Kryetari i PPE-së përshëndet fjalën e z.Berisha: Jemi krenarë që ju i përkisni familjes së PPE-së
Të premten në orën 12.00 paradite, në seancën plenare të Partisë Popullore Evropiane mori fjalën kryeministri Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij, kryeministri shqiptar theksoi rëndësinë historike të zgjedhjeve të 3 korrikut, ku shqiptarët votuan për t'u ndarë nga sistemi i kleptokracisë dhe për të rrëzuar murin e korrupsionit, varfërisë dhe krimit të organizuar më të rrezikshëm në Evropë, që pothuajse kishte bllokuar procesin e integrimeve euroatlantike të Shqipërisë. Z.Berisha shtoi se qeveria e dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut ka rikthyer në pak muaj sundimin e ligjit dhe po lufton me tolerancë "zero" krimin e organizuar, si dhe ka çmontuar organizatat kryesore më të rrezikshme kriminale, duke nxjerrë para ligjit anëtarët dhe bosët e tyre. Kryeministri nënvizoi edhe faktin e rënies dramatike të korrupsionit dhe perceptimit të tij, si dhe kujtoi përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël, shkurtimin e kohës së regjistrimit të tyre nga 42 në 8 ditë dhe rritjen e ndjeshme të interesimit të investuesve të huaj për Shqipërinë.
Duke kujtuar se javën e shkuar Komisioni Evropian i dërgoi Marrëveshjen e Stabilizim Aosciimit Këshillit të Ministrave, ai u bëri thirrje personaliteteve të pranishëm për të mbështetur nënshkrimin e saj, duke i siguruar njëkohësisht se qeveria shqiptare është plotësisht e vendosur për ta implementuar me sukses atë, si dhe për të përballuar detyrimet që rrjedhin prej saj.
Fjala e kryeministrit Berisha u duartrokit disa herë, ndërsa në fund, Kryetari i Partisë Popullore Evropiane e njëkohësisht drejtuesi i seancës, z.Wilfried Martens falenderoi z.Berisha për fjalën elokuente duke shtuar: "Ne e kemi admiruar dhe mbështetur kandidimin si kryeministër dhe fitoren tuaj. Ne kemi besim të plotë në përkushtimin tuaj për zgjidhjen e problemeve të vendit dhe ju mbështesim për këtë. Jemi krenarë që ju i përkisni familjes së PPE-së".