Bumçi: Në mandatin e dytë, zgjidhim problemin e pronës
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi dje se në mandatin e dytë, kjo qeveri do të zgjidhë përfundimisht problemin e pronës. Deklarata e Bumçit u bë në aktivitetin e organizuar nga Partia e Ballit Kombëtar, me rastin e 70-vjetorit të krijimit të organizatës nga Mithat Frashëri. Përpara simpatizantëve të kësaj force politike, Bumçi konfirmoi se kjo parti do të nënshkruajë së shpejti me Partinë Demokratike për të qenë në një koalicion në zgjedhje. Ai premtoi më shumë vëmendje për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë në qeverinë e djathtë. Në fjalën e tij, kryetari i PBK-së, Adriatik Alimadhi, tha se në këto zgjedhje duhet të votohet djathtas, në mënyrë që sipas tij, t’i jepet fundi qëndrimit ende jodemokratik në Shqipëri.