E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqiptarët, me identitetin e tyre në Greqi



Kryeministri Sali Berisha siguron emigrantët shqiptarë në Greqi se do të çojnë përpara përpjekjet e përbashkëta për arsimimin dhe ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës amtare tek fëmijët e tyre. Gjatë takimit të zhvilluar dje me përfaqësinë e Unionit të Shqiptarëve në Greqi, Berisha foli për programe plotësuese të gjuhës, me premtimin se qeveria do t’i shtojë qendrën e kulturës shqiptare, si dhe botimin e “Enciklopedisë së botës shqiptare”, që do të sjellë në çdo familje emigranti veç gjuhës, edhe historinë, gjeografinë dhe etnokulturën e popullit shqiptar. Kryeministri vuri në dukje se përfaqësitë shqiptare do të kenë specialistë në çdo fushë të jetës: ekonomike, shoqërore dhe kulturore për të lehtësuar përpjekjet e tyre për qytetari e dinjitet. “Shqipëria, - theksoi Kryeministri Berisha, - po hedh e sigurt hapat e fundit drejt Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, në mirëkuptim dhe me qeverinë greke po merr formë përfundimtare dhe kërkesa jonë për pajisjen e emigrantëve me pensione vjetërsie”. “Gjithashtu, - shtoi Berisha, - qeveria është e angazhuar plotësisht të pajisë gjithë shtetasit e vet, kudo që ndodhen, me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, duke i dhënë një shans lëvizjes suaj të lirë në hapësirën shqiptare dhe evropiane”. Kryeministri Berisha tha se në të ardhmen e afërt, qeveria shqiptare, në akord politikisht me opozitën, do të vlerësojë të gjitha mundësitë tekniko-ligjore për të realizuar edhe pjesëmarrjen e emigrantëve në procesin elektoral, duke përmbyllur kështu një cikël politik të nevojshëm e dobiprurës për gjithëpërfshirjen e shqiptarëve në politikë. Drejtuesit e Unionit u shprehën se gjejnë një Shqipëri të ndryshuar, që bën të ndihet krenar çdo shqiptar dhe u shprehën se dëshironin që përvojën dhe mundësitë financiare të krijuara gjatë këtyre viteve t’i investonim në Shqipëri që po prosperon dita-ditës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›