Invalidët, Rama premton më pak se ç’përfitojnë aktualisht
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, publikoi dje idenë e “Kartës sociale” ose përfitimet që do të ofrojë qeveria e tij, në rast se do të vijë në pushtet për njerëzit në nevojë. Ndryshe nga ideja, premtimet konkrete të kësaj karte, janë më të vogla se ato që personat me aftësi të kufizuar si paraplegjikët, tetraplegjikët dhe invalidët përfitojnë aktualisht. Por nga ana tjetër, vendimi i qeverisë aktuale u jep të gjitha përfitimet personave me aftësi të kufizuara, që kreu i PS-së premtoi dje. Rama premtoi dje dy pika konkrete në “Kartën sociale”. E para, një sasi karburanti për personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, që personi që ata i shoqëron, e përfiton si vjetërsi pune shërbimin ndaj këtyre individëve nevojë. “Ne, - tha Rama, - do ta rritim shumën e rimbursimit të karburantit për ju e për ata që si ju kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë, duke siguruar që pavarësisht ndryshimit të çmimit të karburantit, çdo person me aftësi të kufizuara, të mund të blejë të njëjtën sasi karburanti që i nevojitet”. Premtimi i dytë ishte për shoqëruesit e këtyre personave. “Periudha në shërbim të personave me aftësi të kufizuar, - shtoi Rama, - do të njihet si vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë”.
Vendimi i qeverisë aktuale, i marrë në datën 12 mars të këtij viti, vendosi të plotësonte kërkesat e personave me aftësi të kufizuara, pas një greve urie që ata zhvilluan. Konkretisht, vendimi i qeverisë u jep këtyre personave 80 litra karburant në muaj, një shifër e barabartë me atë që merr një deputet i Kuvendit në një muaj. Kreu i PS-së, Edi Rama, premtoi dje një sasi karburanti, ndonëse nuk premtoi një shifër konkrete, që këta persona duhet të marrin. Por vendimi i qeverisë e ka bërë realitet këtë premtim të Ramës.
Premtimi i dytë i Ramës, për vjetërsi pune personave që shoqërojnë individët me aftësi të kufizuara, është në fakt një premtim më i vogël se vendimi i qeverisë, i cili ka fuqinë e një ligji. Teksa Rama premtoi vjetërsi pune, vendimi i qeverisë përcakton personat që shoqërojnë këto individë në nevojë, jo vetëm që e marrin vjetërinë, por u paguhen edhe sigurimet shoqërore.
Në premtimet e djeshme, Rama harroi të përmendte paketën higjenike, e kërkuar me ngulm nga shoqatat e individëve me aftësi të kufizuara. Vendimi i qeverisë ua ka njohur këtë paketë, madje sot këta individë që përfitojnë 160 mijë lekë të vjetra në muaj për këtë paketë.
Në konferencën për shtyp, Rama premtoi vëmendje ndaj kësaj kategorie, por pa përmendur konkretisht se si do të ndihmohen. “Duam që të krijojmë për çdo shqiptar e shqiptare “Kartën sociale”, e cila është një kartë që në bazë të profilit individual dhe gjendjes shoqërore e ekonomike, t’i japë mundësi çdo qytetari e qytetareje të përfitojë në mënyrë të thjeshtë dhe tërësisht transparente shërbime, kujdes social e shëndetësor, arsimor apo kulturor. Kjo, sigurisht, nënkupton një revolucion në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit dhe për këtë revolucion në radhë të parë Shqipëria ka nevojë”, - deklaroi Rama për “Kartën sociale”, pa përmendur çfarë shërbimesh do të përfitojnë.
Mbledhja e qeverisë
Mbledhja e qeverisë që mban datën 12 mars, miratoi edhe kërkesat e personave me aftësi të kufizuara. Kryeministri Berisha deklaroi në atë mbledhje se “me ndryshimet e miratuara rritet me mbi 60 për qind trajtimi i këtij kontingjenti, krahasuar me vitin 2005”. “Qeveria, - ka thënë Kryeministri, - akordon për paketën higjeno-sanitare të tyre shumën prej 120 mijë lekësh, kundrejt vetëm 90 mijë lekë që ia akordonte qeveria e mëparshme. Dhe sërish, me vendimin e sotëm, ne e rrisim atë në shumën 160 mijë lekë, pra, e rrisim mbi 80 për qind nga vlera që e gjetëm prej 90 mijë lekë”. Gjithashtu, pjesë e ndihmës ndaj tyre është ishte akordimi falas i sasisë prej 80 litrash naftë në muaj, e barabartë me sasinë që u akordohet deputetëve të Kuvendit.
Topi: Partitë të mos braktisin fushatën
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, theksoi edhe një herë dje nga qyteti i Korçës, se pajisja e qytetarëve me letërnjoftime të reja është e domosdoshme, ndërsa u bëri thirrje partive politike që futen në fushatë elektorale. “Pra, edhe këtu në Korçë, - tha Topi, - të gjithë duhet të aplikojnë, pastaj të gjitha subjektet politike duhet të futen në fushatë për të arritur synimet e tyre politike, por më e rëndësishme është që pas këtyre zgjedhjeve, Shqipëria të fitojë sa më shumë nota të tjera pozitive, për të pasur mundësi të shpejta që pas anëtarësimit në NATO, të anëtarësohemi edhe në Bashkimin Evropian”. I pyetur nga mediat në lidhje me qëndrimin e Partisë Socialiste për çështjen e kartave të identitetit, Presidenti Topi u përgjigj: “Edhe një herë mund t’ju them, edhe këtu nga Korça, që të gjithë së bashku duhet të punojmë intensivisht, që të mos them çdo ditë, por çdo orë e çdo minutë që ky proces të realizohet sa më shpejt”. Vetëm dy ditë më parë, kreu i shtetit tha se nuk është e domosdoshme mbledhja e tryezës me partitë politike, një kërkesë kjo e kërkuar nga PS-ja. Ai bëri thirrje për qytetarët që të shkojnë të aplikojnë për kartat e identitetit.