Berisha: Modernizimi i postës është modernizimi i shërbimeve për qytetarët
Kryeministri Berisha mori pjesë, të martën në mesditë, në takimin e zhvilluar në Hotel Tirana për prezantimin e Dokumentit Themelor të Zhvillimit të Postës Shqiptare. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, Drejtori i Përgjithshëm i Postës shqiptare, Arqile Gorea, Drejtori i Postës së Kosovës, Rafet Jashari, etj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh: "Të nderuar të pranishëm, erdha për t'u ndjekur këtu dhe për t'u përgëzuar ju për platformën e re që keni paraqitur për modernizimin e shërbimit postar në Shqipëri, një nga shërbimet me të rëndësishme, më të domosdoshme për çdo qyetar shqiptar. Ky shërbim është në padurim të madh të ndryshojë, të transformohet me shpejtësi, të kap nivelin e kohës, si një kusht i domosdoshëm për të mbijetuar dhe shërbyer qytetarëve. Posta shqiptare ndodhet në një gjendje dekada larg nivelit në të cilën duhet të ishte ky shërbim sot, por ekipi i ri ka një vullnet të madh për ta reformuar me shpejtësi të madhe dhe vendosur atë, me të gjitha kapacitetet, në shërbim të qytetarëve. Modernizimi i postës është modernizim i shërbimeve dhe nuk mund te ketë modernitet të vendit pa posta moderne. Në këtë aspekt kërkohet përkushtim i madh nga punonjësit e postës, kërkohet përgjegjësi e madhe nga punonjësit e saj, përgjegjësi ndaj detyrimeve shumë të mëdha që kanë në shërbimin e tyre për qytetarët.
Reformimi i postës është një emergjencë kombëtare, ndaj dhe ju duhet ta shtjelloni si të tillë. Unë jam i vetëdijshëm se prapambetja e trashëguar është shumë e madhe, por ne sëbashku duhet të operojmë me ripërtëritjen e të gjithë asaj që trashëgohet, infrastrukturës ekzistuese, duhet të operojmë me angazhimin dhe mobilizimin me shpejtësi të fondeve të reja për modernizimin e kësaj infrastrukture, për zgjerimin me shpejtësi të gamës së të gjitha shërbimeve. Por këtu duhet te theksoj se në këtë zgjerim investimi është njëra anë. Konkurenca përballohet me kompetencë, me përkushtim, me përgjegjësi, ndaj dhe vetëm një menaxhim i mirë, vetëm një menaxhim kompetent, do mund të bëjnë postën shqiptare vërtetë një institucion të shërbimeve dhe shërbesave të mëdha të qytetarëve.
Unë kam diskutuar disa herë me ju, zoti drejtor dhe zoti ministër, për perspektivën e këtij sektori. Ju garantoj se qeveria do të mbështesë fuqimisht përpjekjet tuaja, sikundër theksoj se është e domosdoshme shtrirja e shërbimeve të saj në çdo skaj të vendit, ofrimi i shërbimeve në çdo skaj të vendit, adaptimit të të gjitha teknologjive të komunikimit, nga linja e thjeshtë tek sateli, në mënyrë që qytetarëve shqiptarë t'u shërbehet sot me shpejtësi, siguri, profesionalizëm. Është e domosdoshme që qytetarët shqiptarë në të katër anët e vendit, postën që i dorëzojnë shtetit, qeverisë, institucioneve, ta marrin me shpejtësinë më të madhe. Posta nuk fle, ajo është në punë 24 orë mbi 24 orë, në rast se ajo do që të përshtatet me kushtet e tregut, t'u shërbejë qytetarëve. Ne 15 vite, 60 përqind e qytetarëve shqiptarë shohin gazeta vetëm në televizor. Pse? Sepse posta nuk merr përsipër t'i shpërndajë. Ndaj dhe është e domosdoshme që, për të rritur shkallën e informimit të qytetarëve shqiptarë, posta të marrë përsipër të çojë gazetat në të gjitha pikat e vendit ku ajo çon letrat. Shtypi është një domosdoshmëri e madhe që t'u ofrohet qytetarëve. Natyrisht, shërbimet duhet të bëhen me çmime të cilat mediat mund t'i përballojnë. Ndaj dhe veprimet bankare duhet të zenë vendin më kryesor në veprimtarinë tuaj. Asgjë nuk mund të pengojë postën shqiptare për të qenë më e shpejta, më e sigurta, në telekomunikim dhe komunikim në të katër anët e planetit, jo thjesht të Shqipërisë.
Ndaj dhe, duke ju përgëzuar për këtë vizion të ri që keni krijuar, ju ftoj që ta skeduloni me afate sa më të shkurtra të mundshme, për ta shndërruar, për ta jetësuar këtë platformë që mezi presin qytetarët shqiptarë. Edhe një herë urimet më të mira ju dhe të gjithë punonjësve të postës shqiptare".