E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vazhdon puna për lidhjen e qendrave të komunave me akset nacionale”

20-02-2012 / Gazeta 55

Ministria e Brendshme - 5 qytetarë me probleme shëndetësore u transportuan dje drejt qendrave spitalore - 15 fluturime për shpërndarjen e ndihmave 

Ministria e Brendshme deklaroi dje se nga informacionet e grumbulluara nga Shtabet e Emergjencave Civile në qarqet e prekura nga fatkeqësia natyrore e reshjeve të shumta të dëborës edhe gjatë ditës së djeshme ka vijuar me intensitet të lartë puna për lidhjen me akset rrugore kombëtare të qendrave të komunave të bllokuara. 

Zëdhënësi Fatmir Konja u shpreh se si rezultat i punës së shtabeve të emergjencave, është mundësuar komunikimi rrugor me akset kombëtare i komunave Kala e Dodës, Ostren, Bushtricë, Surroj dhe Llugaj, duke zvogëluar kësisoj numrin e komunave të bllokuara në 22 të tilla në të gjithë vendin, nga 27 që ishte ditën e djeshme. Sipas tij, në qarkun e Shkodrës aktualisht janë të bllokuara komunat Shalë, Shosh, Shllak, Pult, komuna Kelmend e Malësisë së Madhe dhe komunat Iballë, Fierzë dhe Blerim të Pukës. “Po punohet për hapjen e aksit rrugor Qafë Mali-Fierzë që lidh komunat Blerim dhe Fierzë, si dhe për hapjen e segmenteve rrugore Kryezi-Iballë dhe Pukë-Qelëz”- tha Konja. Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara komunat Shishtavec, Kalisë, Arrën, Gryk Çajë, Lekbibaj dhe Bytyç. Ndërsa po punohet për hapjen e rrugës Bushtricë-Peshkopi. Aksi rrugor Kukës-Shishtavec është hapur deri në fshatin Novosej dhe po punohet për hapjen e plotë të tij.

Në qarkun e Dibrës janë ende të bllokuara komunat Lurë, Zall Reç dhe Selishtë. Po punohet për hapjen e akseve rrugore rurale Zall Dardhë-Zall Reç-Qafë Drajë, Ostren-Steblevë, Sllovë-Kala e Dodës, vazhdon puna gjithashtu edhe në akset rrugore Selishtë-Muhurr, Arras-Fushë Çidhën dhe Krej Lurë-Fushë Lurë. Në qarkun e Elbasanit janë të bllokuara komunat Poroçan, Lenie, Kukur dhe Zavalinë. Dje është punuar për hapjen nga bora dhe materialet inerte të rëna nga skarpatet në akset rrugore Gramsh-Kukur, Gramsh-Poroçan dhe Gramsh- Lenie. 

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja iu referua edhe emergjencave shëndetësore, duke deklaruar se gjatë ditës së djeshme janë transportuar drejt spitaleve 5 persona me probleme shëndetësore. 

“Sot (dje) janë trajtuar 5 emergjenca shëndetësore në zonat problematike nga reshjet e dëborës. Në tre raste të sëmurët janë transportuar me ambulancë nga komuna Kastriot në spitalin rajonal në Peshkopi. Një person i sëmurë nga komuna Bicaj është transportuar në spitalin rajonal të Kukësit me helikopterin e Forcave të Armatosura dhe një person i sëmurë nga Mirdita është transportuar në spitalin ushtarak të Tiranës me helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ai. 

Përsa i takon shpërndarjes së ndihmave, njësia e helikopterëve të Forcave të Armatosura ka kryer 15 misione fluturimi për transport ndihmash në fshatrat Gryk Çajë, Buzmadh dhe Shkinak të Kukësit, Bradozhnicë e Dragobi të Tropojës, Tërnovë të Dibrës, dhe në Theth e Shalë të Malësisë së Madhe.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›