Kryeministri Berisha merr pjesë ne Samitin e Kryeministrave tw Evropws Juglindore per zgjerimin e zones se re të tregtisë së lirë
Kryeministri Berisha mori pjesë, te enjten, në Samitin e kryeministrave të Evropës Juglindore për zgjerimin e zonës së re të tregtisë së lirë (CEFTA), te zhvilluar ne Bukuresht. Në këtë Samit të organizuar nga kryeministri i Rumanisë Calin Popescu Tariceanu, marrin pjesë presidenti i Rradhës i Bashkimit Europian dhe kancelar i Austrisë Volfgang Shussel, komisionerët e Komisionit Europian Olli Rehn dhe Peter Mandelson, koordinatori i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek, si dhe kryeministrat e Rumanisë, Kroacisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, Moldavisë, Kosovës si dhe kryeadministratori i Kosovës Soren Jesen Petersen.
Në këtë samit mori fjalën edhe kryeministri Berisha, i cili theksoi se nismat e tregtisë së lirë në zonën e vendeve tona do të rrisin lirinë e tregut dhe do t'i bëjnë vendet përkatëse më të lira, më të begata dhe do të ndihmojnë në konsolidimin e demokracisë. Ai tha gjithashtu se Shqipëria e mbështet marrëveshjen per zonën e tregtisë së lirë dhe angazhohet plotësisht në zbatimin e saj.
Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi gjerësisht me kancelarin austriak Shussel. Biseda u përqendrua në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Austrisë. Z.Berisha e njohu kancelarin Shussel me progresin që ka bërë qeveria shqiptare për rivendosjen e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, çmontimin e organizatave të krimit të organizuar, administrimin fiskal, luftën kundër trafiqeve dhe kontrabandës, si dhe përmirësimin e klimës se biznesit. Gjithashtu u diskutua për lehtësimin e investimeve austriake në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera. Kancelari Shussel shprehu vlerësimin e tij për punën e qeverisë dhe u angazhua për të inkurajuar investimet austriake në Shqipëri, si dhe për zgjeruar marrëdhëniet e gjithaneshme mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha u takua edhe me kryeministrin e Rumanisë Tariceanu, me të cilin diskutoi për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Po ashtu kryeministri pati biseda me kryeministrin e Kroacisë Ivo Sanader, të Maqedonisë Vlado Buçkovski dhe me atë të Malit të Zi Milo Gjukanivic. Në këto biseda u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, infrastrukturës dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Z. Berisha u takua edhe me përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen, si dhe me kryeministrin e Kosovës AgimÇeku. Biseda me ta u përqendrua në intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, domosdoshmërinë e bashkëpunimit të gjithanshëm, progresin e bërë në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, turizmit, si dhe luftës kundër krimit të organizuar. Kryeministri Berisha ftoi kryeadministratorin Petersen dhe kryeministrinÇeku për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.
Z. Berisha u takua edhe me kryeministrin e Bosnjes Ahmet Hadzipasic, të cilin e ftoi për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u pranua. Kryeministri shqiptar u përshëndet edhe me kryeministrin serb Voislav Koshtunica dhe ministrin e Jashtëm te Serbisë dhe Malit të Zi Vuk Drashkoviç.
Pasdite kryeministri Berisha do të pritet nga presidenti rumun Traian Basesku.