Berisha: Pasuesit e diktaturës, uzurpuan PS-në. Rama: Shqipëria peng i sekretarit të Enverit

Kreu i PS-së Edi Rama
Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste ka reaguar pas deklaratës së Sali Berishës i cili tha se trashëgimtarët e diktuarës kanë uzurpuar PS-në. Rama ka deklaruar se 21 vite pas rrëzimi të monumentit të Hoxhës, Shqipëria drejtohet nga një sekretar i tij. Kreu i opozitës cilësoi të turpshme faktin që ende pas më shumë se dy dekadash nga rrëzimi i diktuarës, opozita vazhdon të sulmohet egërsisht.
Askush ndër ata që rrëzuan monumentin e Enverit s’e imagjinonte dot që 21 vjet më vonë Shqipëria do mbahej peng nga një sekretar i Enverit, shkruan Rama në Twitter. E turpshme që 21 vjet pas rrëzimit të monumentit të diktaturës sulmohet egërsisht opozita teksa vendi lëngon mes krizash të keqqeverisjes.
Lideri i Partisë Socialiste më tej është shprehur se qeveria aktuale është pushteti më i korruptuar që ka njohur Shqipëria, pushtet i cili shkel të gjitha shpresat që solli rrëzimi i monumentit të Hoxhës.

Kryeministri Sali Berisha
Në ditën përkujtimore të 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, kryeministri Sali Berisha kujton se ka ende rrënoja për të pastruar.
Një gjë të tillë Berisha e deklaroi në përurimin e hapjes së pavijonit të terrorit komunist në Muzeun Historik Kombëtar.
Sipas Berishës trashëgimtarët e diktaturës janë sot në krye të opozitës dhe po përpiqen për të rikthyer doktrinën komuniste në pushtet.
Kanë uzurpuar partinë kryesore opozitare. Kanë rikthyer bllokun me të gjithë psikologjinë e tij me mburrjen me rrahje gjoksi, u shpreh kreu i PD-së.
Doktrina e tyre është dhjetëra herë më e rëndësishme se interesat e vendit. Do të kenë dështimin e merituar, shtoi Berisha.
20 shkurtin, kryeministri e konsideroi fundin e poshtërimit dhe shtypjes për popullin shqiptar dhe e cilësoi atë periudhë si më të errëtën.
Datë që ndan dekadat e shtypjes ekstreme, 10 vjeçarët e poshtërimit që shqiptarët kanë përjetuar. Do të bëjmë gjithçka që kjo të mos i ndodh më kombit shqiptar. Kjo është historia më e pamerituar e kombit shqiptar, tha Berisha.
Florenc Stafa