Basha: Xhamia, “dhurata” për 100 vjetorin e Pavarësisë, do jetë një realitet në kryeqytet
Nis punën Komisioni për Xhaminë e Madhe të Tiranës
Komisioni për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, iniciuar nga Bashkia e Tiranës dhe miratuar nga Këshilli Bashkiak ka nisur dje nga puna.
Në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe ekspertëve u vendos ngritja e një grupi pune, i cili do të përgatisë propozimet për vendimmarrjen në Komision, të cilat përfshijnë propozimin për vendin ku do të ngrihet Xhamia e Re, si do të veprohet për projektin e Xhamisë, nëse do të jetë ai i hartuar tashmë, do të përcaktohet një arkitekt për të bërë një projekt të ri apo do të bëhet konkurs për projektimin e këtij institucioni dhe pas kësaj menjëherë, aprovimi i termave të referencës.
Kryebashkiaku Basha kërkoi që brenda muajit mars, të përmbyllet faza e konsultimeve, diskutimeve dhe e vendimmarrjes, për çështjet e shtruara për diskutim. Ai shprehu vullnetin e Bashkisë së Tiranës dhe të tijin personalisht, për ta përfunduar sa më parë këtë vepër që i mungon Tiranës dhe për t’u dhënë besimtarëve një vend të denjë, për të kryer ritet e tyre fetare.
“Tirana është kryeqendra e vendit. Ne, sapo festuam 92-vjetorin, ju ishit i pranishëm bashkë me përfaqësuesit besimeve të tjera dhe një moment ku u ndalëm ishte modeli bashkëjetesës fetare, model të cilin Tirana e ka rrezatuar, në shekujt e ekzistencës së vet dhe e rrezaton edhe sot, ku kemi parë në dekadën e fundit, ngritjen e Katedrales së Shën Palit, po përfundon Kisha Ortodokse dhe dje qeveria dha mbështetjen e plotë për përfundimin brenda këtij viti të 100-vjetorit të Pavarësisë, edhe të Tempullit të Kryegjyshatës, për të cilën edhe Bashkia do të japë ndihmën e vet modeste, ndërkohë koha ka ardhur dhe ka kaluar, që edhe Xhamia e Madhe, të jetë një realitet në Tiranë dhe që t’i japim fund problemit të përvitshëm, për të cilin fatkeqësisht nuk ka pasur zgjidhje në këtë dekadë, të besimtarëve që dalin në rrugë, për ditët e festive. Vullneti për ta përfunduar këtë vepër, që i mungon qytetit të Tiranës është i plotë tek Bashkia e Tiranës dhe tek unë personalisht por nganjëherë vullneti nuk mjafton dhe me këtë rast synimi i ngritjes së këtij komisioni ka qenë gjithë përfshirja në vendimmarrje të aktorëve kryesorë, duke filluar nga Komuniteti Mysliman, me Myftininë e Tiranës, me përfaqësuesit e besimtarëve të Tiranës, duke vazhduar me të gjithë faktorët e tjerë, siç janë ato të Monumenteve të Kulturës, të Institutit të Kultit, shoqatës ‘Tirana’ dhe Këshilli Bashkiak, ku çdo forcë politike e përfaqësuar në Këshill përfaqësohet edhe në këtë komision dhe sigurisht çdo vendimmarrje që do të bëjmë do të jetë transparente dhe do i përcillet në kohë reale qytetarëve të Tiranës, publikut të Tiranës. Gjykoj se kjo risi është e domosdoshme, që ne të kemi sukses në ndërmarrjen tonë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Komisioni përbëhet nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Nënkryetari, Sekretari i Përgjithshëm, Përfaqësuesi i Komitetit të Kulteve, Përfaqësuesi i Prefektit, i Këshillit të Qarkut, Myftiu i Tiranës, tre përfaqësues të komunitetit të besimtarëve të Tiranës, përfaqësues i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Këshillit të Ministrave, Shoqatës “Tirana”, Administratori i Përgjithshëm i Bashkisë dhe 5 drejtorë, tre drejtorë të përgjithshëm të Planifikimit të Zhvillimit të Territorit, Planifikimit të Menaxhimit të Shërbimeve, Projekteve Strategjike e Investimeve të Huaja dhe dy drejtorë të Planifikimit të Territorit dhe i Kontrollit të Zhvillimit të Territorit.
...