Miratohet ligji për ndryshimin në kompensimin e pronave
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje ndryshimin në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, sipas të cilit, afati për vendimin për dosjen e pronave shqyhet deri fund të dhjetorit 2011. Projektligji parashikon dhënien e një vendimi për të gjitha dosjet e mbetura pezull të cilat sot kapin shifrën e rreth 8 mijë dosjeve. Ministri i Drejtësisë, Nishani, deklaroi në Kuvend se ky projektligj do të mundësojë që të ketë përgjigje për çdo subjekt nga ana e AKKP-së. Sipas këtij, projektligji, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit do të japë një përgjigje, pozitive ose negative, për një dosje prone brenda 3 muajve në momentin që ajo niset të shqyrtohet. Në rast se subjekti nuk është i kënaqur me vendimin e AKKP-së, atëherë ai ka 30 ditë afat për të shkuar në gjykatë dhe të ankimojë këtë vendim. Projektligji i ka dhënë të drejtën AKKP-së që të shqyrtojë vendimet e dhëna në vite nga zyrat rajonale, ish-komisionet vendore etj. Vetë projektligji përcakton se një gjë e tillë është vendosur për shkak të abuzimeve që janë bërë me pronësinë. Sipas projektligjit, një rivendim i AKKP-së e bën të pavlefshëm vendimin e dhënë për një tokë të caktuar nga ish-komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit apo zyrave rajonale. Projektligji thotë se pas një indice që mund të ketë drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, nis procedimin e verifikimit të ligjshmërisë së titullit të pronësisë. Pas verifikimit, AKKP-ja merr një vendim për lënin në fuqi të vendimit të mëparshëm që mund të jetë dhënë vite më parë ose e shfuqizon atë. Edhe në këtë rast, subjekti i prekur ka vetëm 1 muaj afat për dërgimin e vendimit në gjykatë.