Roshi: Opozita, sjellje ekstreme me Kuvendin
Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, deklaroi dje se qëndrimet e fundit të opozitës kanë qenë ekstreme. Roshi përmendi braktisjen e Kuvendit nga ana e opozitës, duke e cilësuar këtë si një veprim jo të denjë për një opozitë që është pjesë e NATO-s. “Braktisja e Parlamentit në shenjë proteste nuk është sjellje politike që aplikohet nga demokracitë e vendeve anëtare të NATO-s. Lëvizjet ekstreme të opozitës, pas festimeve që ajo vetë bëri për anëtarësimin në NATO, e bëjnë Shqipërinë të duket si një fshat që u kthehet me egërsi sherreve të vjetra, një natë pas dasmës. Opozita ka përgjegjësinë e saj të tregojë se Shqipëria ka përmbushur çdo standard për të qenë anëtare e klubit të demokracive perëndimore, përfshi edhe emancipimin e opozitës”, - tha Roshi. I pyetur më tej nga mediat në lidhje me komisionin hetimor ndaj Edi Ramës, Roshi tha se kjo është një praktikë demokratike.