“Qëllimi i parë dhe i fundit i Edi Ramës është pazari për pushtetin e tij të pakicës”

Apeli i Kryeministrit Sali Berisha: PS të votojë ligjet me 3/5, po mban peng integrimin
Kryeministri i bëri apel opozitës parlamentare që të mos mbajë peng integrimin por të miratojë në Kuvend ligjet kusht për marrjen e statusit kandidat. Kështu, referuar ligjit për Gjykatën e Lartë dhe qëndrimin e PS-së për të mos e miratuar atë, deri në plotësimin e kushteve të saj, kryeministri Berisha i rikujtoi lidershipit socialist se mazhoranca ka qenë e hapur për të gjitha propozimet e opozitës, përveç atyre që bien ndesh me Kushtetutën apo kanë si prapavijë çështje pazaresh.
“Çdo ditë shqiptarët, për fat të keq, për të mos thënë ditë për ditë, marrin nga ky zotëri lajmin e bllokimit. Ky është lajtmotivi i tij. Në Bruksel, mendoj se mesazhi kryesor, nga ato që unë lexova nga takimet, ishte konstruktiviteti, pra të vazhdohet ky konstruktivitet, i cili solli reformën zgjedhore, i cili solli dhe imunitetin, një fitoren historike për kushtetutshmërinë e vendit. Tani, shkon sërish drejt e në bunker, bllokim për votimin e ligjit për Gjykatën e Lartë. Fillojnë e bëjnë zinxhirin e kushteve, në mënyrë se si e si të mos e votojnë atë dhe të çojnë mesazhin, për mendimin tim shumë të gabuar, pasi këto janë reforma në drejtësi, që i pret çdo shqiptar me padurim. Është tjetër gjë të sulmosh drejtësinë, por detyra është ta reformosh atë. Ndërsa ai nuk ka qëllime performance. Qëllimi i tij i parë dhe i fundit është; ‘pazare për pushtetin e tij’. Në pushtet nuk vihet përmes pazareve, por ai ka një koncept shumë rudimentar për pushtetin dhe mënyrën e fitimit të tij. Për pushtet nuk vihet duke i thënë qeverisë; ‘më jep këtë, më bëj këtë’. Duhet të kesh parimësi. Çfarë i tregon zgjedhësit në këtë mënyrë, se qeveria të blen e të shet sa herë do? Ti je opozitë sovrane, ti mbron principe. Në qoftë se ti beson në drejtësinë e pavarur dhe në konsolidimin e saj, si mund të shtrosh ti 10 pazare të tjera, pra, të votosh për konsolidimin e drejtësisë. Ndaj unë e ftoj zotin Rama të heqë dorë nga këto mënyra. Për sa i përket ligjit për Gjykatën e Lartë, është PS që ka kërkuar me insistim dhe nuk e votonte ligjin për Gjykatën Administrative, nëse ne nuk pranonim ngritjen e Kolegjit pranë Gjykatës së Lartë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë i është referuar edhe reformës parlamentare ndërsa i ka cilësuar kërkesat e opozitës si pretekste për të bllokuar procesin.
“Kërkesat e opozitës janë në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese. Opozita kërkon që dekretet e presidentit të votohen haptazi, por dekret dhe ligjet në çdo kushtetutë të një vendi të lirë nuk mund të votohen haptazi ato votohen fshehtazi dhe prandaj kreu i opozitës kërkon një gjë që nuk mund të pranohet. Një vendim i Gjykatës kushtetuese që daton në 2005 ndryshoi aktin dhe rrugën në procedurën e zgjedhjes së gjykatësve. Para këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës propozonte gjykatësit dhe i dekretonte ata pasi votoheshin në Parlament, në përputhje me përcaktimin e nenit 3 apo 4 të ligjit për Organizmin e Drejtësisë. Gjykata Kushtetuese, pavarësisht se ai është një ligj organik, gjykoi se kjo duhet të ndryshojë dhe urdhëroi që Presidenti, me aktin e parë, dekreton gjykatësit dhe, Presidenti dërgon jo propozime, por gjykatës të dekretuar në Parlament. Atëherë, Parlamenti nuk ka asnjë rrugë tjetër, në qoftë se i mbahet një norme botërore, përveç se një votimi të hapur të dekreteve, tha kryeministri, duke shtuar se Rama kërkon ta orientojë parlamentin shqiptar drejt atij venezuelian. Përse nuk the se dua të marr si referim Parlamentin venezuelian dhe jo atë evropian? Tani opozita liston pushtetin e pakicës, pra do që të vendosë shumicën në pushtetin e pakicës”, tha ai.