E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: ”Përshëndes opozitën, realizuam një ëndërr për Shqipërinë”



Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar dje në tryezën e rrumbullakët të NATO-s vendimin e Aleancës për të ftuar Shqipërinë të anëtarësohet në këtë organizëm. Në fjalën e tij kryeministri Berisha paraqiti rezultatet e reformave të gjithanshme të ndërmarra në Shqipëri me qëllim realizmin e dy projekteve madhore të kombit shqiptar, integrimin në NATO dhe në BE. Kryeministri theksoi se shqiptarët kërkuan të parët anëtarësimin në NATO dhe mbështesin më shumë se çdo komb tjetër këtë anëtarësim, pasi ata shohin tek aleanca garancinë më të madhe të lirive të tyre dhe sigurinë më të madhe të së ardhmes së tyre. “Vendimi i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, për të ftuar Shqipërinë, është vlerësim dhe afirmim i përpjekjeve dhe arritjeve të shqiptarëve në shndërrimin e Shqipërisë nga vendi i monizmit total, izolimit më të thellë, hiperkolektivizmit të plotë, lirive dhe të drejtave të ndaluara, në vendin e pluralizmit politik dhe demokracisë funksionuese, shtetit ligjor, ekonomisë së lirë të tregut, një vend që këto 15 vite ka vendosur një bashkëpunim luajal të gjithanshëm me Aleancën e Atlantikut të Veriut”, - tha Berisha. Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha shprehu emocionet e tij personale, të cilat prekën të gjithë pjesëmarrësit në samit. “Sot, në këtë pallat, historia e të cilit është tashmë e njohur, ftohet për t’u anëtarësuar në NATO vendi që u sundua nga diktatori me i egër i Europës së pasluftës, i cili, për më shumë se 4 dekada me radhë ndërtoi aq shumë bunkerë në qytetet, fshatrat, fushat, malet e brigjet e vendit, që po të mblidheshin së bashku, mund të ndërtonin dy herë piramidat e Egjiptit. Për mua kjo është një mrekulli, mrekullia e lirisë”, - tha Berisha. Kryeministri Berisha, gjatë gjithë ditës së djeshme ka komentuar për mediat shqiptare dhe të huaja si dhe ka falënderuar të gjithë faktorët brenda Shqipërisë. “Së pari, dua të përshëndes opozitën dhe të gjitha forcat politike të Shqipërisë, të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces”, - tha Berisha.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›