Berisha: Pavarësisht krizës, ne, me rritje ekonomike
Kryeministri Sali Berisha, i cili po merr pjesë në punimet e forumit aziatik për daljen nga kriza ndërkombëtare, u shpreh dje optimist se ekonomia shqiptare do t’ia dalë mbanë. Duke folur për mediat, Berisha tha se pavarësisht nga situata ndërkombëtare, rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2009 do të jetë më e larta në Evropë. “Me gjithë krizën ndërkombëtare, - tha Kryeministri Berisha, - Shqipëria pritet që këtë vit të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Evropë”. Sipas kreut të qeverisë, kjo do të ndodhë për shkak të reformave që ka ndërmarrë qeveria e tij. “Kemi ndërmarrë reforma për eliminimin e burokracive në regjistrimin e biznesit, ndërkohë që kemi vendosur shërbimin elektronik në dogana, në tatime dhe në prokurimin publik. Kemi luftuar pa kompromis korrupsionin dhe kjo luftë ka dhënë rezultate shumë të mira”, - tha Berisha.
Deklaratat e Kryeministrit u bënë dje në qytetin e Shenzhenit, ku ai u prit nga kryetari i bashkisë i këtij qyteti, i cili shtroi edhe një drekë për nder të tij. Ky qytet është një nga më të zhvilluarit në Kinë, madje i dyti pas Hong Kongut, me një zhvillim ekonomik që nuk ngjan me asnjë pjesë tjetër të Kinës. Përpara biznesmenëve kinezë, Berisha tha se qeveria e tij është gati të hapë rrugën për ta. “Ne si qeveri jemi të gatshëm të krijojmë parqe industriale, do të ndihmojmë përpjekjet për manifakturën, parqe industriale teknologjike, të cilat do të jenë të dobishme pasi popullsia shqiptare është e re në moshë dhe e mirarsimuar”, - vlerësoi Kryeministri. Kryetari i Bashkisë së Shenzhenit i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në forumin ekonomik BOAO dhe për vizitën në këtë qytet. Kryebashkiaku Zongheng u shpreh se Shenzheni nuk është vetëm qyteti i industrisë, por ka arritur rezultate të rëndësishme edhe në turizëm dhe kulturë, në industrinë e informacionit, në arsim, shëndetësi, urbanistikë, sport etj. Më tej, Kryeministri Berisha prezantoi disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në përpjekje për të inkurajuar zhvillimin e ekonomisë në vend. “Në këtë kontekst, - tha Kryeministri, - kemi krijuar një klimë shumë të favorshme biznesi dhe Shqipëria është aktualisht vendi me taksat më të ulëta në Evropë”. Gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Shenzhen ka pasur një interesim të madh të mediave kineze. Takimi është pasqyruar në edicionet e lajmeve të stacionit kinez ÇTV dhe Kryeministri Berisha ka dhënë një intervistë për gazetën më të madhe të Shenzhenit “Shenzhen Daily News”.
Berisha viziton tempullin në Nansha
Kryeministri Sali Berisha së bashku me bashkëshorten e tij vizituan tempullin budist të Nanshasë. Kreu i qeverisë u shpreh i mahnitur nga ky tempull dhe deklaroi se do ta vizitojë atë sërish, herës tjetër si turist. Njëkohësisht, duke folur për mediat, Berisha foli edhe për krizën globale ekonomike. Ai tha se ekziston një optimizëm që kjo krizë do të tejkalohet. “Siç dihet, unë pasnesër nis vizitën time zyrtare në Pekin, ku do të zhvilloj bisedime zyrtare me Presidentin Hu Jintao dhe Kryeministrin Wen Jiabao. Por edhe gjatë darkës u diskutua gjerësisht mbi një spektër të gjerë problemesh me interes të përbashkët. Gjatë qëndrimit në forum, nga diskutimet spikati një vendosmëri e madhe e vendeve të fuqishme të Azisë, si Kina, Japonia etj. për të dalë nga kriza. Kina parashikon të ketë një rritje të konsiderueshme këtë vit, ka mbyllur tremujorin e parë me një rritje më të madhe sesa në tremujorin e kaluar, pra mbi 6.5 për qind”, - tha Berisha.
Propozohet realizimi i E-government
Gjatë qëndrimit në Kinë, Kryeministri Sali Berisha është takuar me Presidentin e Huaway International, një nga kompanitë më të mëdha të elektronikës në botë. Kreu i qeverisë shqiptare tha në këtë takim se ai do t’i shkojë deri në fund projektit për elektronizimin e të gjitha shërbimeve publike. Projekti, i njohur ndryshe si E-government, ose qeverisje dixhitale, është vlerësuar nga kinezët. “Qeveria, - u shpreh Berisha, - ka ndërmarrë në këto vite hapa të rëndësishëm drejt dixhitalizimit të shumë shërbimeve dhe procedurave në vend, sot kemi shërbim online për taksa elektronike, regjistrim biznesi elektronik, tatime elektronike, deri në fund të majit do të kemi internet në të gjitha shkollat, si dhe kemi hedhur hapa të rëndësishëm drejt E-government”. Nga ana e tij, Presidenti i Huaway International tha se Shqipëria zë një vend shumë të rëndësishëm në strategjinë e zgjerimit të kompanisë në Evropë. Kryeministri Berisha i bëri me dije se Huaway Albania mund të shfrytëzojë të gjitha lehtësitë e krijuara për biznesin nga qeveria si për shembull nismën “Shqipëria 1 euro”. Aktualisht kjo kompani ka investuar në teknologjinë e kompanisë Eagle Mobile në Shqipëri. Huawey Technoligies është një kompani nga më të mëdhatë në botë, me rreth 45 000 inxhinierë, 87 500 nëpunës, me një aktivitet që arrin deri në 30 miliardë dollarë në vit.
Kompania ZTE shpreh interes për Shqipërinë
Kryeministri Berisha vizitoi dje selinë qendrore të kompanisë ZTE, një nga kompanitë më të mëdha në botë për prodhimet e telefonisë, telekomunikacionit dhe rrjeteve ndërlidhëse me xhiro vjetore prej 4 miliardë dollarë. Prodhimet e kësaj kompanie mbulojnë të gjithë gamën e prodhimit që nga fibrat optike, prodhimet e wireless, shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare si dhe tregun e terminaleve. Presidenti i ZTE-së, Jinyan, shprehu gatishmërinë e kompanisë që drejton për të investuar edhe më tej në tregun shqiptar në mënyrë që të ofrojë shërbime më të mira me kosto më të ulët për konsumatorin shqiptar. Gjithashtu, ai theksoi se pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën Shqipërinë një vend shumë të mirë për t`u shndërruar në qendër të kërkimeve dhe prodhimit të teknologjisë së lartë për rajonin dhe mbarë Evropën. “Shpresoj që ZTE-ja do ta konsiderojë seriozisht mundësinë për të përfituar nga kjo zonë ekonomike dhe do të zgjerojë aktivitetin e saj ekonomik në Shqipëri”, - u shpreh Kryeministri.
Kryeministri fton bizneset kineze të investojnë në Shqipëri
Gjatë vizitës së tij në qytetin e Shenzhenit, Kryeministri Sali Berisha vizitoi parkun industrial të teknologjisë së lartë në këtë qytet, i krijuar në vitin 1996, një nga gjashtë parqet më të mëdha në botë. Ky park është një zonë ekonomike e krijuar nga qeveria rajonale e Shenzhenit në bashkëpunim me biznesin kinez dhe ndërkombëtar dhe në të janë përqendruar mbi 500 kompani që merren me zhvillimin e produkteve të reja të teknologjisë së lartë si dhe krijon ndërveprim midis kompanive dhe 51 universiteteve të kërkimit shkencor më në zë në botë. Gjatë takimit, drejtori ekzekutiv i Parkut, Zhang Hen Chun, e falënderoi Kryeministrin Berisha për vizitën e tij në këtë park e në Shenzhen dhe bëri një prezantim të parkut dhe teknologjive më të reja që po zhvillohen brenda tij. Ai i ftoi bizneset shqiptare të këtyre fushave të bëhen pjesëtare të këtij parku në mënyrë që të përfitojnë nga inovacionet e tij. Kryeministri tha se në vlerësimin e tij në vitin 2004 kompania konsulente me prestigjioze në botë, Mc Kenzie, është shprehur se zona Tiranë-Durrës mund të shndërrohet në një Shenzhen të Evropës për teknologjinë e lartë dhe se ai shpreson që kjo të arrihet. Berisha ftoi bizneset e parkut industrial të Shenzhenit të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, duke u shprehur se ai dhe qeveria e tij do të bëjnë çdo përpjekje që investimet e tyre të shndërrohen në histori suksesi.