E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Taksa” e votës apo taksa e panikut



Zamir Gjurgji

Kur mbeten edhe shtatë javë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, kreu i partisë së bashkisë socialiste nuk po ia del dot mbanë për të artikuluar qartë e kuptueshëm qëndrimin e pjesës që kryeson ndaj procesit të pajisjes me letërnjoftime elektronike. Për të disatën herë radhazi, z. Rama është shprehur se "votimi i qershorit është në prag krize, sepse po ushtrohet abuzivisht taksa e votës e prandaj edhe do të dalë në protesta masive".

Kështu, taksidari i barit e betonit, siç njihet rëndom nga biznesmenët e deri tek qytetarët e thjeshtë, po nxjerr në pah një tjetër anë të karakterit të tij emocional, shumë të brishtë e të paqëndrueshëm, atë të frikës së kthyer në panik. Të gjithëve na kujtohen mirë dy muajt e fundit para se të mbaheshin zgjedhjet lokale të shkurtit të 2007-s, kur Rama këmbëngulte 'të noterizonte’ të gjithë qytetarët e Tiranës, sikur këta të fundit të ishin UFO andej planetit. Dy vjet më parë, kjo tentativë noterizuese u perceptua si një reagim konvulsiv i shkaktuar nga një anomali e pehashit të kryebashkiakut Rama, për shkak të qenies së tij në prag të provimit me mandatin. Ndjesi thuajse e njëjtë me atë që shkaktohet tek një nxënës i ndjeshëm, i cili preket lehtë nga kriza e panikut para sezonit të provimit.

Por, ja që njeriut në fjalë këto kriza iu përsëritkërkan në mënyrë periodike, të përdyvjetshme, e sidomos në muajin e ndërrimit të gjakut. Prandaj, edhe kryefjala e çdo prononcimi të këtij njeriu - prej pllajave të Hasit, në podiumin e qelqtë të selisë rozë, e deri tek lugina e Lazaratit - është një e vetëm një fjalë, ajo, krizë. E kësaj fjale, në mënyrë enciklike i ndajshtohet herë fjala financiare, e herë ajo e votimit, sipas shtypjes atmosferike të ajrit apo edhe temperaturave të paqëndrueshme të motit. Në letrën e tij të hapur drejtuar kreut të legjislativit shqiptar, z. Berisha, kryetari i të zgjedhurve lokalë të Shqipërisë kërkon në mënyrë urgjente heqjen e taksës së votës, edhe pse ky togfjalësh është më absurdi për ata që e shprehin, e jo më për ata që e dëgjojnë. Për më tepër, ky qëndrim intransigjent mbahet në thyerje të prillit, ndërkohë që qeveria shqiptare ka dalë tashmë me vendimet përkatëse për "taksën e votës".

Për ta thjeshtëzuar sa më shumë debatin për dokumentet identifikuese, letërnjoftim a certifikatën, mjafton të analizojmë kostot mbi objektet, e më pas të flitet për taksimin si një proces që i takon thelbësisht anës subjektive. Të dyja dokumentet e identifikimit, qoftë letra A4, e qoftë kartoni i plastifikuar dhe me çipe identifikuese, kanë kosto faktike. Por, nëse letra A4, certifikata, kushton në tregun shtetëror logjikisht më pak se letra A4, e cila e fotokopjuar kushton në tregun privat 10 lekë, ajo që e bën të mundur procesin e taksimit është pulla taksë me portretin e Skënderbeut, e cila e pesëfishon vlerën deri në masën 50 lekë për certifikatë. Dhe ky proces është ushtruar deri në tepri nga pushteti lokal, kur edhe për të kaluar fëmijën nga një kopsht në tjetrin, duhej medoemos të pajiseshe me certifikatë të re me afat skadence 3-mujore. Por mbi të gjitha, me fotografinë përkatëse.

Le të mbetemi pak te fotografia e certifikatës, si një procedurë pararendëse dhe pjesë integrale e procedimit në fjalë:

Për të pasur në zotërim foton e nevojshme të një certifikate, qytetari është i detyruar t'i drejtohet tregut privat të fotografëve, të cilët edhe nëse u kërkon një foto të vetme, të detyrojnë të marrësh katër të tilla me një çmim që në treg varion minimalisht nga 250-300 lekë. Duke shtuar këtu edhe pagesën e certifikatës me "pullë taksë" (citoj dokumentin), shpenzimi minimal për një 'letër tremujore' shkon 300-350 lekë. Do të mjaftonin 3-4 certifikata të tilla - shumë të kërkuara deri më tash - që shpenzimi i "taksës së votës" të barazohej apo edhe të tejkalohej.

Për të pasur në dorë një letërnjoftim elektronik, nuk është e nevojshme aspak të kryesh shpenzimin monetar për pajisjen me fotografi, sepse ky proces përfshihet brenda kostos së mallit. Pra, për të gjitha ato kategori që dokumenti i identifikimit elektronik u kushton nën 300-350 lekë, vetëm zëri i shpenzimeve 'fotografi' do të mjaftonte për t'i përcaktuar si të subvencionuar, e jo të taksuar.

Ka një kategori tjetër shoqërore, që letërnjoftimi elektronik u kushton 500 lekë. Edhe me një vëzhgim analitik të një njeriu që ka kaluar 'pa mik' klasën e parë fillore, do të rezultonte se 350 + 150 = 500 (në këtë rast 'mbledhori' 150 i takon zërit plastifikim, kudo dhe kushdo që e kryen atë).

Për një kategori tjetër "të varfërish" (sipas Ramës) ky dokument origjinal u kushton nga 800-1000 lekë. Le të jetë ai vetë, që mund të verifikojë se 'çipi' dhe lloji plastik i kartës e 1.5-2-fishon koston e zërave "foto, plastifikim", çka e konstaton lehtë nëse mjaftohet me dërgimin e sekserëve 'të betonit', për të pyetur për kostot përkatëse në një studio grafike dhe në një bankë çfarëdo.

Përmbledhtazi, një certifikatë e pushtetit lokal taksohet minimumi pesëfish, ndërsa letërnjoftim i 'pushtetit qendror' minimalisht është në kosto e maksimalisht nën kosto, pa mbërritur as teorikisht në procedurën e taksimit. Kësisoj, subvencionimi dhe taksa janë dy koncepte që logjikisht ndryshojnë si Peza nga Lazarati. Por në absurditet, edhe këto dy 'qytezat' e fundit mund të jenë njësoj! Për më tepër, 3 dhe 120 muaj vlefshmëri, janë koncepte fort të ndryshme edhe për një fëmijë normal të ciklit parashkollor.

Gjithsesi, jam i bindur se as ky trajtim kaq i përciptë, i kryer edhe prej një individi me njohuri elementare në fushën e ekonomi-financës, nuk do të mundet dot t'ia mbushte mendjen, as duke i thënë 'ja ke fut kot, plako'. Sepse halli i tij është tjetërkund. E për mos me 'u fut' tek halli i tij brenda llojit, le ta lemë të vetëm e të vetmuar në krizën e panikut që e kaplon në sezon-provimin e qershorit, duke uruar që të mos shkaktojë efekte të pakthyeshme, pasi edhe kryepartiaku bashkiak i ri është, edhe pse do të bëjë dy punë njëkohësisht si Lenini i vjetruar. Për më tepër, kësaj radhe nuk ka në ndihmë as Ilirin...

P. s. Taksa - Shuma që paguhet për të qenë pjesë integrale e një shoqërie, e një ambienti shkollor apo edhe për një provim semestral ( Il Novissimo Melzi, Linguistico, f. 1268).

---------------------------------------------------------------------------------------------

Vendimi i qeverisë për "taksën e votës"

1. Kompensimin e çmimit të letërnjoftimit për shtetasit shqiptarë, mbi 18 vjeç ose që deri më 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç, që nuk disponojnë pasaportë udhëtimi për jashtë shtetit, si më poshtë vijon:

a) Në masën 1 200 (një mijë e dyqind) lekë për të gjithë personat:

I. Paraplegjikë dhe tetraplegjikë, personat e verbër dhe pjesëtarët e familjes, në ngarkim të tyre, kur nuk kanë të ardhura.

II. që vuajnë dënimin ose ndodhen në paraburgim.

III. anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian.

b) Në masën 1 000 (një mijë) lekë për:

I. të gjithë pensionistët, që kanë pension minimal, në qytet, dhe të gjithë pensionistët e fshatit;

II. studentët e institucioneve të arsimit të lartë publik;

III. çdo anëtar të familjeve, që trajtohen me ndihmë ekonomike;

IV. të gjithë shtetasit, që votojnë për herë të parë; ata që kanë lindur në periudhën 19.2.1989 – 28.6.1991, pavarësisht nga gjendja ekonomike dhe sociale.

c) Në masën 700 (shtatë mijë) lekë për personat:

I. me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, në përputhje me pikën 3, të nenit 7, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, si dhe anëtarët e familjes, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar, me përjashtim të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve dhe të së verbërve.

II. personat që përfitojnë pagesë papunësie.

ç) Në masën 400 (katërqind) lekë për të gjithë personat, që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal në qytet, të plotë, të pjesshëm ose pension invaliditeti, si dhe personat në ngarkim të tyre, të cilët janë pa të ardhura.

d) Në masën 200 (dyqind) lekë për punonjësit e institucioneve buxhetore me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë, si dhe personat në ngarkim të tyre pa të ardhura.

2. Pagesa e kompensimit bëhet për aplikimet e kryera deri në 20 qershor 2009 apo për letërnjoftimet e marra deri më 28 qershor 2009.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›