Berisha: Përmirësimi i gjendjes në burgje dhe sistemin e paraburgimit, një përparësi
- Kryeministri Berisha njeh anëtarët e qeverisë me raportin për Shqipërinë të Komitetit kundër Torturës të Këshillit të Evropës
Të mërkurën, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha njohu anëtarët e qeverisë me raportin për Shqipërinë të Komitetit kundër Torturës të Këshillit të Europës. Z. Berisha bëri të ditur se ky Komitet, një autoritet shumë serioz, ka përpiluar një raport për Shqipërinë, i cili nuk i përket periudhës së qeverisjes së mazhorancës aktuale, por që shtron për qeverinë, si emergjencë absolute, marrjen e të gjitha masave kundër torturës në Shqipëri. Raporti iu dorëzua kryeministrit nga delegacioni i Këshillit të Europës, i kryesuar nga kryetari i Komitetit kundër Torturës. Z.Berisha nënvizoi se e njohu delegacionin e KE-së me përpjekjet që ka bërë qeveria dhe projektet në këtë drejtim. "Ky raport damkos Shqipërinë, pas inspektimeve të përsëritura që këto ekipe shumë serioze kanë bërë në burgje, paragurgimet tona, damkosin vendin si një nga vendet me rekordin më të zi. Unë i prita anëtarët dhe kryetarin e këtij Komiteti, ju shpjegova përpjekjet që kemi bërë, pasi me ministrin e Drejtësisë e kemi shqyrtuar problemin e paragurgimeve e të burgjeve në mënyrë të përsëritur, por dua të theksoj se kjo është një emergjencë absolute. Unë i informova ata për projektin tonë që në çdo prefekturë të kemi një qendër paraburgimi të standarteve normale, por gjykoj se ne duhet ta shpejtojmë projektin. Së dyti, në prokuroritë e të gjitha rretheve, ku janë qendrat e paragurgimit dhe të burgjeve, duhet të vihen linja komunikimi në mënyrë që të burgosurit të denoncojnë çdo formë keqtrajtimi, presioni të palejueshëm, të paligjshëm ndaj tyre dhe të të paraburgosurve. Të tilla linja duhet të ekzistojnë në Ministrinë e Drejtësisë, në Ministrinë e Brendshme. Krahas mbikqyrjes, që mund të bëhet mbi bazën e ankesave nga administrata e burgjeve dhe e ministrisë duhet një Inspektoriat i posaçëm kundër toruturës dhe, në rast se ka nevojë për ligj, të miratojmë ligjin. Është e domosdoshme, se nuk mund të shkojmë si vend demokratik me tortura aty. Duhet që ndryshimi të jetë dramatik dhe i shpejtë. Dua t'ju informoj se bazuar në atë raport Shqipërisë absolutisht i takonte të merrte një ndëshkim shumë të rëndë. Ajo që më tha kryetari, tekstualisht, 8 vjet rrjesht në mënyrë absolute në çdo takim na është thënë po dhe nuk është bërë asgjë nga ato që kemi rekomanduar. Kjo ishte deklarata e tij. Ndaj dhe kjo çështje duhet të merret me seriozitetin më të prerë", tha z.Berisha, duke e theksuar si përparësi dhe detyrim të shtetit normalizimin e qendrave të paraburgimit dhe burgjeve, si dhe rishqyrtimin e rregulloreve tyre duke bashkëpunuar me Komitetin e KE-së për të tërhequr të gjithë ekspertizën e tyre.