Lehtësi e vështirë në ambasada
Lehtësia e vështirë e dhënies së vizave për shqiptarët, e shpallur së fundi, është një moment që e nxin atje tej sjelljen tonë kombëtare. Mund të supozohet se ky fakt përbën në njëfarë mënyre përgjigjen diskriminuese dhe të vetëdijshme të perëndimorëve për nivelin e reformimit tonë, sipas së cilës shqiptarët vazhdojnë të jenë delja e zezë në Ballkan.
Por a është ky një ndëshkim i merituar? A duhet t’i hedhin pak më shumë ujë verës së tyre evropianët në vlerësimet ndaj nesh, për të stimuluar rilindjen e besimit popullor për përshtypje më të mira ndërkombëtare, apo në vend që të zhgënjehemi, jemi ne ata që duhet të pranojmë se jo liberalizim të vizave, por dhe premtimin për to nuk e meritojmë? Fakti që qytetarët shqiptarë janë më pak të preferuar në ambasada dhe fakti që njerëzit paguajnë shumë dhe vuajnë shumë për të fituar një të drejtë udhëtimi, vërteton se ekziston një opinion negativ në përgjithësi i perëndimorëve për ne, që mund të shndërrohet në një lloj racizmi diplomatik.
Mund të përfytyrohet se si në mënyrë diplomatike, vështirësia e marrjes së një vize për qytetarët tanë është sjellja fine e Perëndimit në një orvatje të qartë për të ridhënë një mesazh dëshpërues: Shkalla e korrupsionit, shkalla e besimit të tyre ndaj nesh apo shkalla e aftësisë së shqiptarëve për demokraci të shëndetshme është ende në një nivel të ulët. . .
E thënë ndryshe, vështirësia e shqiptarëve për të udhëtuar në shtetet e lakmuara të Evropës, është fare thjesht pasojë e opinionit të përgjithshëm të të huajve për ne, për sjelljen tonë, për qytetërimin tonë, për reformimin tonë, për marrëdhënien apo për komunikimin tonë të brendshëm. Të gjithë e dinë që kjo shumatore e bindjeve të tyre nuk është favorizuese, as e dobishme, dhe as e rastësishme, përkundrazi. Pa asnjë mëdyshje, dhe para së gjithash, ajo dëshmon harmoninë e munguar dhe seriozitetin e munguar të pushtetit politik, të pushtetit civil, si edhe shkallën e lartë të korrupsionit spektakolar, që vazhdon t’i lërë përditë gojëhapur.
Për radarët e perëndimorëve, sjellja jonë le për të dëshiruar. Në optikën e tyre, komunikimi i vështirë në Shqipëri (raportet pushtet opozitë, elektorat politikë, apo qytetar pushtet), shëmbëllen i përfshirë në një vorbull situatash komplekse, pas së cilës vështirë të bëhen lehtësira vizash dhe favorizime të tjera. Pjesë e krizës kombëtare, këto marrëdhënie janë shndërruar në një fenomen korruptiv unikal, në të cilin vështirë të realizohen reformat kushtëzuese të të huajve për ne. Midis krizave rutinë të moralit dhe të vetëdijes popullore, si çdo gjë që ka të bëjë me besimin, vështirësia e imponuar në Shqipëri nga korrupsioni i komunikimit njerëzor me pushtetin është ajo që spikat më ashpër.
E thënë shkoqur, ndërkombëtarët e shikojnë korrupsionin masiv si shkakun kryesor të krizës në sjelljen tonë të brendshme, e cila na privon nga e drejta për të qenë të barabartë me të tjerët. Krizë komunikimi do të thotë që njerëzit janë të pakënaqur dhe nuk kanë besim të mjaftueshëm te ndershmëria e klasës politike, dhe anasjelltas. Kështu nis edhe logjika e krizës: Kjo antipati, ky ngërç midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve, i kthyer shpesh në një luftë autoritetesh të pamerituara, është një realitet i turpshëm që ekziston qartë dhe gjatë në Shqipëri. Vëzhguesve dashamirës të Perëndimit nuk i ka shpëtuar e veçanta e këtij realiteti, që në këtë rast është kjo gjë: kriza e besimit të ndërsjellë shndërrohet në një urrejtje elektorale primitive të pakuptimtë, sa brenda klasës politike dhe sidomos midis saj dhe atyre që votojnë.
Pasojat e komunikimit të keq duken në dritën e diellit. Në Shqipëri mbretëron me të ulërirë fuqia makabre e mungesës së shpresës. Mbase ngjan i guximshëm, i trishtueshëm dhe i çuditshëm ky konstatim. Por është një realitet pesimist që lexohet qartë nëpër fytyrat e dëshpëruara të shqiptarëve në rrugë, por edhe në ngazëllimin e fatlumëve të pushtetit nëpër zyra, lokale luksoze dhe aventura. Në përgjithësi, duket sikur tranzicioni shqiptar ka kultivuar çuditshëm pushtetarë tjetërlloj, ndërsa ka provokuar një frymë mediokriteti të egër në filozofinë e atyre që kanë qeverisur deri tani. Klasa politike shkëputet njëherësh nga baza me një eufori borgjezie të shumëkënaqur me veten dhe përbuzje pasanikësh të rinj ndaj turmës së shtetasve shpirt-thjeshtë, nga e cila vijnë. Krijohet një hendek i madh mes të rëndësishmëve dhe hallexhinjve, mes pushtetarëve dhe të komanduarve. Përtej propagandës politike, që është drejtimi i vetëm ku politikanët shqiptarë harxhojnë energji me pasion të vërtetë, ka vetëm hipokrizi, shpërfillje për spektatorët dhe vjedhje spektakolare, egoizëm primitiv dhe vetëm korrupsion të pandalur.
Pushtetarëve shqiptarë iu mungon totalisht ndjeshmëria civile, dashamirësia sociale dhe humanizmi; përkundrazi, shpesh duket sikur ata ngazëllehen me shtimin e problemeve të të tjerëve, të cilat në shumë raste vetë ata i krijojnë. Mund të gjesh drejtues meskinë lart e poshtë, të zgjedhur për të zgjidhur probleme, por që si këlyshë të paaftësisë lumturohen ekskluzivisht dhe shtazërisht me thellimin e përbindshëm të hendekut mes tyre dhe njerëzve të zakonshëm, që për të jetuar punojnë dhe durojnë. Nëpër zyrat e administratës shtetërore gjen përditë drejtues hajdutë ordinerë që persekutojnë ndërgjegjen e popullatës; shumë nga shqiptarët që drejtojnë kanë një shtytje të brendshme rebele, e cila ngjan me një hakmarrje brenda llojit ndaj ndershmërisë së mbetur. Drejtues bythëvarur, arrogantë e injorantë, që abuzojnë kafshërisht me pushtetin, në kurriz të qytetarëve, duke shpërfillur gjithçka, vetë misionin e tyre dhe shtetin e tyre; pijanecë, jargamanë, servilë e qafështrembër, që shiten për mbretër e perandorë në zyrat ku ndërlikohet gjithçka e nuk zgjidhet asgjë, asnjëherë, pra shefa të tillë ka në Shqipëri sa të duash. Dhe janë këta derivatë të pushtetit të keq, shkatërruesit potencialë të komunikimit njerëzor e institucional në Shqipëri; tek ata fillon kriza civile; shkëndijat e të keqes prodhohen së pari prej tyre.
Por edhe pse në fokusin popullor klasa politike shëmbëllehet mbas kaq vitesh si mediokre, mashtruese, hajdute dhe tinëzisht e korruptuar, që nuk mund të ndreqet kurrën e kurrës, - ndërsa ngjarje të kobshme tragjedojnë orë e çast realitetin - edhe pse dishepujt e pasuruar frikshëm të politikës, në bregun matanë shikojnë heshtur një turmë të pabesë e skeptike përballë, përgjegjësia nuk është dhe nuk mund të jetë vetëm e saj. Sepse turma ka pjesën e vet të fajit. Bri politikës, ekziston një paqe e heshtur pranimi qytetar, me gjithë urrejtjen në mes. Mbase te kjo përgjegjësi e dyfishtë, te ky pranim kokulur dhe te ky ambientim i rrezikshëm i komunitetit, të huajt kuptojnë paaftësinë tonë për t’u përballur me korrupsionin.
Korrupsioni shqiptar në fakt buron në mentalitetin e vrazhdë apo në mungesën e perceptimeve të drejta për rregullimin e gjërave në vend. Kjo mungesë përbën edhe mallkimin më të madh të shqiptarëve. Kriza e komunikimit me pushtetin dhe paaftësia për të dalë nga ajo, në kushtet e një korrupsioni spektakolar, të shndërruar në superpushtet, e vërteton këtë gjë. E thënë ndryshe, shqiptarët ngjajnë me një komunitet të paaftë për të rregulluar punët e veta, për një organizim të shëndetshëm, për zbulimin e vlerave kombëtare, dhe shfrytëzimin e tyre në shërbim të ngritjes së një autoriteti të ri. Kur të ndryshojë kjo, atëherë ka gjasa të ndryshojë edhe opinioni i perëndimorëve për ne.