E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja çame, Idrizi e Dule, debate të ashpra në Kuvend

Krerët e PDU-së dhe të PBDNJ-së lëshuan dje akuza ndaj njëri-tjetrit në seancën e Kuvendit. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, mori fjalën në seancë nga ku deklaroi se PDU ka organizuar protesta antiintegrim para selisë së BE-së në Tiranë, ndërsa akuzoi krerët e PDU-së se po bëjnë gjueti shtrigash. I menjëhershëm ka qenë reagimi i dy deputetëve, Idrizi e Tahiri, të cilët deklaruan se Dule po provokon shqiptarët. Dule i akuzoi krerët e PDU-së për klientelizëm politikë, gjë që u kundërshtua ashpër nga deputeti Shpëtim Idrizi. “Disa politikanë sot kanë ekzaltimin dhe kurajon të protestojnë para selisë së Bashkimit Evropian me sloganin të mos integrohet veni në Bashkimin Evropian. Nëse nuk është e vërtetë, le ta përgënjeshtrojnë dhe të pranojnë gabimin e bërë. I kuptoj ankthin e zotërinjve se kanë një parti të re, një parti e cila nuk siguron klientëve elektorale fantazim por as me gjuetinë e shtrigave. Nuk mund të mblidhen vota duke shpallur armik Vangjel Dulen apo PBDNj-në”, - deklaroi Vangjel Dule i cili më pas gjeti reagimin e menjëhershëm të kreut të PDU-së, Idrizi. Deputeti i PDU-së deklaroi se Dule po ndërmerr një fushatë antishqiptare dhe shtoi se largimi i Dules nga koalicioni i djathtë kishte vetëm interesa personale. Ai i kërkoi PS-së të mbajë një qëndrim mbi deklaratat e Dules. “Iu referove asaj partisë para 28 qershorit, e cila ishte Partia për Drejtësi dhe Integrim. Ajo parti që ti pretendove se u largove nga koalicioni, mos harro ka qenë me ty në të njëjtin koalicion në vitin 2007. Nga kjo foltore i bëj thirrje Partisë Socialiste të mbajë qëndrim, sepse ti këtë pretendove se u largove nga Partia Demokratike për të Partia Socialiste, por unë e di, sepse kam qenë në atë parti dhe këtë nuk e pranoj. Dua një qëndrim publik nga PS-ja për këtë”, - tha Idrizi.
Ai deklaroi më tej se Dule nuk po përfaqëson minoritetin. “Fole për merkato, por e ke gabim, sepse i ke hyrë një fushe, ku edhe në futboll, pasi kur luaja unë në “Qemal Stafa” ti luaje me top lecke. Por të them se unë e kam ndërruar fanellën time, por e di se çfarë fanelle kam veshur. Kam veshur fanellën e shtëpisë sime, familjes time komunitetit tim dhe të shqiptarëve, ndërsa ti ke veshur fanellën e rrëndëgatëve. Po të them edhe një herë mos na provoko zoti Dule. Minoriteti grek kishte një kryetar si Valis Melo, i cili merrte 40 mijë vota dhe shih si je katandisur pasi nuk të voton as minoriteti”, - tha më tej Idrizi. Sipas deputetit të PDU-së, “komuniteti çam dhe ai grek janë vërtet figura bashkëpunimit të sinqertë”. “Ne jemi qenë para selisë para BE dhe i jemi Presidentit, Kryeministrit si dhe trupit diplomatik me një promemorie për të sensibilizuar me atë gjenocid që ka ndodhur në histori me popullsinë çame. Dhe ti po abuzon me këtë pjesë, pasi ajo ishte protestë paqësore dhe gjej rastin për të thënë se dy institucione ka mbajtur një qëndrim të tillë. Ia kemi çuar promemorie dhe ambasadës greke në Tiranë. E futëm më një zarf dhe para disa ditëve me erdhi një zarf ku ambasada greke e kishte futur përsëri në një zarf, zarfin tonë”, - deklaroi Idrizi, i cili iu drejtua Dules se “është e vërtetë që qartë që qarqe të caktuara antishqiptare janë munduar ta fshehin këtë çështje, por ne jemi 300 mijë qytetarë çamë që nuk ndodhemi rastësisht këtu. Zoti Dule unë shtëpinë time e kam në Margëlliç ndërkohë që ti rrije në kasolle”. Edhe deputeti tjetër, Dashamir Tahini, akuzoi Dulen duke thënë se ai duhet të ndiqet penalisht. “Nëse je kundër kësaj, je antishqiptar e meriton të ndiqesh penalisht për deklaratat e tua publike që nxisin urrejtjen kombëtare. Ju vetë, zoti Dule, jeni kundër integrimit evropian të Shqipërisë, ju do të mbeteni pa karta presioni në dorë ndaj Tiranës; sepse s’do të ketë më blerje të votës me viza”, - tha Tahiri. Ndërkaq, polemika mes dy krerëve të partive ka vijuar dje edhe në BBC. Në median britanike, Idrizi e Dule kanë folur për debatin e fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›