegojnë se kane bere oponencën teknike vetëm për projekt-idenë për rrugën Rrëshen-Kalimash, në bazë të kërkesës së D. P. Rr.

Janë administruar në dosjen hetimore të gjitha shkresat e dërguara nga A. P. P. për mendim në lidhje me VKM nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 (sqarimet janë shtjelluar më lart). Për vendimin nr. 651, datë 27.09.2006, nuk është marrë mendim nga Agjencia e Prokurimit Publik. Marrja e mendimit nga A. P. P. është kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, por përsëri nuk është marre mendimi nga kjo Agjenci.

Jane pyetur përfaqësuesit e shoqërisë “Bechtel Enka” në prani të përkthyesit George R. Alsop dhe Ozger Inal, të cilët shpjegojnë se kanë si përfaqësues të tyre ligjor “Kalo&Associates”. Si dhe japin sqarime në lidhje me tenderin, si dhe me fazat e zbatimit të projektit. Ata kanë paraqitur një dokument ku pasqyrojnë mjetet monetare të marra prej tyre nga buxheti i shtetit, të cilat sipas kursit valutor shkojnë 103.101.242 euro.

Ata deklaruan se kanë vënë si letër-kredi në favor të M. P .P. T. T shumën prej 69.284.284, 300 eurosh.

Nga deklarimi i tyre del se pagesat e bëra janë përdorur për mobilizimin e personelit, ndërtimin e kantiereve, pagesat për sigurimet, letër-kreditë bankare etj.

Në lidhje me çmimet për njësi të dy këta shtetas thonë se njësitë e vogla matëse dhe çmimet fikse për çdo njësi, janë paraqitur nga BEJV në tender dhe janë pranuar nga “Ecorys Group” (konsulente e Drejtorisë se Rrugëve). Këto çmime shërbejnë për të arritur te projekti përfundimtar. (design).

Është dërguar në Kryeministri vendimi për sekuestrimin e protokolleve të vendimeve nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 (fotokopje e njësuar me origjinalin). Është kërkuar disa herë që dokumentacioni të na vihet në dispozicion, por Sekretari i Përgjithshëm refuzon dhënien e këtyre protokolleve. Është refuzuar dhënia e protokollit nga Këshilli i Ministrave me pretekstin se është sekret shtetëror. Në rastin konkret duhet hetuar ndaj ish-ministrit të Transporteve, z. Lulzim Basha, pasi rezulton si person që ka iniciuar kryerjen e procedurave të tenderit dhe me pas miratimin e Kontratës për Ndërtimin e Rrugës Rrëshen-Kalimash. Aktualisht, z. Lulzim Basha është deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas nenit 141 të Kushtetutës, për hetimin e deputetëve juridiksion fillestar ka Gjykata e Lartë. Prokuroria e Përgjithshme ushtron funksionet e prokurorit pranë Gjykatës së Lartë dhe është kjo prokurori kompetente që të hetoje ministrat, deputetët etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›