Sondazhi: LSI fuqizohet në kurriz të PS-së
Një sondazh për qëndrimin e opinionit ndaj zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, të kryer javët e fundit nga një përfaqësi perëndimore, ka paraqitur disa rezultate interesante për mënyrën e reagimit të qytetarëve ndaj proceseve post-zgjedhore. Nga sondazhi vihet re një rritje domethënëse e mbështetjes ndaj qeverisë dhe ulje drastike e mbështetjes ndaj PS-së. Ajo çfarë është domethënëse, është fakti se ndërsa mbështetja për PD-në është rritur në mënyrë te moderuar, rritja në favor të LSI-së është trefishuar në raport me zgjedhjet e 28 qershorit.
Përfaqësia perëndimore nuk ka preferuar të bëjë publike rezultatet e sondazhit për çështje etike dhe për të mos ndërhyrë në problemet e brendshme të Shqipërisë, por nga të dhënat e siguruara nga gazeta vihet re rritja e mbështetjes ndaj PD-së, që tani ndodhet në pozitën 47-51%, si edhe rritje e LSI-së në nivelin 14-16%. Përkundër këtyre rritjeve, vihet re rënie e thellë e PS-së në nivelin 26-28%.
Duket qartë se ndërsa qytetarët kanë nevoja prioritare për heqjen e vizave dhe punësimin, për fat te keq, PS e drejtuar nga Edi Rama ka prioritet organizimin e dezhurnit me 3 turne tek pallati i Dashit, mbrojtjen e interesave të ndërtuesve sidomos atyre që zotërojnë media si Dulaku apo Koço apo edhe bojkotin e Parlamentit me pretekste të sajuara prej nevojës së tij për të mos dhënë dorëheqje pas humbjes së zgjedhjeve.
Kjo diskordancë mes nevojave të elektoratit dhe politikës së PS-së po fuqizon ndjeshëm LSI-në tek elektorati i majtë që e sheh si forcën e majtë që përfaqëson interesat e njerëzve të thjeshtë dhe jo të milionerëve ndërtues pranë Edi Ramës. LSI po kontribuon për zgjidhjen e halleve të njerëzve, ndaj elektorati i saj është trefishuar brenda pak muajsh.
Edi Rama ka arritur të ruajë kreun e PS-së, por kjo me një kosto të lartë, pasi PS duket se po humb elektorat të majtë me shpejtësi, për shkak se ky elektorat përballet me prioritete të tjera nga PS-ja.