“Edi Rama, kasandra e së keqes, ra bora dhe mendoi se ‘mbinë’ votat”

Berisha për qëndrimin e opozitës
Gjatë vizitës në Peshkopi, kryeministri Berisha iu referua sërish qëndrimeve të opozitës, lidhur me reshjet e dëborës dhe bllokimin e dhjetëra zonave malore. Shefi i ekzekutivit theksoi se se PS s’ka si synim të ndihmojë banorët, por të krijojë kriza artificiale me qëllim mbledhjen e votave.
Sipas Berishës, shtabi i emergjencës ka patur detyrë parësore shpëtimin e jetëve njerëzore, dhe ia arriti qëllimit.
“Në tërësi, bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer pavarësisht nga përkatësia partiake, por ndonjë tek tuk e ka mbajtur Kasandra e së keqes, i cili mendoi se ra bora dhe ‘mbinë votat’, si p.sh atë të Kalasë së Dodës, me siguri e ka mbajtur kryetari i tij. Nuk themi se nuk ka vështirësi, por në këtë rast bëhen gjithnjë përpjekje si t’i zvogëlojmë dhe në radhë të parë, si të parandalojmë humbjet e jetëve, pasi kjo është më e çmuara. Më pas, pastaj dëmet e tjera me radhë. Por dua të them se rasti sporadik, i izoluar i Kalasë së Dodës është i izoluar. Në tërësi, autoritet vendore kanë qenë në krye, pa dallim dhe kjo është përgjegjësia, pasi bora nuk bën dallime në qytetarë partiakë e jo partiakë. Bora i rrethon të gjithë njëlloj!”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se edhe mediat kanë patur rolin e tyre pozitiv në raportimet në kohë, pavarësisht spekulimeve të momentit për “të zhdukur në dëborë”.
“Gjithashtu, mediat kanë bërë një punë shumë të mirë. Ndonjëherë kanë shpallur të humbur, por pastaj janë tërhequr, sepse nuk mund të shpallësh të humbur, pa u verifikuar. Nëse në ndonjë zonë nuk kapet sinjali telefonik, kjo nuk do të thotë që një person është i zhdukur. Atij mund të mos i punojë bateria apo mund të ndodhet në një zonë ku nuk ka antena. Sot është edhe fat i madh që kemi shumë linja dhe komunikojmë kudo”.
...