Kryeministri Berisha takon Sekretarin britanik përÇështjet e Brendshme Charles Clarke
- Z. Berisha: Kjo vizitë shënon një kapitull të ri në bashkëpunimin e gjithanshëm me Britaninë e Madhe
Kryeministri Sali Berisha u takua, të martën, në selinë e kryeministrisë, me Sekretarin britanik të Shtetit përÇështjet e Brendshme, z. Charles Clarke. Pas takimit, z. Berisha u shpreh për mediat:
"Zonja dhe zotërinj,
Me Sekretarin e Shtetit përÇështjet e Brendshme të Britanisë së Madhe Charles Clarke ne zhvilluam një bisedë shumë të frytshme dhe miqësore. Së pari, unë shfrytëzova rastin për t'i shprehur sekretarit Clarke, kryeministrit Tony Blair, qeverisë së Britanisë së Madhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen e fuqishme që i kanë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën dhe përpjekjet e tyre për shoqëri të lirë e demokraci.
Së dyti, unë e njoha Sekretarin Clarke me të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, rivendosjen e shtetit ligjor. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me agjencitë e zbatimit të ligjit të Britanisë së Madhe në luftën kundër krimit të organizuar, por dhe të terrorrizmit ndërkombëtar. Britania e Madhe ka dhënë një ndihmë shumë të çmuar teknike, financiare dhe të gjithaanshme për aftësimin e institucioneve tona në këtë luftë. Ne shohim me shumë interes zgjerimin e thellimin bashkëpunimit në këto fusha, shkëmbimi i informacionit, stërvitja dhe trajnimin e policisë dhe anëtarëve të agjencive të tjera, ekipimin e tyre me mjetet e nevojshme, bashkëpunimi në sigurimin e kufijve dhe kartat e identitetit. Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë për funksionimin më të mirë të shtetit të ligjor dhe institucioneve të tij, reformën e tyre, luftën kundër larjes së parave, trafikut të drogës, emigrimit ilegal dhe rezultatet janë jashtëzakonisht inkurajuese.
Me Sekretarin Clarke diskutuam inkurajimin e investimeve britanike në Shqipëri. Përpjekjet e qeverisë për të krijuar një klimë miqësore për investimet, rritin mundësitë e suksesit të investitorëve britanikë dhe të investitorëve të tjerë në fushën e turizmit, infrastrukturës, energjisë, naftës e fushave të tjera.
Në bisedë unë e njoha mikun e shquar për vështirësitë me të cilat ne përballemi. Vështirësitë janë akoma serioze në luftën kundër krimit të organizuar për shkak të "state capture". Por e sigurova se ne jemi shumë të vendosur të procedojmë me reforma. Kërkova ndihmën e Sekretarit Clarke për një ndryshim në gjendjen e të paraburgosurve dhe të burgosurve në Shqipëri, të papajtueshme për standartet dhe normat e një vendi të lirë dhe demokratik, pasi e njoha me përpjekjet e qeverisë për t'i dhënë një përgjigje sa më të shpejtë këtij problemi.
Integrimi euro-atlantik ishte një temë tjetër për të cilën në diskutuam. Sekretari Clarke më siguroi se kryeministri Bleir dhe Qeveria e Madhërisë së Saj mbështesin plotësisht përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE, firmosjen e MSA-së dhe integrimin e saj në NATO.
Unë mendoj se kjo vizitë shënon një kapitull realisht të ri në bashkëpunimin e gjithanshëm me Britaninë e Madhe në tërësi dhe në fushën më të parë, fushën e sigurisë në veçanti".